“Me bukurinë unike të zërit të saj madhështor, të udhëhequr me vendosmëri drejt shkëlqimit të lavdishëm, Ermonela Jaho mahnit me estetikën e saj të pastër vokale”, ky është motivacioni që e shpalli sopranon me famë ndërkombëtare Ermonela Jaho, “Artisja e Vitit” duke marrë çmimin Ndërkombëtare të Muzikës Klasike. Ermonela Hajo bën historinë si artistja e parë shqiptare që nderohet me çmimet më prestigjioze në botën e muzikës klasike. Ceremonia e ndarjes së çmimeve nga OPER! AWARDS 2024 u mbajt në Operën Kombëtare Holandeze të Amsterdamit dhe u transmetua drejtpërdrejt, duke shënuar një tjetër moment triumfi për talentin e jashtëzakonshëm të Jahos.
Në garën prestigjioze, sopranoja shqiptare fitoi çmimin kryesor si këngëtarja më e mirë femër për vitin 2024. Juria shprehu admirimin për aftësinë e rrallë të Jahos për të shfaqur thelbin e saj më të brendshëm përmes këndimit dhe performancës së saj emocionuese.
Verdikti i jurisë ishte: Këngëtarja më e mirë: Ermonela Jaho. Është e njohur që të kënduarit operistik kërkon më shumë se një zë të bukur, por rrallë një person është i gatshëm t’i zbulojë publikut qenien e tij më të brendshme përmes këndimit dhe performancës”. Juria ka vlerësuar mbrëmjen e paharruar të soproanos në Operën e Zyrihut në 2023, ku shkëlqeu me interpretimin e jashtëzakonshëm të rolit të Magda në “La rondine” të Puçinit.
Ajo fitoi një çmim të ngjashëm në Spanjë, duke u vlerësuar si artistja më e mirë e huaj që ka kontribuar për operën spanjolle. Ermonela Jaho shfaqet modeste dhe mirënjohëse në postimet e saj plot ndjeshmëri. Ajo thekson gëzimin dhe mirënjohjen për çdo vlerësim dhe përparim në karrierën e saj.
“Së pari Spanja dhe tani Gjermania me këtë çmim të papritur! Do të përpiqem të shpreh me fjalë mirënjohjen time dhe çfarë do të thotë kjo arritje për mua, por do të ishte e pamundur”, thekson sopranoja në një nga postimet e saj të fundit në mediat sociale.
Ermonela Jaho ka falenderuar kolegët e saj dhe publikun për mbështetjen dhe dashurinë e tyre, duke shprehur bindjen se muzika ka fuqi të lidhë zemrat dhe frymëzuar audiencën. Mesazhi i saj është se: “Nuk ka arritje më të madhe sesa të lidhesh me çdo zemër që dëgjon!”,