Figura e opozitës venezueliane Maria Corina Machado befasoi Komitetin e Nobelit duke njoftuar se ishte nisur drejt Oslos, pavarësisht kërcënimeve nga qeveria socialiste në Caracas se ajo do të konsiderohej “e arratisur” nëse largohej nga Venezuela. Edhe pse Machado nuk arriti të merrte pjesë në ceremoninë e Çmimit Nobel për Paqen të mërkurën, vajza e saj, Ana Corina Sosa Machado, e pranoi çmimin në emër të saj dhe lexoi fjalimin që e ëma kishte përgatitur.
“Edhe pse ajo nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e sotme, jemi thellësisht të lumtur të konfirmojmë se është e sigurt dhe se do të jetë me ne në Oslo,” njoftoi Instituti Nobel i Norvegjisë.
Në fjalimin e lexuar, Machado theksoi rëndësinë e demokracisë si themel i paqes:
“Kjo na kujton se demokracia është thelbësore për paqen. Dhe mësimi më i rëndësishëm që venezuelianët mund t’i japin botës është ky: Nëse duam demokraci, duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për lirinë.”
“Liria,” vijonte fjalimi, “fitohet çdo ditë, për sa kohë jemi të gatshëm ta mbrojmë. Kjo është arsyeja pse kauza e Venezuelës shkon përtej kufijve tanë. Një popull që zgjedh të jetë i lirë, jo vetëm çlirohet vetë, por kontribuon për gjithë njerëzimin.”
Pse Machado nuk mori pjesë në ceremoninë e Nobelit?
Machado është shfaqur në publik vetëm një herë që prej gushtit të vitit të kaluar, kur shkoi në ilegalitet gjatë përplasjes politike me presidentin Nicolás Maduro. Prokurori i Përgjithshëm i Venezuelës paralajmëroi se 58-vjeçarja do të shpallej e arratisur nëse largohej nga vendi për të marrë çmimin.
Derisa Instituti Nobel njoftoi se Machado ishte rrugës për në Oslo, mbeti e paqartë nëse ajo do të merrte pjesë në ceremoni ,gjë që në fund nuk ndodhi. Ceremonia ishte planifikuar të mbahej në orën 13:00.
Machado u përzgjodh fituese e këtij viti për kontributin e saj në “krijimin e një tranzicioni të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci” në Venezuelë.
Ajo u fsheh pas zgjedhjeve që i dhanë Maduron një mandat të tretë rezultate që nuk u njohën nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe disa qeveri të Amerikës Latine.
Instituti Nobel kishte planifikuar që Machado ta merrte çmimin personalisht, së bashku me medaljen e artë, diplomën dhe shumën prej 1.2 milionë dollarësh, si dhe një konferencë shtypi, të gjitha më pas të anuluara.
Në Oslo kishin mbërritur tashmë venezuelianë të mërguar, përfshirë Urrutian, si dhe presidentët e Argjentinës, Panamasë, Ekuadorit dhe Paraguajit.
Në fjalimin e saj, Machado iu referua historisë politike të Venezuelës që nga zgjedhja e Hugo Chávez në vitin 1999.
“Kur orkestruesi i një grushti shteti kundër demokracisë u zgjodh president, shumë menduan se karizma mund të zëvendësonte sundimin e ligjit.”
“Kur kuptuam se sa të brishta ishin bërë institucionet tona,” shtoi ajo, “ishte tashmë tepër vonë.”
