thatësirë

Frika nga thatësira në Europë, ndërsa Maji ishte muaji i dytë më i nxehtë në botë

Të dhënat e reja nga Shërbimi Evropian për Ndryshimet Klimatike Copernicus (C3S) tregojnë se muaji maj ishte i dyti më i nxehtë ndonjëherë në nivel global, me temperatura 1.4°C mbi mesataren e periudhës para-industriale (1850–1900).

Në Europën veriperëndimore, pranvera ka qenë jashtëzakonisht e thatë, dhe shqetësimet për mungesë uji po rriten në disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Fermerët kanë nisur të raportojnë dështime të kulturave për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike.

Sipas Copernicus, temperatura mesatare globale e sipërfaqes së ajrit në maj 2025 ishte 15.79°C – rreth 0.53°C mbi mesataren e majit për periudhën 1991–2020. Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 1.4°C krahasuar me periudhën para-industriale, e përdorur si referencë për matjen e ngrohjes globale.

Megjithëse ky muaj ndërpret një periudhë 21-mujore ku temperaturat globale ishin mbi kufirin 1.5°C të përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit, ekspertët paralajmërojnë se ky nivel pritet të tejkalohet sërish së shpejti.

“Muaji maj 2025 ndërpret një seri të pazakontë muajsh me temperatura mbi 1.5°C krahasuar me periudhën para-industriale. Edhe pse kjo mund të duket si një lehtësim i përkohshëm për planetin, presim që ky nivel të tejkalohet përsëri për shkak të ngrohjes së vazhdueshme të sistemit klimatik”, tha Carlo Buontempo, drejtor i C3S në Qendrën Evropiane për Parashikime Afatmesme të Motit (ECMWF).

Ekspertët theksojnë se kufiri 1.5°C matet si mesatare në një periudhë 10–20-vjeçare, kështu që tejkalimi për një vit të vetëm nuk do të thotë se objektivi është humbur, por konfirmon përshkallëzimin e krizës klimatike. Çdo vit gjatë dekadës së fundit ka qenë ndër 10 më të nxehtit që nga viti 1850.

Thatësira ka prekur edhe pjesë të tjera të botës. Në maj 2025, pjesa më e madhe e Europës veriore dhe qendrore, si dhe rajone në Rusi, Ukrainë dhe Turqi, kishin reshje më të pakta se mesatarja. Në veriperëndim të Europës u regjistruan nivelet më të ulëta të reshjeve dhe lagështisë së tokës që prej vitit 1979.

Kushtet e thata u vunë re gjithashtu në Amerikën e Veriut, në Bririn e Afrikës, në Azi Qendrore, në jug të Australisë, si dhe në pjesë të mëdha të Afrikës jugore dhe Amerikës së Jugut.

Gjithashtu, në maj u regjistruan temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes së detit në Atlantikun verilindor – më të lartat ndonjëherë të matura, sipas Copernicus.

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top