Politikat kundër emigracionit po rriten në gjithë Evropën.
Në Francë, partia Rally Kombëtar dhe në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), kanë fituar shumë vende në parlamentet e tyre. Ndërkohë në Britaninë e Madhe, partia Reform po prin në sondazhe. Por, ngritja e së djathtës ekstreme mund ta përshpejtojë rënien e popullsisë në Evropë, duke sjellë pasoja ekonomike si rritje më të ngadalshme dhe kosto më të larta për pensionet dhe kujdesin për të moshuarit.
Ata që duan të mbyllin kufijtë e Evropës, përballen me një realitet të ashpër: popullsia vendase po bie me shpejtësi për shkak të lindshmërisë së ulët. Ekspertët paralajmërojnë se pa emigracion, shoqëritë evropiane do të plaken edhe më shpejt, duke sjellë probleme si mungesë fuqie punëtore dhe më shumë barrë për kujdesin ndaj të moshuarve.
“Shumica e politikanëve në qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë e kuptojnë që emigracioni është i nevojshëm për të lehtësuar presionet demografike,” thotë John Springford nga qendra e studimeve Centre for European Reform. “Por partitë radikale të djathta po e kundërshtojnë këtë konsensus. Shtetet që do të arrijnë të ruajnë emigracionin e moshës së punës, do të jenë më të forta ekonomikisht në të ardhmen.”
Çfarë thonë shifrat?
Sipas Eurostat, popullsia e BE-së do të bjerë me 6% deri në vitin 2100 – nga 447 milionë sot në 419 milionë. Por nëse ndalet krejt emigracioni, popullsia do të bjerë me mbi një të tretën, duke arritur në vetëm 295 milionë.
Shembujt kryesorë:
Italia – pa emigracion, popullsia do të përgjysmohej deri në fund të shekullit.
Gjermania – nga 83 milionë sot, do të binte në 53 milionë.
Franca – nga 68 milionë sot, do të binte në 59 milionë.
Vetëm disa vende si Rumania, Letonia dhe Lituania nuk do të ndienin shumë ndryshim, sepse tani kanë emigracion në dalje (më shumë njerëz largohen sesa hyjnë).
Një Evropë më e vjetër dhe më e shtrenjtë.
Sot, 21% e banorëve të BE-së janë mbi 65 vjeç. Sipas skenarit normal, kjo do të shkojë në 32% deri në vitin 2100. Por pa emigracion, do të arrijë në 36%. Kjo do të thotë më pak punëtorë, më pak rritje ekonomike dhe më shumë taksa për të mbuluar pensionet dhe kujdesin shëndetësor.
Shumë sisteme shëndetësore evropiane sot varen nga mjekë dhe infermierë emigrantë. Nëse nuk ka më, do të jetë edhe më e vështirë të përballohet plakja e popullsisë.
Ekspertët thonë se emigracioni ndihmon, por nuk është zgjidhje e vetme. Nevojiten edhe masa si:
rritja e moshës së pensionit,
punësimi më i madh i popullsisë aktive,
reforma në pensione,
zhvendosja e barrës së taksave nga paga drejt pasurisë, sidomos pronës.
Shembulli i një fshati italian.
Në Itali, shumë fshatra janë boshatisur. Njëri prej tyre, Camini në Kalabri, ka ringjallur jetën falë një projekti të vendosjes së refugjatëve. Aty janë vendosur 50 refugjatë dhe 118 të tjerë jetojnë përkohësisht. Kjo solli rihapjen e shkollës së fshatit dhe punë të reja. Organizatorët thonë se Camini mund të jetë model për shumë zona të tjera evropiane që po boshatisen.
