Intervistoi: Albana Muçaj
Lauren Foundos, sipërmarrëse amerikane me origjinë shqiptare, la karrierën e saj në Wall Street për t’u rikthyer tek rrënjët e karrierës së saj (sporti) dhe për të bërë hapa më kuptimplotë. Startup-i i saj “FORTË”, që bashkon sportin me teknologjinë, u ble së fundi nga Echelon Fitness, duke hapur rrugën për një shtrirje globale.
Në një intervistë për Va-Spas, Lauren na flet për punën e saj me startupin që mban emër shqiptar, i cili që në fillim arriti të fitojë besimin e investitorëve, duke siguruar 17 milionë dollarë financime, deri tek vlerësimet që ka marrë nga bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak.
A mund të na tregoni pak për udhëtimin tuaj si sipërmarrëse? Si nisi FORTË dhe si e zhvilluat ndër vite?
E nisa FORTË sepse doja të bashkoja dy botë që gjithmonë i kam dashur – sportin/fitnesin dhe teknologjinë.
Kur punoja në Wall Street, ditët ishin të gjata e të lodhshme dhe shumicën e netëve i kaloja me klientë. Kisha ndjesinë se po humbja veten, ndaj u ktheva tek rrënjët e mia si sportiste dhe fillova t’i jepja prioritet aktivitetit fizik. Nisa t’i ftoja klientët të stërviteshin me mua, dhe shumë shpejt zbulova se kjo u pëlqente më shumë sesa darkat apo pijet. Shpejt kisha një grup që më bashkohej çdo mbrëmje. Teksa u futa më thellë në industrinë e fitnesit, u bë e qartë që pak gjëra kishin ndryshuar ndër vite dhe industria kishte nevojë për një transformim.
E dija që e ardhmja e fitnesit do të dukej ndryshe dhe doja të isha pjesë e saj. Nuk doja të isha ajo që thotë, “E dija që kjo do të ndodhte,” por që nuk veprova kurrë. Pas një dekade në Wall Street, kuptova se doja të ndërtoja diçka me kuptim, që të kishte ndikim pozitiv në jetët e njerëzve.
Ideja e FORTË ishte e thjeshtë, por e fuqishme: të sillte energjinë dhe përgjegjësinë e klasave të fitnesit live në botën dixhitale, duke u dhënë palestrave, markave dhe ekipeve sportive mundësinë të arrijnë përtej mureve të tyre. Fillova biseda me kompani fitnesi për të testuar idenë dhe, për habinë time, ata u interesuan. Në fillim u ndjeva e frikësuar, sepse nuk e dija si të ndërtoja një biznes, aq më pak një kompani teknologjie. Por e dija që bota po ndryshonte me shpejtësi dhe isha e vendosur të isha pjesë e atij ndryshimi.
Në fillimet e saj, e financova vetë kompaninë, binda investitorë dhe partnerë kryesorë të besonin tek vizioni, dhe e ktheva atë në një platformë që shërbente palestra, studio, klube shëndeti dhe ekipe sportive anembanë botës. Ajo u rrit hap pas hapi, fillimisht me fitore të vogla, pastaj me partneritete më të mëdha, por gjithmonë me këmbëngulje dhe besim në mision.
Të ndërtosh një kompani në një industri që e do, e bën punën të mos ndihet si punë. FORTË i bëri jetët e njerëzve më të shëndetshme dhe më të forta, ndërkohë që ndihmoi bizneset të lulëzojnë. Shpejt kuptova se edhe pse puna ime e vjetër ishte fitimprurëse, kishte shumë më tepër vlerë në një punë që ndryshon jetën e njerëzve çdo ditë.
Hapi më i rëndësishëm për të nisur një kompani është i thjeshtë: thjesht bëje. Nuk do të ketë kurrë një moment të përsosur. Fillo punën, mëso gjatë rrugës, dhe pa marrë parasysh ku do të përfundosh, do të jesh më mirë.
Cilat ishin sfidat kryesore për të siguruar suksesin, dhe ku gjetët forcën dhe mbështetjen për t’i kapërcyer ato?
Lauren Foundos: Çdo startup përballet me sfida, sigurimin e financimeve, bindjen e njerëzve të marrin një shans me ty dhe konkurrimin me kompani me buxhete shumë më të mëdha. Nuk ekziston një startup, apo një person i suksesshëm në botë që e ka pasur të lehtë ose që thjesht “ka pasur fat,” ndaj hiqeni këtë mendim nga koka. Pas çdo historie suksesi qëndrojnë punë e palodhur, këmbëngulje dhe ulje-ngritje pafund.
