Mbi 150 pjesëmarrës dhe 30 folës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës e bënë Tiranën qendrën e diskutimit të bordeve diligjente, fuqisë së diversitit të bordeve dhe fuqisë së grave në bordet drjetuese, në veçanti në fusha me rëndësi në ekonomi si inteligjenca artificiale, turizmi, energjia dhe shëndetësia.
Konferenca Vjetore e Women on Boards Albania nisi me një seancë plenare me figura të spikatura në fushën e diplomacisë ndërkombëtare, qeverisjes dhe drejtimit të sipërmarrjes private.
Në fjalën hapëse themeluesja dhe drejtuesja e WOB-AL, Albana Vrioni, theksoi faktin se, “në nivel global, gratë mbajnë 30.1% të vendeve në bordet drejtuese të korporatave kryesore. Në Evropë, pavarësisht direktivave të BE-së që kërkojnë përfaqësim prej 40% të grave në bordet korporative deri në vitin 2026, përparimi është ngadalësuar. Në Shqipëri, vetëm 6.2% e vendeve në bordet e dhjetë kompanive më të mëdha mbahen nga gra. Në sektorin bankar, ku kemi parë me shumë përparim, përfaqësimi i grave arrin deri në 44%, megjithatë ky sukses mbetet një rast i izoluar, që nuk është përsëritur gjerësisht në strukturen e biznesit tonë. Ndërsa edhe përfshirja e paktë e gruas në strukturat drejtuese të biznesit të madh është shqetësuese, mungesa e bordeve të mirë-strukturuar mbetet një çështje urgjente.
Kreu i delegacionit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato theksoi gjatë fjalës së tij se, Diligent Boards janë një portë e rëndësishme drejt rritjes ekonomike dhe një shoqërie të civilizuar. “Hapi i parë për t’u siguruar që zëri i grave të dëgjohet është të sigurohemi që ato të jenë të përfaqësuara në pjesë të ndryshme të shoqërisë. Vendosja e kuotave gjinore në qeverisjen korporative është thelbësore. Për të shërbyer në bordin drejtues të një kompanie, duhet që edhe gra të tjera të rriten dhe të mbështeten”, theksoi ai.
Ndërkohë, zv.Ministrja e Shëndetësisë, Entela Ramosaçaj tha gjatë fjalës së saj se, fuqizimi i bordeve drejtuese është edhe më i rëndësishëm në këtë periudhë kur jemi në prag të integrimit në BE.
Mesazhi i Edlira Muka, CEO e Grupit Balfin, ishte se qeverisja e kujdesshme përmes bordeve drejtuese të përgatitura dhe vizionare, është busulla për rritjen e Shqipërisë në të ardhmen. “Çdo vendim që marrim për të investuar në produkte të reja kërkon parime shumë të rëndësishme të qeverisjes. Qeverisja mundëson strategjinë. Për të pasur një strategji të mirë biznesi, duhet të kemi një qeverisje të mirë. Kur flasim për qeverisje, i referohemi besimit. Qeverisja është një urë drejt rritjes së ardhshme”.

Në panelin e dytë të diskutimit të këtij sesioni, drejtues të organizatave ndërkombëtare theksuan vizionin dhe angazhimet e tyre për të fuqizuar bordet drejtuese dhe strukturat e mirëqeverisjes. Në këtë drejtim, Sonja Kurz, drejtore e GIZ për Shqipërinë, foli për krijimin e një ekosistemi mbështetës përmes programeve të GIZ Albania.
Ndërkohë, Anette Juellund, CEO e European Women on Boards, tha gjatë fjalës së saj, tashmë vendet europiane, përfshirë Shqipërinë, duhet të kalojnë nga objektivi i plotësimi të kuotave, tek ajo e matjes se rezultatit përmes ndikimit që sjell angazhimi i më shumë grave ekspertë në bordet më të larta drejtuese.

Për Hagen Schweinitz, Kryetar i Charvet & Cie, bordet nevojitet të jenë aleatë strategjikë në planin e rritjes së një ekonomie, organizate.
Në seksionet e posaçme, temë e diskutimit ishin investimet dhe tregjet e kapitalit, shëndetësia, turizmi, dhe inteligjenca artificiale dhe cyber security.
Panelet theksuan nevojën e integrimit të praktikave dhe zgjedhjeve më të mira teknologjike, me burime njerëzore profesionale dhe liderë diligjentë, si forma më e mirë për të rritur konkurueshmërinë dhe produktivitetin.
Mesazhi i qartë i fjalëve dhe diskutimeve në këtë konferencë ishte se, e ardhmja e Shqipërisë varet nga lloji i udhëheqjes që ne do të sjellim në tryezën evropiane, e cila nevojitet të jetë gjithëpërfshirëse, e guximshme dhe e përkushtuar.
Ky është forumi i vetëm kombëtar që mbledh në një skenë drejtues bordesh, investitorë strategjikë, politikëbërës dhe ekspertë të qeverisjes nga Shqipëria, rajoni dhe bota, duke e pozicionuar vendin në hartën e eventeve të rëndësishme të qeverisjes korporative në rajon.

Women on Boards Albania (WOB-AL) është një organizatë kombëtare, e themeluar për të fuqizuar përfaqësimin e grave në bordet drejtuese dhe për të përmirësuar standardet e qeverisjes korporative në Shqipëri. E drejtuar nga Albana Vrioni, WOB-AL është pjesë e rrjetit European Women on Boards dhe bashkëpunon ngushtë me liderë të biznesit, institucione dhe ekspertë ndërkombëtarë. Misioni i saj është të krijojë një ekosistem gjithëpërfshirës, ku bordet janë më të balancuara, vendimmarrja më e përgjegjshme dhe lidershipi më vizionar, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Për më shumë info kontakto
www.wobal.org
