Fjalori i madh i gjuhës shqipe, për të cilin është duke u punuar nga viti 2021, do të përmbajë mbi 110 mijë fjalë dhe mbi 11 500 shprehje frazeologjike dhe do të jetë gati vitin që vjen në formë elektronike për të vijuar më tej edhe me proçesin e printimit.
Gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë të zhvilluar në universitetin Fan Noli, prof.dr Ali Jashari pjesë e grupit të punës që është marrë me hartimin e këtij fjalori tha se për këtë fjalor është angazhuar një grup i madh specialistësh dhe pjesë e tij do të jetë edhe arbërishtja.
“Kjo zbrazëti që duket nga 1980 deri në vitin 2023, jo se s’janë botuar fjalorë, janë botuar e janë pasuruar me fjalë të reja si ai i 2006 apo 2020, janë bërë shumë botime leksikografike që shërbyen si bazë për ndërtimin e këtij fjalori të madh. Vetë kartoteka elektronike që u krijua me punën e hartuesve për 1 vit e ca, ishte baza kryesore ku mbështetet pikërisht hartimi i këtij fjalori. Nëse themi që ka kaq fjalë dhe kaq shprehje, do të thotë që është një bazë e dokument real ku janë mbështetur hartuesit. Fjalori ka përmbi 110 mijë fjalë, pa llogaritur kuptimet, sepse një fjalë ka disa kuptime dhe këto janë fjalë më vete, ka rreth 11.500 shprehje frazeologjike dhe shumë njësi të tjera ligjërimi si sinonime, antonime, homonime etj. Deri tani themi se ka përfunduar puna më e madhe hartuese e më pas vijnë proceset e tjera, së shpejti do të fillojë korrektimi, redaktimi dhe botimi do të jetë brenda vitit 2024”, u shpreh Dr. Ali Jashari, anëtar i grupit të punës.
Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe hedh për herë të parë në përdorim një pasuri kaq të larmishme jo vetëm nga numri i fjalëve dhe i shprehjeve, por edhe i njësive të tjera gjuhësore, edhe nga pasqyrimi i të gjithë shtresave të leksikut të shqipes që nga shekulli i 16-17-të deri në ditët tona.