Panorea Ballaci është themeluesja e “Folklor Souvenirs”, një startup që synon të krijojë suvenire turistike të veçanta ku bashkohen tradita dhe inovacioni. Kjo iniciativë e re ka marrë pjesë së fundmi në Women Startup Competition Albania, ku Ballaci ndau vizionin e saj për të bërë që çdo destinacion turistik shqiptar të ketë suveniret e veta unike.
“Folklor Souvenirs” është një ide biznesi e mbështetur në vitin 2019 nga New Media Communications, që kontribuoi në krijimin e website-it dhe logos. Aktualisht, startup-i është në fazën e zhvillimit të produktit, ku sfida kryesore ka qenë krijimi i katalogut të artizanëve dhe përzgjedhja e produkteve për reklamim në Instagram.
“Nuk kishim përcaktuar një plan shitjeje afatgjatë dhe një plan marketingu”, thekson Ballaci.
Ekipi i “Folklor Souvenirs” po punon aktualisht në dizajnimin grafik të veshjeve tradicionale të Tiranës, të cilat do të stampohen në magnete.
“Kemi kontaktuar edhe një agjenci udhëtimi për të shitur magnetet e para”, shprehet Ballaci.
Startup-i është i udhëhequr nga vlerat e kreativitetit dhe përkushtimit për cilësinë dhe origjinalitetin e produkteve.
“Besojmë se Shqipëria ka nevojë për më shumë suvenire që promovojnë, njohin dhe kujtojnë vendin tonë. Turistët dhe emigrantët që kthehen me mall për Shqipërinë duhet të marrin me vete kujtimet që i rikthejnë përsëri”, thekson themeluesja e “Folklor Souvenirs”.
Ky startup synon të ofrojë suvenire cilësore që promovojnë kostumografinë shqiptare dhe identitetin kombëtar. Gjatë muajit të ardhshëm, “Folklor Souvenirs” do të testojë produktin e parë turistik, magnetin me veshjen tradicionale të Tiranës, dhe do të presë reagimin e vizitorëve vendas dhe të huaj.
Panorea ndihet e lumtur me krijimin e produkteve të reja dhe beson se në të ardhmen ato do të jenë të pranishme në treg. Objektivi i startup-it për tre vitet e ardhshme është të ketë bashkëpunime me të paktën 50 agjenci udhëtimi dhe 50 dyqane suveniresh, duke bërë që “Folklor Souvenirs” të jetë një emër i njohur në promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare përmes suvenirëve.