Këshilla ime më e mirë është të përqendrohesh tek fitoret e vogla çdo ditë dhe ta fillosh mëngjesin me detyrën që do të doje më pak ta bëje, gjithçka tjetër duket më e lehtë pas saj. Nuk mund të lejoni vonesa, ose të shtyni punën kur ndërtoni një kompani. Nëse ndaloni apo ngadalësoni, ndalet edhe biznesi juaj. Vazhdoni të lëvizni, edhe kur është e vështirë. Do të ketë kohë të vështira, por nëse punoni për fitore të vogla, ato do të vijnë dhe momenti do të ndryshojë. Siç kam thënë, kohët e mira vijnë dhe ikin – duhet të jeni të përgatitur të dëgjoni pafund “Jo”, të përballeni me pengesa dhe ta gjeni shumëfish më të vështirë nga ç’e kishit menduar. Nëse do të ishte e lehtë, të gjithë do ta bënin.
Për mua, një nga pjesët më të vështira ishte fakti që ishim shumë herët në treg. Industria nuk ishte gati për inovacionin që po propozoja. Kur e nisa FORTË, stërvitjet në transmetim online nuk ishin ende të zakonshme, ndaj u desh arsimim i vazhdueshëm dhe këmbëngulje. Pastaj erdhi pandemia, dhe palestrat u detyruan të pranonin teknologjinë. Kjo ndihmoi rritjen e biznesit, por nuk ishte historia emocionuese e rritjes që kisha parashikuar, ishte lindur nga dëshpërimi, teksa bizneset po përpiqeshin vetëm të mbijetonin.
Forcën e mora nga e kaluara ime si sportiste, disiplina, qëndrueshmëria dhe mentaliteti që kur gjërat bëhen të vështira, ti shtyn më fort. U mbështeta shumë tek mentorët, investitorët dhe ekipi i jashtëzakonshëm që besonte tek vizioni. Dhe trashëgimia ime shqiptare, sidomos babai im, i cili emigroi në SHBA, ndoqi studimet në Harvard Business School dhe ndërtoi një biznes në industrinë e naftës me vëllain e tij. Ai ishte gjithmonë një kujtesë që sfidat mund të kapërcehen me forcë dhe vendosmëri. Babai im u përball me pengesa të paimagjinueshme, por gjithsesi ndërtoi diçka me kuptim. Kjo më dha bindjen se mund të bëja të njëjtën gjë, dhe më ushqeu vendosmërinë për ta kthyer këtë në sukses dhe për t’i bërë krenarë veten dhe familjen time.
Çfarë arriti FORTË deri në momentin që u shit? Për çfarë jeni më krenare?
Deri në momentin që FORTË u ble nga Echelon Fitness në korrik 2025, ne po fuqizonim përvojën dixhitale të aplikacioneve për marka të mëdha globale si UFC Gym, Curves, Exhale Spa dhe shumë të tjera anembanë botës. Ne krijuam një zgjidhje hibride “gati për përdorim” që u mundësonte palestrave të arrinin anëtarët kudo dhe në çdo kohë. Jam më krenare për faktin se ndërtuam diçka që vërtet bëri diferencë për industrinë, dhe e arritëm këtë si një startup relativisht i vogël që konkurronte me gjigantë. Të shihje platformën tonë të adoptohej në këtë shkallë dhe të dije që ndihmuam në formësimin e së ardhmes së fitnesit, është diçka për të cilën do të jem gjithmonë krenare.
Ne arritëm të siguronim mbi 17 milionë dollarë kapital nga investitorë të njohur si Elysian Park, Seventy Six Capital, R/GA Ventures, The W Fund, Golden Seeds, How Women Invest, LA Dodgers, Billie Jean King (teniste profesionale), Lance Bass (nga NSYNC), Rosie Rios (që vinte nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara), dhe Matthew Dellavedova (ish-lojtar NBA me Cleveland Cavaliers kampion), mes shumë të tjerëve. Të kisha mbështetjen e këtyre investitorëve dhe liderëve të jashtëzakonshëm në fushat e tyre ishte nderi më i madh i jetës sime.
