Konsumimi i një sasie të vogël vere çdo ditë mund të mbrojë zemrën, sipas një studimi të ri mbi popullsinë spanjolle që ndjek dietën mesdhetare, e cila zakonisht përfshin pirjen e një gote të vogël vere gjatë darkës. Në një grup personash mbi 60 vjeç me rrezik për sëmundje të zemrës, pirja e gjysmës deri në një gotë verë në ditë uli rrezikun për ngjarje kardiovaskulare, si sulmi në zemër ose iktusi, me 50% krahasuar me ata që nuk pinin verë. Megjithatë, ky efekt mbrojtës zhdukej tek personat që pinin më shumë se një gotë në ditë, sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Ramon Estruch, një studiues i rrezikut kardiovaskular, ushqimit dhe plakjes në Universitetin e Barcelonës.
“Ky studim shqyrton rëndësinë e konsumimit të moderuar të verës brenda një modeli të shëndetshëm ushqimor, si dieta mesdhetare,” tha Estruch, mjek.
“Deri më tani, besonim se 20% e efekteve të dietës mesdhetare mund t’i atribuoheshin konsumimit të moderuar të verës; megjithatë, në dritën e këtyre rezultateve, efekti mund të jetë edhe më i madh,” shtoi ai.
Megjithatë, kritikët theksojnë se studimi nuk merr parasysh dëmet e njohura shëndetësore të alkoolit, përfshirë verën.
“Ndërsa studimi sugjeron se konsumimi i ulët deri i moderuar i verës mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, kjo nuk do të thotë se është një leje për të hapur një shishe verë të kuqe,” tha Tracy Parker, dietologe e lartë në Fondacionin Britanik të Zemrës, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
“Është mirëdokumentuar se konsumimi i tepruar i alkoolit është i dëmshëm për shëndetin e zemrës,” tha Parker. “Pirja e tepruar e alkoolit rrit rrezikun për sëmundje dhe probleme të qarkullimit të gjakut, si hipertensioni dhe demenca vaskulare, si dhe probleme të mëlçisë dhe disa lloje kanceresh.”
Përveç kësaj, ekspertët theksojnë se shumë njerëz nuk matin saktë sasitë e verës që pijnë, një gotë e vogël prej 120 ml mund të bëhet lehtësisht 180 ml apo edhe 270 ml.
“Njerëzit shpesh thonë se ‘vera është e mirë për zemrën,’ por gjithashtu e dimë se shumë verë nuk është ‘e mirë për zemrën’,” tha Paul Leeson, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Oksfordit, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
Hulumtimi, i publikuar në revistën European Heart Journal, është pjesë e një studimi të vazhdueshëm spanjoll që heton ndikimin e dietës mesdhetare tek personat me rrezik për sëmundje të zemrës. Në studimin aktual morën pjesë 1,232 persona me diabet të tipit 2 ose faktorë rreziku si pirja e duhanit, kolesteroli dhe presioni i lartë i gjakut, mbipesha ose historia familjare e sëmundjeve të zemrës.
Në fillim të studimit, pjesëmarrësit dhanë informacione mbi ushqimin dhe pijet që konsumonin zakonisht dhe një mostër urine, e cila përdorej për të matur nivelin e acidit tartarik – një kimikat i gjetur natyrshëm në rrush dhe produkte të tij si vera. Pas një viti me dietën mesdhetare, testi i urinës u përsërit, nëse ishte konsumuar rrush ose verë brenda pesë ditëve të fundit, testi do ta zbulonte.
“Duke matur acidin tartarik në urinë, krahas pyetësorëve mbi ushqimin dhe pijet, kemi qenë në gjendje të bëjmë një matje më të saktë të konsumit të verës,” tha Estruch.
Rrushi, dhe për rrjedhojë vera, përmban sasi të mëdha të acidit tartarik, por përdorimi i tij si tregues nuk është pa shqetësime, tha Kevin McConway, profesor i statistikave të aplikuara në Open University në Mbretërinë e Bashkuar, i cili nuk ishte pjesë e studimit.
“Shumë nga ndryshimet në acidin tartarik mund të vijnë nga faktorë të tjerë, si mosqenia e sinqertë e pjesëmarrësve për sa kanë pirë, koha midis konsumimit të vetë-raportuar dhe matjes së acidit tartarik, ose ndikimi i ushqimeve të tjera apo proceseve në trup,” tha McConway.
Gjithashtu, rezultatet e studimit tregojnë vetëm një lidhje, jo shkakësi, tha Leeson.
“Mund të ketë edhe faktorë të tjerë që personat që konsumojnë këtë sasi vere bënë gjatë studimit që ndihmuan në uljen e rrezikut,” tha Leeson. “Për shembull, studimi u krye tek njerëz që gjithashtu ndiqnin një dietë të shëndetshme për zemrën. Ndoshta avantazhet shëndetësore të një gote vere shfaqen vetëm kur ajo konsumohet bashkë me një pjatë ushqimi mesdhetar?”
Ka mënyra shumë më të shëndetshme për të mbrojtur zemrën dhe shëndetin e përgjithshëm sesa pirja e verës, si një dietë e balancuar, aktiviteti i rregullt fizik, mbajtja e një peshe të shëndetshme dhe mos pirja e duhanit, tha Parker.
Naveed Sattar, profesor i mjekësisë kardiometabolike dhe konsulent nderi në Universitetin e Glasgout në Skoci, i cili nuk ishte pjesë e studimit, këshilloi kundër pirjes së verës ose çdo lloj alkooli për të përmirësuar shëndetin.
“Do t’u sugjeroja fuqimisht njerëzve të pinë sa më pak të jetë e mundur nëse dëshirojnë të jenë më të shëndetshëm,” tha Sattar në një deklaratë. “Paradoksi i verës është një mit dhe ky artikull nuk sjell asgjë të re për atë që tashmë dihet.”