Fitore Duma jeton në Çikago të SHBA prej 26 vitesh. Nëna e katër fëmijëve bashkë me familjen emigroi me anë të lotarisë amerikane dhe sot biznesi i saj “Fitore Uniforms” është ndër më të njohurat, e sidomos për policinë e Çikagos.
Shkodrania rrëfen vështirësitë e fillimit. “Vështirësia më e madhe është gjuha. Pesë vjet absolutisht e humbur, nuk merr vesh çfarë thonë, nuk i merr vesh se çfarë kërkojnë, ose nuk je e zonja të shprehësh mendime, por gjithçka kaloi, them se mirë dhe ja ku jam sot. Gjithmonë ëndrra amerikane”, ka thënë ajo.
Duke shfrytëzuar talentin e saj në qepje, sot Fitorja arrin të qepë 100 mbulesa të jelekëve antiplumb për efektivët amerikanë.
“Më morën në punë në një dyqan që shiste roba të policisë së Çikagos, e pas 16 vjetëve u shkëputa e i thashe vetes mund të bësh dicka tjetër në jetë. Shkova në një fushë tjetër për dy vjet dhe më mungonte qepja, fusha që doja të filloja nuk e kisha qejf. Jam rritur me makinë qepëse dhe klientët më kërkonin, ‘ku ike, më duhet mbulesa e jelekut antiplumb’ më thoshin. U detyrova me kënaqësi me ardh prapë në këtë fushë dhe është absolutisht ëndërr për mua”, rrëfen Fitorja.
Ajo thotë se për të krijuar biznes në SHBA asaj iu deshën 7 vjet, por e ka arritur falë dashurisë për profesionin vullnetit e motivit për të pasur sukses.
Si nënë e katër fëmijëve, Fitorja thotë se edhe 10 vjet mund ta mbajë vetë biznesin, por se fëmijët e saj nuk beson se mund ta trashëgojnë qepjen, ndërsa menaxhimin po.
“Dhe dhjetë vjet do ta bëj, por nuk e shoh që fëmijët do ta marrin përsipër, sidomos qepjen. Mund të marrin dyqanin, por jo qepjen”, thotë ajo.
Vajza e Fitores është gjithashtu pjesë e policisë së Çikagos e ajo thotë se ka dhe shqiptarë të tjerë efektiv.