protesta

Francë: 800 mijë qytetarë në protesta kundër shkurtimeve buxhetore, sindikatat në unitet të rrallë

Rreth 800 mijë njerëz pritet të dalin në rrugë këtë të enjte në Francë, duke e kthyer protestën kundër planeve buxhetore në një nga grevat më të mëdha të viteve të fundit. Mësues, punonjës të transportit, stafi i spitaleve, farmacistë dhe punonjës të sektorit publik i janë bashkuar grevës, ndërsa sindikatat kërkojnë që qeveria e re të rishqyrtojë shkurtimet buxhetore dhe të veprojë për pagat, pensionet dhe shërbimet publike.

Demonstrata në gjithë vendin

Sipas autoriteteve, 800 mijë vetë pritej të merrnin pjesë në mbi 250 marshime të organizuara në mbarë vendin. Që në orën 07:00 të mëngjesit, depot e autobusëve në Paris dhe në Francën veriore u bllokuan, ndërsa nxënës ngritën barrikada në disa shkolla të kryeqytetit dhe qyteteve si Amiens dhe Le Havre. Transporti hekurudhor dhe ajror u paralizua, teksa mbi 80 mijë forca policore u dislokuan për të mbajtur nën kontroll situatën.

Kjo ditë protestash cilësohet si më e madhja që prej vitit 2023, kur francezët dolën masivisht kundër vendimit të presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç pa një votim në parlament.

Perrine Mohr, përfaqësuese e sindikatës së moderuar CFDT, tha për radion publike se prej vitit 2017 “qeveria ka qenë më shumë pro-bizneseve, me ulje taksash dhe ndihma të pakushtëzuara për to. Tani kërkojmë një qeveri më pro-punëtorëve dhe qytetarëve”.

Krizë politike dhe qeveri e brishtë

Greva vjen në një moment krize politike, vetëm pak ditë pasi Macron emëroi si kryeministër Sébastien Lecornu aleatin e tij të ngushtë dhe të tretin që merr këtë post brenda një viti. Dy pararendësit e tij, François Bayrou dhe Michel Barnier, u rrëzuan nga parlamenti për shkak të përplasjeve mbi buxhetin.

Lecornu, i cili më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes, nis mandatin me popullaritet shumë të ulët. Ai ka premtuar një “ndarje të thellë me politikat e së kaluarës”, por opozita është skeptike. Bayrou, paraardhësi i tij, u rrëzua pas një votë mosbesimi mbi planin për një paketë shtrënguese prej 44 miliardë eurosh. Lecornu ka deklaruar se nuk do të zbatojë idenë e heqjes së dy festave publike, por sindikatat druhen se masat e tjera shtrënguese, si ngrirja e shpenzimeve sociale mund të mbeten në fuqi.

Në javët e ardhshme, kryeministri i ri duhet të paraqesë tekstin e buxhetit dhe të formojë një qeveri të re minoritare, duke shmangur rrezikun e një votë mosbesimi që mund ta rrëzojë sërish ekzekutivin. Pas zgjedhjeve të parakohshme të qershorit 2024, parlamenti francez mbetet i ndarë mes të majtës, ekstremit të djathtë dhe qendrës, pa asnjë shumicë absolute.

Presioni i opozitës dhe i tregjeve

Partia Socialiste ka kërkuar t’i jepet fund shkurtimeve të ashpra dhe të vendosen kontribute më të drejta për më të pasurit. Lideri i saj, Olivier Faure, paralajmëroi se nëse Lecornu nuk dëgjon, socialistët mund të mbështesin një mocion mosbesimi. Nga ana tjetër, liderja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, tha pas një takimi me kryeministrin: “Nëse ai vazhdon të njëjtën politikë, do të bjerë.”

Franca është nën presion për të ulur deficitin buxhetor – pothuajse dyfish i tavanit prej 3% të BE-së dhe një borxh publik që ka arritur në 114% të PBB-së. Agjencia e vlerësimit Fitch e uli javën e kaluar kredinë e Francës, duke ngritur shqetësime për stabilitetin politik.

The Guardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top