Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi Deklaratën Përfundimtare të Misionit të Nenit IV për Shqipërinë, pas vizitës së zhvilluar në Tiranë më 4–14 nëntor 2025. Ekipi i udhëhequr nga Anke Weber vlerëson se ekonomia shqiptare po shfaq një performancë të fortë, me rritje të lartë, inflacion të ulët dhe borxh publik në rënie. Sipas FMN-së, vendi ndodhet në një “pikë kthese” teksa qeveria po avancon reformat për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Megjithatë, misioni nënvizon se, përtej perspektivës afatshkurtër pozitive, Shqipëria përballet me sfida të thella strukturore që kërkojnë veprime të shpejta dhe të qëndrueshme. Produktiviteti i ulët, boshllëqet në arsim, mungesa e fuqisë punëtore dhe presionet mbi sistemin fiskal rrezikojnë të ngadalësojnë ritmin e integrimit europian.
FMN parashikon që ekonomia shqiptare do të rritet me 3.5% në vitin 2025 dhe 3.6% në 2026, kryesisht e nxitur nga konsumi privat dhe turizmi. Inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin 3% deri në fund të vitit 2026. Po ashtu, deficiti i llogarisë korrente parashikohet të mbetet i ulët, ndërsa rezervat valutore vlerësohen të forta.
Por balanca e rreziqeve po zhvendoset drejt kahut të poshtëm. Pasiguria gjeopolitike globale, korrigjimet e çmimeve të aseteve dhe goditjet e tregjeve financiare mund të prekin kërkesën e jashtme dhe kostot e financimit të borxhit shqiptar. Brenda vendit, emigrimi dhe mungesa e fuqisë punëtore mund të shtojnë presionet inflacioniste dhe të rëndojnë rritjen.
Presione në financat publike: FMN paralajmëron për “rreziqe të qëndrueshmërisë fiskale”
FMN pret një suficit të vogël primar në 2025–2026 dhe një borxh publik në rënie deri në 50% të PBB-së deri në vitin 2030. Megjithatë, presionet fiskale janë në rritje, veçanërisht nga:
-
plakja e popullsisë,
-
rritja e shpenzimeve për pensione dhe shëndetësi,
-
angazhimi për shpenzime të mbrojtjes deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2035,
-
nevoja për investime në arsim dhe përshtatje klimatike.
FMN kritikon ashpër propozimin për “Paqe Fiskale”, duke theksuar se fshirja e detyrimeve tatimore dhe pezullimi i auditimeve rrezikon të minojë pajtueshmërinë fiskore dhe të dëmtojë besueshmërinë e administratës tatimore.
Banka e Shqipërisë vlerësohet për menaxhimin stabil të inflacionit, por FMN thekson se:
-
kursi i këmbimit duhet të jetë më fleksibël si amortizator goditjesh,
-
ndërhyrjet në tregun valutor duhet të jenë të rralla,
-
linja e kreditimit të subvencionuar nga banka qendrore mund të çojë në alokime joefikase dhe duhet rishikuar.
FMN rekomandon që BSH të vijojë të përdorë normat e interesit si instrumentin kryesor të stabilitetit të çmimeve.
Sistemi bankar shqiptar mbetet likuid dhe i mirëkapitalizuar, por FMN ngre disa shqetësime:
-
ekspozim i lartë ndaj borxhit publik,
-
rritje e shpejtë e huasë për pasuri të paluajtshme,
-
norma e lartë e kredive në valutë.
FMN kërkon standarde më të forta mbikëqyrëse dhe rregulla të bazuara në rrezik, dhe paralajmëron që Banka Shqiptare e Zhvillimit mund të shtojë kompleksitet dhe rreziqe nëse nuk vendosen mekanizma të forta qeverisjeje.
Reformat strukturore: Shqipëria duhet të tejkalojë “ngërçin e produktivitetit”
FMN thotë se prodhimi për orë pune në Shqipëri mbetet dukshëm nën nivelin e BE-së dhe nuk ka pasur përmirësime të dukshme në dekadën e fundit. Për të rritur produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, rekomandohen:
-
reforma të thella në arsim, trajnime profesionale dhe digjitalizim,
-
ulje e informalitetit dhe rritje e pjesëmarrjes në tregun e punës,
-
përmirësim i klimës së biznesit dhe reduktim i burokracisë,
-
forcim i institucioneve të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit,
-
rritje e investimeve në inovacion dhe teknologji.
FMN thekson se përparimi në sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve është vendimtar për të tërhequr investime cilësore dhe për të shmangur kapacitetet e “stanjacionit ekonomik”.
