Gjithnjë e më pak konsumatorë në Europë po zgjedhin paranë fizike, duke u orientuar drejt kartave bankare dhe pagesave përmes celularit. Megjithatë, për një pjesë të qytetarëve dhe në sektorë të caktuar të ekonomisë, paraja në dorë mbetet ende më e përdorura.
Përdorimi i kartëmonedhave dhe monedhave po bie gradualisht në të gjithë Europën, por mbetet ende i përhapur. Në shumë vende të eurozonës, paraja fizike vijon të jetë metoda më e përdorur e pagesës, si për nga numri i transaksioneve, ashtu edhe për nga vlera e tyre.
Sipas një ankete të Bankës Qendrore Europiane (BQE), shuma mesatare e parasë që qytetarët mbajnë në portofol në eurozonë është 59 euro (2024). Diferencat mes vendeve janë të mëdha, nga vetëm 35 euro në Holandë, deri në 82 euro në Luksemburg dhe Qipro.
Mes katër ekonomive më të mëdha të BE-së, Gjermania kryeson me 69 euro para në dorë, ndërsa Franca renditet e fundit me 50 euro. Italia qëndron më pranë kufirit të poshtëm, ndërsa Spanja pak mbi mesataren e eurozonës.
Duke folur për Euronews Business, profesori Jakub Górka nga Universiteti i Varshavës thekson se përdorimi i parasë fizike ndikohet fort nga kultura kombëtare.
“Vendet e Europës Jugore, me klimë më të ngrohtë dhe me një traditë më të fortë të ndërveprimeve ballë për ballë, janë natyrshëm më të orientuara drejt parasë fizike. Ndërsa vendet e veriut, si ato skandinave, kanë kaluar më shpejt drejt bankave elektronike dhe pagesave digjitale”, shpjegon ai.
Pesha e pagesave me para në dorë në pikat e shitjes (POS) ka ardhur duke rënë ndjeshëm në eurozonë. Nga 79% e transaksioneve në vitin 2016, në 52% në vitin 2024 një rënie prej 27 pikësh përqindjeje.
Edhe në vlerë, përdorimi i parasë ka rënë: nga 54% në 39% gjatë të njëjtës periudhë.
Më shumë se gjysma e transaksioneve ende kryhen me cash
Në vitin 2024, 52% e të gjitha transaksioneve në eurozonë janë paguar me para në dorë. Në 14 nga 20 vendet e eurozonës, cash mbetet metoda më e përdorur e pagesës.
Në rreth gjysmën e këtyre vendeve, pagesat me para fizike përbëjnë 45–55% të transaksioneve. Shtrirja varion ndjeshëm, nga vetëm 22% në Holandë, deri në 67% në Maltë. Përdorimi i cash-it është mbi 60% edhe në Slloveni, Austri dhe Itali.
Guillaume Lepecq, kryetar i organizatës CashEssentials, thotë për Euronews Business se në disa vende, lidhja me paranë fizike është thellësisht historike. “Në vende si Gjermania, Austria dhe Italia, paraja fizike është e rrënjosur në jetën e përditshme për shkak të besimit afatgjatë tek valuta fizike, përvojave historike me kriza bankare, shqetësimeve për privatësinë dhe rezistencës ndaj gjurmimit digjital.”
Në terma vlere, cash përfaqëson vetëm 39% të pagesave në eurozonë, me shifra që variojnë nga 17% në Holandë, deri në 59% në Lituani.
Ndërkohë, kartat bankare përbëjnë 39% të transaksioneve dhe 45% të vlerës totale të pagesave. Pagesat përmes telefonave inteligjentë dhe orëve smart po rriten me ritme të shpejta.
Pse ndryshon kaq shumë përdorimi i cash-it nga një vend në tjetrin?
Profesorja e biznesit Olive McCarthy nga Universiteti i Cork-ut shpjegon se dallimet lidhen me faktorë socialë, ekonomikë dhe kulturorë.“Shkaqet përfshijnë nivele të ndryshme të pranimit të parasë fizike, ritmin e adoptimit digjital dhe shqetësimet mbi privatësinë e pagesave elektronike”, thotë ajo.
Holanda dhe Finlanda janë shembuj tipikë të vendeve me përdorim minimal të cash-it. Në Holandë, vetëm 79% e bizneseve pranojnë para në dorë, ndërsa në restorante dhe kafene kjo shifër ka rënë nga 98% në 2021, në 85% në 2024.
Në Finlandë, vetëm 8% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme preferojnë pagesat me cash.“Jo rastësisht, këto dy vende janë ndër liderët globalë për adoptimin e teknologjive digjitale”, përfundon McCarthy.
