snap tik tok

Filtra mbrojtës ose mbyllje për TikTok-un e SnapChat-in

Në Shqipëri, autoritetet do të nisin në shkollat e vendit, një seri konsultimesh publike me prindërit e nxënësve, lidhur me masat që duhen marrë për të frenuar përdorimin e rrjeteve sociale dhe ndikimin e tyre. Kryeministri Edi Rama tha se qeveria është mes dilemës për vendosjen e filtrave mbrojtës për fëmijët apo mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nisma e kryeministrit pason ngjarjen e pak ditëve me parë ku pas një konflikti mes disa të miturve, mbeti i vrarë me thikë, njëri prej tyre, 14 vjeçari Martin Cani.

Konflikti mes të miturve dyshohet të ketë nisur fillimisht, në rrjetet sociale, ku dhe pas ngjarjes, autori i goditjes me thikë të bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani, nxënësit të shkollës Fan Noli, dhe plagosjes edhe të shokut të këtij të fundt, postoi një foto, në të cilën ai shfaqet me grushtin lart, dhe një tjetër ku ai tregonte thikën.

Për kryeministrin Edi Rama, ngjarja, të cilën ai e quajti tragjike, “nxjerr në pah kërcënimin permanent me të cilin jetojnë të gjithë familjet që rrisin fëmijë në botën e sotme ku rrjetet sociale, dhe posaçërisht TikTok-u apo Snapchat-i thithin përditë në labirintet e tyre fëmijët qysh në moshat më të vogla“.

Vrasja ka nxitur reagime të shumta publike. Pas kësaj ngjarje janë bërë thrrje dhe për protestë. Ndërsa autoritetet duken të vendosura për të ndërmarrë hapa konkrete për kufizimin e përdorimit të rrjeteve sociale. Sipas kryeministrit dy janë mundësitë: “Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga të gjitha eksperiencat e deritanishme në Europë apo përtej Europës, mësojmë se efektiviteti i tyre është ende shumë i ulët, ndërkohë që stimujt e dhunës dhe rastet e bullizmit në botën online të fëmijëve dhe të adoleshentëve, vetëm rriten apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik-Tok-ut e pse jo, të SnapChat-it në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Përgjigjen e kësaj dileme, kryeministri tha se pret ta marrë nga një diskutim i gjerë me komunitetin e prindërve në të gjitha shkollat e vendit, që do të organizohet nga ministria e Arsimit. Sipas tij nevojitet “një vendim sa më demokratik për një problem kaq të madh, por dhe, kompleks në përmbajtjen dhe në zgjidhjen e vet”.

Nga ana e tij, kryeministri qartazi duket nuk ka dilema për ndikimet e këtyre dy rrjeteve sociale “nga të gjitha hulumtimet tona, janë dy burimet më pjellore të çoroditjes, të nxitjes së dhunës dhe të akteve të bullizmit deri dhe pastaj në tragjedi si kjo e fundit nga e cila ne duhet me patjetër të gjithë së bashku të dalim si shoqëri dhe si shtet me një përgjigje sa më efektive”.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top