Fëmijët nën moshën gjashtë vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, përfshirë televizorin, për të shmangur dëmtimin e përhershëm të zhvillimit të trurit, kanë paralajmëruar ekspertë mjekësorë në Francë.
Televizorët, tabletët, kompjuterët, lojërat elektronike dhe telefonat inteligjentë “kanë pasur tashmë një ndikim të rëndë mbi një brez të ri të flijuar në altarin e injorancës”, thuhet në një letër të hapur drejtuar qeverisë nga pesë shoqëri kryesore shëndetësore – ato të pediatrisë, shëndetit publik, oftalmologjisë, psikiatrisë për fëmijë dhe adoleshentë, si dhe të shëndetit dhe mjedisit.
Duke kërkuar një rishikim urgjent të politikave publike për të mbrojtur gjeneratat e ardhshme, ata thanë: “Ekranet, në çfarëdo forme qofshin, nuk i plotësojnë nevojat e fëmijëve. Më keq akoma, ato pengojnë dhe ndryshojnë zhvillimin e trurit,” duke shkaktuar “një dëmtim të qëndrueshëm në shëndetin dhe aftësitë e tyre intelektuale”.
Rekomandimet aktuale në Francë janë që fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve para moshës tre vjeç dhe të kenë vetëm “përdorim të rastësishëm” midis moshës tre dhe gjashtë vjeç, dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e një të rrituri.
Shoqëritë mjekësore sugjerojnë që ndalimi i ekraneve duhet të zbatohet si në shtëpi ashtu edhe në shkolla.
Ato shkruajnë: “As teknologjia e ekraneve dhe as përmbajtja e tyre, përfshirë atë të quajtur ‘edukative’, nuk janë të përshtatshme për një tru të vogël në zhvillim. Fëmijët nuk janë të rritur në miniaturë: ata kanë nevoja të ndryshme.”
Ata shtojnë se çdo ditë profesionistët e shëndetit dhe mësuesit e shkollave parashkollore “vëzhgojnë dëmet e shkaktuara nga ekspozimi i rregullt ndaj ekraneve para se fëmijët të hyjnë në shkollën fillore: vonesë në gjuhë, mungesë përqendrimi, probleme me kujtesën dhe hiperaktivitet”.
Ekspertët sugjerojnë se ekspozimi i rregullt ndaj ekraneve – sado i shkurtër – ka pasur gjithashtu një efekt negativ në zhvillimin social dhe emocional të fëmijëve. Ata theksojnë se problemi prek të gjitha grupet shoqërore, por veçanërisht familjet në nevojë, duke thelluar më tej “pabarazitë sociale”.
Alternativat e rekomanduara përfshijnë “leximin me zë të lartë, lojën e lirë, lojërat me tabela ose ato në natyrë, aktivitetet fizike, krijuese dhe artistike”.
Në letër thuhet: “Askush nuk do t’ia lejonte një fëmije nën gjashtë vjeç të kalonte rrugën vetëm. Pse atëherë ta ekspozojmë ndaj një ekrani kur kjo komprometon shëndetin dhe të ardhmen e tij intelektuale?”
Vitin e kaluar, një raport i porositur nga presidenti francez Emmanuel Macron tregoi se fëmijët tre deri në gjashtë vjeç në Francë kalonin mesatarisht 1 orë e 47 minuta në ditë para ekranit gjatë viteve 2014–2015, sipas të dhënave më të fundit të disponueshme. Megjithatë, që nga ajo kohë, vetëm një nga rekomandimet e komisionit – lidhur me ndalimin e ekspozimit të fëmijëve nën moshën tre vjeç ndaj ekraneve – është zbatuar.
Ish-kryeministri Gabriel Attal ka shkuar edhe më tej, duke propozuar ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, si dhe vendosjen e një “orari ndalese” për adoleshentët 15 deri në 18 vjeç, i cili do t’u ndalonte aksesin në rrjetet sociale pas orës 22:00.