Franca përballë pasigurisë politike dhe mundësisë së kolapsit të qeverisë

Një krizë e thellë politike pritet në Francë, pasi qeveria e Presidentit Emmanuel Macron po i afrohet një kolapsi të mundshëm. Michel Barnier, i emëruar nga Macron si kryeministër pas zgjedhjeve parlamentare të pasuksesshme të korrikut, do të përballet me një mocion mosbesimi në lidhje me buxhetin, një votë që duket se do ta humbë.

Siç e tha deputeti i majtë Alexis Corbière në Asamblenë Kombëtare: “Ky është fundi për Barnier. Ai do të largohet.”

Me një shumicë të pamundur dhe me një opozitë të fuqishme, Barnier rrezikon të kalojë në histori si kryeministri që ka qëndruar më pak në Republikën e Pestë të Francës.

Qeveria e Barnier është një qeveri në pakicë, ku mbijetesën e saj e ka varur nga mbështetja e forcave politike të ndryshme, duke përfshirë grupin konservator dhe Macronistët, por ky bllok ka qenë gjithmonë i tejkaluar nga opozita e majtë dhe e djathta populiste. Kur këto dy forca bashkohen, numrat janë të pafavorshëm dhe Barnier do të bjerë.

Përveçse një krizë që ka qenë e pashmangshme, ajo është vonuar për shkak të diskutimeve të gjata dhe procedurave mbi buxhetin e vitit 2025. Kur Barnier mori detyrën në shtator, propozoi planin për uljen e deficitit me 60 miliardë euro, i cili do të mundësonte rinovimin e financave të shtetit dhe përmbushjen e kërkesave të Brukselit. Megjithatë, për shkak të mungesës së shumicës, buxheti i tij u modifikua nga amendamentet e opozitës, duke shtuar shpenzime dhe hequr taksa, duke ndryshuar natyrën e tij.

Pasi kaloi një periudhë të gjatë negociatash me Senatin, Barnier solli një version të ri të buxhetit, por ai mbeti i papranueshëm për opozitën. Marine Le Pen, e cila mund të kishte shpëtuar Barnier, duke mbështetur buxhetin, bëri një sërë kërkesash të reja, përfshirë heqjen e taksës mbi energjinë dhe rikthimin e pensioneve të indeksuara plotësisht. Barnier u tërhoq, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar mbështetje, dhe tani Le Pen është e gatshme të tërheqë mbështetjen e saj, duke rrezikuar rrëzimin e tij.

Barnier dhe mbështetësit e tij kanë apeluar tek “skenari i kaosit”, duke argumentuar se një krizë e re qeveritare do të çonte në pasiguri të thellë për ekonominë franceze. Ata kanë shtruar pyeten se: kush mund të dëshirojë të marrë përgjegjësinë për pasojat e një tjetër periudhe  pasigurie, përfshirë rritjen e kostos së huamarrjes dhe pasigurinë në tregjet financiare?!”.

Megjithatë, Le Pen ka thënë se, frika nga një katastrofë është e tepruar dhe se Franca mund të menaxhojë çështjet përkohësisht me dekret. Sipas saj, edhe nëse Barnier rrëzohet, ai mund të mbetet në detyrë si kujdestar, ndërkohë që Macron (i cili është jashtë vendit këtë javë) do të kërkojë një pasues. Kjo mund të marrë disa javë, siç ndodhi pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022, kur Gabriel Attal mbajti postin deri në shtator.

Ndërkohë, mund të kalojë një ligj i veçantë që do të mundësojë kalimin e buxhetit të vitit 2024 në vitin 2025, për të siguruar pagat e punonjësve të administratës dhe për të garantuar funksionimin e spitaleve. Një qeveri e re mund të miratojë më vonë një “buxhet korrigjues” për të vendosur financat në një binar më të qëndrueshëm.

Por, më e rëndësishmja, kjo krizë po zbulon një realitet të hidhur: ajo që u konsiderua një krizë kalimtare pas shpërbërjes së parlamentit nga Macron në qershor është bërë një pasiguri e thellë dhe kronike. Nëse Barnier, si negociatori i konsensusit, ka dështuar, kjo tregon se zgjidhja për këtë situatë është shumë më e vështirë se ç’kishte menduar Macron.

Nuk mund të mbahen zgjedhje të reja deri në korrik dhe një qeveri e qëndrueshme duket e paarritshme për momentin. Disa analistë sugjerojnë që një largim i mundshëm i Macron mund të jetë i nevojshëm për të shpëtuar vendin nga ky kaos. Deri tani, kjo është konsideruar si një fantazi politike, por sa mund ta përballojë Franca këtë pasiguri?

bbc.com

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top