Intervistë nga Monitor, Eksperti i ekonomisë, ish-ministër i Financave, Arben Malaj
Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3–3.6% në vitin 2026, e mbështetur nga konsumi dhe investimet publike, por përballë sfidave të forta strukturore, si plakja e popullsisë, emigracioni, produktiviteti i ulët, informaliteti dhe pasiguritë e mjedisit ndërkombëtar.
Përthithja efektive e fondeve të BE-së, reformat institucionale dhe përmirësimi i klimës së biznesit do të jenë vendimtare për qëndrueshmërinë e rritjes afatgjatë, thotë eksperti i ekonomisë, ish-ministër i Financave, Arben Malaj.
Si e parashikoni rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2026, në raport me trendet aktuale të konsumit, investimeve dhe eksporteve?
Për vitin 2026, pres që ekonomia shqiptare të rritet me një ritëm mesatar rreth 3–3.6%, duke u mbështetur kryesisht në konsum dhe investime publike. Konsumi privat pritet të qëndrojë relativisht stabël, mbështetur nga rritja e pagave, pensionet dhe programet e kohezionit dhe solidaritetit.
Këto së bashku po kontribuojnë në ruajtjen e fuqisë blerëse të familjeve. Investimet infrastrukturore dhe energjetike mund të japin një shtysë të fortë për zhvillim.
Ndërsa investimet private, sidomos në sektorin e teknologjisë dhe shërbimeve, po rriten me një ritëm të qëndrueshëm.
Sa u përket eksporteve, rritja e tyre do të mbetet e kufizuar nga kapaciteti i prodhimit dhe konkurrenca rajonale, por sektori i shërbimeve, përfshirë turizmin dhe IT-në, mund të japë një kontribut pozitiv në rritjen e ekonomisë.
Cilët sektorë priten të jenë motorët kryesorë të rritjes në 2026: turizmi, ndërtimi, shërbimet, bujqësia apo teknologjia?
Motorët kryesorë të rritjes ekonomike pritet të jenë turizmi, shërbimet dhe ndërtimi. Turizmi mbetet një sektor me potencial të lartë, veçanërisht në turizmin e specializuar dhe atë të qëndrueshëm, ndërsa ndërtimi do të mbështetet nga projektet e mëdha infrastrukturore, duke përfshirë rrugët, energjinë dhe transportin.
Sektori i shërbimeve dhe veçanërisht teknologjia, start-up-et dhe shërbimet digjitale, janë në fazë rritjeje dhe mund të jenë burim i investimeve të reja dhe punësimit.
Bujqësia do të vazhdojë të luajë një rol të moderuar, kryesisht për eksport, por me nevojë për modernizim dhe teknologji më të avancuar.
Zhbllokimi i fondeve të BE-së për bujqësinë, rreth 145 milionë euro, dhe shpërndarja e granteve dhe kredive të buta për fermerët duhet të jetë prioritet kryesor në luftën kundër varfërisë në zonat rurale dhe për të zvogëluar ndikimin e braktisjes së fshatrave.
Si mund të ndikojë inflacioni i viteve të fundit në çmimet dhe fuqinë blerëse gjatë 2026? Prisni stabilizim apo tendencë rritëse?
Inflacioni pritet të stabilizohet në nivele të moderuara, rreth 2–3% gjatë vitit 2026, duke u ndihmuar nga politika monetare e Bankës së Shqipërisë. Rivlerësimi i monedhës kombëtare në raport me Euron zbut presionet inflacioniste.
Megjithatë, sektorë si ushqimi, transporti dhe shërbimet mund të vazhdojnë të kenë presion të lehtë rritës mbi çmime, duke zvogëluar të ardhurat neto të disponueshme të shtresave në nevojë.
Pritshmëritë janë që ekonomia të përballojë këto presione inflacioniste, por do të kërkohet monitorim i kujdesshëm i politikave fiskale dhe monetare.
Ekonomia shqiptare për vitin 2026 përballet me sfida dhe rreziqe të shumta, si në ambientin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm.
Në nivel të brendshëm, ekonomia ballafaqohet me burokraci dhe ngadalësi administrative, informalitet të lartë, korrupsion dhe mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Implementimi i buxhetit ka shfaqur disproporcion të ndjeshëm midis muajve, ndërkohë që mosintegrimi i strategjive kombëtare dhe sektoriale me kuadrin makroekonomik dhe buxhetin afatmesëm bëri që vitin e kaluar, rreth 460 milionë euro të mbeteshin të papërdorura.
Kjo shumë, e painjektuar në ekonomi, pengon ritmet e rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe reduktimin e varfërisë. Niveli i varfërisë sipas rajoneve dhe grupeve sociale mbetet sfida më e vështirë për qeverinë, ndërsa faktorët e përmendur mund të pengojnë investimet dhe të ngadalësojnë rritjen e produktivitetit.
Në nivel të jashtëm, ekonomia shqiptare përballet me pasiguri të ndikuara nga krizat politike shumëdimensionale, siç është lufta në Ukrainë, Gaza dhe apatia në BE, çmimet e larta të energjisë, ngadalësimi i rritjes së ekonomive kryesore europiane, tensionet gjeopolitike dhe kushtet e financimit nga Bashkimi Europian dhe institucionet ndërkombëtare.
