Përpara inaugurimit të presidentit të 47-të të SHBA-së të hënën, udhëheqësit evropianë kanë thënë se fokusi i tyre mbetet në mbajtjen e lidhjeve të forta me Uashingtonin, pavarësisht shqetësimeve të mundshme për politikat dhe udhëheqjen e Donald Trump.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të veçanta” me SHBA. “Ne mezi presim të punojmë me Donald Trump gjatë katër viteve të ardhshme”, shtoi Lammy.
Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs tha se marrëdhëniet SHBA-Letoni kanë qenë të forta në të kaluarën, pavarësisht nga shqetësimet për sfidat e ardhshme, duke përfshirë shpenzimet e mbrojtjes, politikat klimatike dhe mbajtjen e vendeve evropiane të bashkuara.
“Do të kemi një vit mjaft të pasigurt dhe të turbullt,” tha ai. Rinkēvičs shtoi se Evropa duhet të përshtatet me udhëheqjen e paparashikueshme të Trump, veçanërisht nëse SHBA tërhiqet nga marrëveshjet ndërkombëtare si Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot theksoi nevojën që Evropa të vendosë kufij të qartë në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, një shenjë që Franca mund të jetë e prirur për të vendosur vija të kuqe. Barrot bëri thirrje për mbrojtjen e “integritetit të debatit publik evropian” dhe mbrojtjen e sovranitetit evropian kundër ndikimeve të jashtme, duke përfshirë ato nga platformat e mediave sociale me bazë në SHBA.
Komentet e Barrot vijnë mes shqetësimeve në rritje për ndërhyrjet politike të miliarderit të Afrikës së Jugut, Elon Musk, përmes platformës së tij të mediave sociale X. Mbështetja e Musk për partinë e ekstremit të djathtë AfD të Gjermanisë dhe kritikat e vazhdueshme ndaj qeverisë laburiste të Britanisë së Madhe të kryeministrit Keir Starmer kanë përforcuar frikën e ndërhyrjes së huaj në politikën evropiane kohët e fundit.
Ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen paralajmëroi për një krizë të mundshme të politikës së jashtme nëse Trump vazhdon me idetë e diskutueshme, përfshirë ato për rolin strategjik të Grenlandës.
Në fillim të këtij muaji, Trump pretendoi se Danimarka duhet t’i dorëzojë territorin e saj SHBA-së për të “mbrojtur botën e lirë”, duke mos përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Grenlandës.
Në përgjigje, kryeministri i Groenlandës Múte B Egede tha se Grenlanda dëshiron të pretendojë pavarësinë e saj, duke thënë: “Ne jemi grenlandezë. Ne nuk duam të jemi amerikanë, apo danezë.”
Pas inaugurimit, Trump pritet të lëvizë shpejt, duke nënshkruar urdhra ekzekutivë për të përshpejtuar dëbimet, për të zgjeruar prodhimin e karburanteve fosile dhe për të dobësuar mbrojtjen e shërbimit civil për punonjësit e qeverisë.
Ai ka deklaruar se presidenca e tij do të shënojë “fillimin e një epoke të re të forcës, mirëqenies, dinjitetit dhe krenarisë për Amerikën”.