Firdeus Kasaj

Firdeus Kasaj: Video-lojërat janë biznesi im!

Që fëmijë, Firdeus Kasaj ka ndjerë një lidhje të fortë me teknologjinë, numrat dhe imazhet. Ky pasion e ka shtyrë të eksplorojë, të eksperimentojë dhe të zhvillojë një aftësi të thellë në programim. Me kalimin e kohës, zhvillimin e lojërave e pa në këndvështrimin e një sipërmarrësi, të cilët në sytë e tij janë të pandashëm. Për të, zhvillimi i lojërave nuk është thjesht kodim, por arti i krijimit të realiteteve të reja, ku kufijtë e imagjinatës nuk ekzistojnë.

Industria e lojërave ka qenë një terren i pashkelur në Shqipëri dhe Firdeusi e ka përjetuar nga afër sfidën e ndërtimit të diçkaje nga e para. Në fillimet e tij, aplikacionet dhe programet e krijuara bazoheshin në kode të gatshme, por ai e ndjeu se ishte e nevojshme të ndërtonte një identitet unik. Ai krijoi Unyo Engine – motorin e parë shqiptar të lojërave, një hap të madh për zhvillimin e kësaj industrie në vend.

Një nga vështirësitë kryesore ka qenë mungesa e profesionistëve në treg, pasi shumë talente zgjedhin të punojnë jashtë kufijve. Megjithatë, Firdeusi nuk është ndalur dhe vazhdon të punojë për të ndërtuar një komunitet të qëndrueshëm dhe inovativ brenda vendit.

Ai tregon se është frymëzuar nga lojëra: “The Legend of Zelda: Breath of the Wild” dhe “Inside”, ku vlerëson thellësinë e dizajnit dhe narrativës së tyre. Projekti “Yume” e ka ndihmuar të kuptojë më mirë rëndësinë e krijimit të lojërave me impakt. Për Firdeusin, industria e lojërave nuk është thjesht argëtim, por një mundësi për të ndryshuar mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë me teknologjinë.

Pasioni i tij për këtë fushë është teknik, por edhe artistik. Ai e sheh zhvillimin e lojërave si një mënyrë për të ndërtuar eksperienca që frymëzojnë, sfidojnë dhe krijojnë lidhje emocionale me lojtarët. Për të, suksesi nuk matet vetëm me shifra, por me ndikimin që një lojë ka tek ata që e luajnë.

Ambicia e Firdeusit është ta shndërrojë UnyoCorp në një studio, duke krijuar një ekosistem ku çdo talent – programues, artist apo dizajner – mund të zhvillohet dhe të japë kontributin e tij. Duke investuar në teknologji si realiteti virtual (VR) dhe inteligjenca artificiale (AI), ai synon të çojë industrinë shqiptare të lojërave në nivele të reja.

Ai thotë se, “çelësi i suksesit qëndron në eksperimentim dhe në sfidimin e vetes. Ai i inkurajon të rinjtë të mos presin momentin e përsosur, por të fillojnë me atë që kanë. “Dështimi nuk është fundi, por mësuesi më i mirë,” thotë ai, duke besuar se vetëm ata që nuk dorëzohen janë ata që ndryshojnë botën.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top