Një moment që më la pa fjalë dhe që nuk do ta harroj kurrë ishte kur Steve Wozniak (bashkëthemeluesi i Apple) më tha se ishte i nderuar të më takonte dhe se kisha mbajtur një prezantim “të fortë dhe të plotë, si një CEO i madh”. Ky moment më la të mahnitur, sepse bashkëthemeluesi i tij ishte Steve Jobs, – vizionari dhe shitësi më i madh i të gjitha kohërave.
📺 Shihni episodin e plotë këtu: https://youtu.be/NpSI7Gs7ALM?si=o9eZZZjvvUY72lam
Është e lehtë, kur je i zhytur në punë pa pushim, të harrosh të ndalesh dhe të vlerësosh sa larg ke ardhur, ose të kuptosh sa të jashtëzakonshme janë këto përvoja. Por, është e rëndësishme të ndalosh, t’i thuash vetes “punë e paçme” dhe të njohësh fitoret e mëdha dhe momentet e veçanta. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Nuk ka të bëjë vetëm me destinacioni, ka të bëjë me udhëtimin.
A mund të ndani disa detaje mbi shitjen? A do të vazhdoni të jeni e përfshirë në të dhe si pritet të zhvillohet më tej FORTE?
Pas një udhëtimi të jashtëzakonshëm dhjetëvjeçar, FORTË u ble nga Echelon Fitness, një lider në fushën e fitnesit të lidhur si në tregun e shtëpive ashtu edhe në atë komercial. Edhe pse nuk mund të zbuloj detajet financiare të shitjes, ne jemi jashtëzakonisht të entuziazmuar për këtë blerje, sepse na ofron burime që nuk i kishim më pare, duke përfshirë studiot filmike globale në Tennessee, Miami dhe Dubai; linja pajisjesh të lidhura për shtëpi dhe biznese; disa produkte softuerike; një kompani GLP-1; platformë për trajnime personale, dhe shumë të tjera.
Historikisht, Echelon ka qenë një kompani e fokusuar në konsumatorin individual, por tani po zgjerohet fuqishëm në tregun B2B dhe pikërisht për këtë arsye na blenë. Me FORTË tashmë pjesë e një ekosistemi më të madh, teknologjia dhe vizioni ynë kanë mundësinë të rriten në një skenë akoma më të gjerë.
Pas blerjes, unë u bëra Presidente në Echelon, ku po ndihmoj në integrimin e teknologjisë së FORTË, zgjerimin e ndikimit të saj dhe drejtimin e shitjeve të produkteve softuerike në të gjithë kompaninë. Ndihem e nderuar që jam pjesë e një ekipi kaq inovativ. Platforma është riemëruar si Elevate by Echelon, dhe besoj se e ardhmja është shumë e ndritshme – tani kemi mundësi të ofrojmë zgjidhje hibride fitnesi nga fillimi deri në fund, në shkallë të gjerë, gjë që ka qenë gjithmonë ëndrra jonë.
Me angazhimin tuaj të fortë në sport, cilat praktika apo cilësi nga atletika i gjeni po aq të vlefshme edhe në biznes? A besoni se sporti ju ka ndihmuar në ndërtimin e biznesit?
Absolutisht. Sporti ka qenë themeli i mënyrës time të të menduarit si sipërmarrëse. Si lojtare e Division I në hokej në fushë, mësova vlerën e disiplinës, punës në grup dhe këmbënguljes. Në sport nuk fiton çdo ndeshje, por mëson nga secila prej tyre. Mëson të ngrihesh pas një humbjeje të vështirë dhe të vazhdosh, që është pikërisht ajo që duhet të bësh ditë pas dite si themelues biznesi.
Ky mentalitet u përkthye drejtpërdrejt në ndërtimin e biznesit: aftësia për të vazhduar edhe kur gjërat bëhen të vështira, për të përshtatur strategjinë kur diçka nuk funksionon, dhe për të udhëhequr një ekip drejt një qëllimi të përbashkët. Nuk mund të fitosh vetëm. Ndërtimi, drejtimi dhe bashkëpunimi me ekipin janë thelbësore për suksesin, dhe këto janë aftësi që i zhvillon si sportist në sportet kolektive. Sporti gjithashtu më dha vetëbesim, bindjen se nëse punon fort, rezultatet do të vijnë.
A e dini se 94% e grave në pozita ekzekutive C-suite kanë luajtur sport, shumë prej tyre në nivel universitar? Kjo tregon lidhjen e fortë mes eksperiencës sportive dhe suksesit në lidership dhe të dhënat e mbështesin plotësisht këtë.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen? A keni ruajtur lidhjet me Shqipërinë, apo keni ndërmend t’i ruani?
