Këtë vit festat e Nëntorit kanë sjellë një rritje të dukshme të interesit për udhëtimet, me shqiptarët që preferojnë të shfrytëzojnë këtë periudhë për të udhëtuar si brenda vendit, ashtu dhe jashtë tij. Në favor të planifikimit ka qenë padyshim pushimi zyrtar prej 4 ditësh.
Agjencitë turistike dhe operatorët kanë ofruar një gamë të gjerë mundësish për të plotësuar kërkesat e udhëtarëve, duke e bërë këtë vit më tërheqës se kurrë për ata që kërkojnë aventura, relaksim dhe mundësi kulturore.
Udhëtimet brenda Shqipërisë kanë mbetur një mundësi e preferuar, me destinacione të tilla si Gjirokastra, Korça, Shkodra dhe Alpet e Veriut që janë ndër më të kërkuarat, sipas komunikimeve me disa hotele në vend.
Nga ana tjetër, agjencitë turistike kanë ofruar paketa të veçanta që përfshijnë udhëtime në fshatra tradicionale, vizita në monumente të trashëgimisë dhe mundësi për të shijuar ushqimin dhe kulturën lokale. Vlera mesatare e paketave të tilla nis me 70 euro/nata për çift.
Përveç kësaj, shumë shqiptarë kanë preferuar të kalojnë festat e Nëntorit në bregdetin shqiptar, sidomos në Vlorë, Durrës, ku janë ofruar mundësi për të shijuar një paketë të personalizuar për çifte apo familje. Si kosto vlerësohet rreth 90 euro/nata për familje prej 4 personash.
Nga ana tjetër, udhëtimet jashtë Shqipërisë kanë qenë gjithashtu të preferuara, me shumë shqiptarë që kanë zgjedhur destinacione të njohura europiane si Italia, Greqia dhe Austria për të kaluar festat me familjen apo për të shfrytëzuar mundësitë për blerje të sezonit Black Friday dhe ngjarje kulturore. Megjithatë, edhe këtë vit agjencitë turistike theksojnë se, udhëtimet janë më të larta se sa ata mund të matin, për shkak se pjesa më e madhe e udhëtarëve i organizojnë vetë lëvizjet e tyre jashtë.
Megjithatë, sipas komunikimeve me operatorët, raportohet se kanë ofruar paketa të përballueshme për destinacione të tilla, me mundësi për të shkuar në qytete si Milano, Vjena, Praga, Stambolli, etj. Kosto për udhëtime të tilla nis nga 199 euro/personi, me një rritje të lehtë të çmimeve krahasuar me një vit më parë. Agjencitë raportojnë se kostot e hotelerisë në Europë këtë vit kanë qenë më të larta.
Ndërkohë, një tendencë në rritje ka qenë udhëtimi për në vendet e Ballkanit, me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi që kanë ofruar mundësi për të festuar në qytete si Prishtina, Budva dhe Shkupi, ku shqiptarët janë ndier më pranë traditave dhe ngjarjeve kulturore. Gjithashtu në këto vende hotelet kanë ofruar paketa të leverdishme all inclusive, duke nisur nga 170 euro/personi, fjetje dhe ushqim.
Pjesë e tendencës së këtij viti është gjithashtu rritja e interesit për paketat e udhëtimit të shkurtra dhe atraktive që ofrojnë mundësi për udhëtime relaksuese. Shembull për këtë agjencitë marrin udhëtimin në Milano dhe trenin Bernina Express, kosto për të cilën vlerësohet rreth 500 euro/personi për 3 netë.
Sipas agjencive turistike, turistët që kanë zgjedhur të lëshojnë dorën më shumë kanë zgjedhur udhëtime si Jordania, Japonia, tur në Andaluzi, apo edhe New York, kostoja e të cilave nis me 1500 euro/personi për 5-6 apo më shumë ditë.
