falen detyrime

Falen detyrimet dhe gjobat e bizneseve. Si do të funksionojë “paketa e paqes fiskale” dhe kush përfiton

Nga 1 janari 2026, do të falen plotësisht të gjitha detyrimet tatimore të papaguara, direkte ose indirekte, që lidhen me periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2014. Projektligji që hap rrugën për të ashtuquajturën “paqen fiskale” përjashton nga kjo falje kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Sipas draftit, do të shuhen gjithashtu edhe dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) që lidhen me sigurimet shoqërore e shëndetësore deri në fund të vitit 2014, përfshirë ato të vetëpunësuarve në bujqësi, por pa përfshirë kontributin bazë.
Nëse tatimpaguesi ka shlyer principalin dhe në llogarinë e tij kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, këto do të falen plotësisht.

Për detyrimet që i përkasin viteve 2015–2019, do të zbatohet një tjetër skemë:

Do të fshihet 50% e detyrimit tatimor, nëse pjesa tjetër paguhet e gjitha menjëherë deri më 30 qershor 2026.

Do të fshihet 25% e detyrimit tatimor, nëse pjesa e mbetur 75% paguhet me këste mujore të barabarta deri më 31 dhjetor 2026.

Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse do të anulohen plotësisht.

Gjithashtu, për detyrimet që i përkasin periudhës 2020–2024, gjobat dhe kamatëvonesat do të falen me kusht që tatimi ose tarifa përkatëse të paguhen brenda 31 dhjetorit 2026.
E njëjta lehtësi do të zbatohet edhe për sigurimet shoqërore e shëndetësore të këtyre viteve, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit.

Përfitues të fshirjes do të jenë edhe bizneset e çregjistruara në QKB apo në administratën tatimore deri më 31 dhjetor 2024, si dhe ato me vendim gjykate për çregjistrim.

Po ashtu, do të anulohen:

Gjobat e llogaritura automatikisht për mosdeklarim në afat, përfshirë ato për vonesat në deklarimin e punonjësve.

Gjobat për deklarata të padorëzuara deri më 31 dhjetor 2024, nëse ato dorëzohen brenda 30 qershorit 2026.

Dënimet për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e fitimit apo të pasqyrave financiare, të llogaritura deri në fund të vitit 2024.

Interesat dhe penalitetet që burojnë nga ndryshimet në listëpagesa për periudhat e kaluara, si rezultat i zbatimit të një akti ligjor ose vendimi gjykate me efekt prapaveprues.

Në këtë mënyrë, qeveria synon të mbyllë një kapitull të gjatë të borxheve tatimore, duke u dhënë bizneseve mundësinë për një “fillim të ri” financiar.

scan.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top