Për momentin, jam e përqendruar në rolin tim të ri në Echelon, si dhe në vazhdimin e rritjes së Elevate (ish-FORTË) dhe në nxitjen e inovacionit në industrinë e fitnesit dhe mirëqenies. Jam e emocionuar për linjat e reja të produkteve që po lançojmë në Echelon dhe besoj sinqerisht se mund t’u ofrojmë markave një eksperiencë të integruar nga fillimi deri në fund, që u vjen në ndihmë klientëve aty ku ata janë dhe përdor teknologjinë për të përmirësuar jetën e tyre përtej palestrës, sidomos tani që konsumatorët janë më të fokusuar në mirëqenien e përgjithshme.
Përtej biznesit, kam pasion të përdor përvojën time për të mentoruar dhe mbështetur gjeneratën e ardhshme të sipërmarrësve dhe sportistëve. Përpiqem t’i përgjigjem çdo mesazhi që marr dhe të gjej kohë për të mbështetur të tjerët. E di si është të fillosh nga e para dhe sa e vlefshme është të kesh mentorë të fortë dhe këshilla të mira, prandaj e kam për detyrë ta përcjell këtë më tej, brenda komunitetit shqiptar, me studentët e Universitetit të Marylandit, dhe sa herë që shfaqet një mundësi. Prindërit e mi kanë qenë një shembull i jashtëzakonshëm për mua. Ata janë të përkushtuar ndaj komunitetit shqiptar, kishës dhe të gjitha organizatave që mbështesin. Ata janë idhujt e mi, dhe tani që jam më e rritur, kuptoj sa me fat kam qenë t’i kem ata si shembull gjatë gjithë jetës. Trashëgimia ime shqiptare është një pjesë e madhe e asaj që jam, dhe jam shumë krenare për të. Siç e dini, FORTË (ose “i fortë”) në shqip do të thotë i fuqishëm. Emri i kompanisë sime është një homazh për atdheun e prindërve të mi, për trashëgiminë time dhe për njerëzit e fortë të Shqipërisë. Kam ruajtur lidhjet me komunitetin shqiptar si në SHBA ashtu edhe jashtë saj, dhe përpiqem gjithmonë të jem e angazhuar e të kontribuoj kudo që mundem. Besoj se ka shumë mundësi për të mbështetur rininë shqiptare – në sport, biznes dhe teknologji.
Të qenët shqiptaro-amerikane, për mua, do të thotë të punosh më shumë se kushdo rreth teje, të mos i marrësh kurrë si të mirëqena mundësitë që të jepen, dhe ta përballosh jetën me mendësinë se dështimi nuk është opsion. Mendoj se shumica e shqiptaro-amerikanëve do të pajtoheshin me këtë.
Jam gjithashtu e lumtur që do të kem më shumë kohë për familjen dhe miqtë, sepse në fund të ditës, gjëja më e rëndësishme në jetë janë njerëzit që do dhe ata që të rrethojnë.
Çfarë mesazhi do të dëshironit të ndani me ata që duan të hyjnë në botën e biznesit, veçanërisht me të rinjtë sipërmarrës që drejtojnë startup-e dhe synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregjet ndërkombëtare?
Këshilla ime është e thjeshtë: besoni tek vetja dhe mos u dorëzoni. Nëse nuk besoni tek vetja, askush tjetër nuk do ta bëjë. Askush nuk e njeh kompaninë tuaj më mirë se ju, prandaj besoni përvojës suaj, ju kaloni çdo ditë duke menduar për problemin që po përpiqeni të zgjidhni. Ndërtimi i një biznesi nuk është kurrë i lehtë, por këmbëngulja shpesh është diferenca mes suksesit dhe dështimit. Rrethojeni veten me njerëz që ju frymëzojnë, qëndroni të disiplinuar dhe mos kini frikë të rrezikoni. Dhe mbani mend, nuk ka rëndësi sa herë bini – rëndësi ka sa herë ngriheni përsëri.
Për sipërmarrësit shqiptarë në veçanti, dijeni që prejardhja juaj, qëndrueshmëria juaj dhe kultura juaj janë të gjitha forca. Përdorini ato për të ushqyer udhëtimin tuaj dhe synoni lart, sepse bota po pret idetë tuaja.