Për të reduktuar këto rreziqe, kërkohet një bashkëpunim i ngushtë midis Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, duke përmirësuar koordinimin midis politikave fiskale, monetare dhe reformave strukturore.
Duhet garantuar që resurset e buxhetit të përdoren në mënyrë efektive për të nxitur rritjen ekonomike, punësimin dhe reduktimin e varfërisë.
Me ndryshimet e strukturës demografike të vendit, cilat janë efektet e pritshme në shpenzimet publike dhe produktivitet?
Plakja e popullsisë do të ketë ndikim të rëndësishëm. Shpenzimet publike do të rriten, veçanërisht për shërbimet shëndetësore dhe pensionet.
Ndërkohë, produktiviteti i përgjithshëm mund të ngadalësohet nëse nuk përmirësohet pjesëmarrja e të rinjve në tregun e punës dhe nuk investohet në arsimin profesional dhe trajnime për fuqinë punëtore.
Është e domosdoshme të merren masa për të kompensuar efektet e plakjes, për të reduktuar deficitin e skemës së pensioneve dhe për të ruajtur një ritëm të qëndrueshëm rritjeje ekonomike dhe sa më të drejtë.
Si duhet të përgjigjet ekonomia shqiptare ndaj plakjes së popullsisë, për të ruajtur rritjen dhe ekuilibrimet fiskale në vijim?
Duhet të ndërmerren hapa strategjikë për të përballuar sfidat e fuqisë punëtore dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike. Investimet në automatizim, digjitalizim dhe rritjen e produktivitetit janë të domosdoshme për të kompensuar ngadalësimin e fuqisë punëtore.
Një fokus i veçantë duhet të vendoset në edukim, teknologji dhe sektorë inovativë, në mënyrë që rritja ekonomike të mos ulet për shkak të ndryshimeve demografike.
Lehtësime dhe stimuj duhet të ofrohen për të moshuarit që mund të angazhohen në punë, duke ruajtur aktivitetin e tyre ekonomik dhe duke përforcuar kontributin e tyre në tregun e punës.
Politika migracioni të targetuara mund të sjellin në vend fuqinë punëtore të re dhe të kualifikuar nga vendet e tjera, pasi vërtetohet zyrtarisht se bizneset pengohen të rriten jo vetëm për mungesë të fuqisë punëtore në shërbime elementare, por edhe për mungesë të profesionistëve të talentuar që mund ta bëjnë kompaninë më konkurruese dhe produktive për tregjet ndërkombëtare.
Cilat reforma ekonomike konsiderohen më urgjente për 2026 që do të kishin ndikimin më të madh në produktivitet dhe investime?
Reformat më urgjente për vendin janë:
(i) reforma e administratës publike dhe reduktimi i burokracisë, për të përmirësuar klimën e biznesit;
(ii) forcimi i sistemit fiskal, për mbledhjen efektive të taksave dhe financimin e shërbimeve publike;
(iii) reforma në arsim dhe trajnime profesionale, për krijimin e një fuqie punëtore të kualifikuar dhe konkurruese;
(iv) mbështetja dhe liberalizimi i sektorit privat, duke përfshirë energjinë e rinovueshme, teknologjinë dhe start-up-et;
(v) përmirësimi i klimës së investimeve të huaja dhe lokale, duke garantuar konkurrencë të hapur për të gjitha kompanitë, transparencë, siguri ligjore dhe stabilitet të politikave dhe paketave fiskale.
Si parashikohet të ndikojë integrimi me BE-në dhe programet e financimit europian në ekonominë shqiptare gjatë 2026 dhe në vijim?
Integrimi me Bashkimin Europian dhe përdorimi i fondeve europiane pritet të rrisin zhvillimin ekonomik, por efektiviteti i tyre do të varet nga aftësia jonë për të përthithur politikat dhe financimet e BE-së.
Për këtë është e nevojshme të rriten investimet publike dhe private, duke financuar projekte infrastrukturore, energjetike dhe sociale.
Po ashtu, duhet të forcohen standardet institucionale dhe legjislacioni, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të maksimizuar efektet pozitive në strukturën e ekonomisë dhe në ritmet e rritjes së saj.
Mbështetja e sektorëve strategjikë, si teknologjia, bujqësia, energjia dhe transporti, është thelbësore për krijimin e mundësive për rritje të qëndrueshme dhe punësim.
Përmirësimi i efikasitetit të shërbimeve publike dhe profesionalizimi i administratës janë kushtet bazë për cilësi dhe shpejtësi në procesin e integrimit europian.
Asnjë qeveri nuk mund të përballojë vetë sfidat e varfërisë, papunësisë dhe problemeve sociale vetëm me politikat e saj ose me buxhetin e vendit.
Efektiviteti i këtyre politikave varet nga madhësia dhe cilësia gjithashtu e investimeve të biznesit shqiptar dhe të huaj në ekonominë tonë.
Cilësia e investitorëve privatë, vendas dhe të huaj, lehtëson konkurrencën, rrit produktivitetin dhe kontribuon në qëndrueshmërinë e inflacionit dhe stabilitetin e financave publike.
