Gjykata më e lartë e Bashkimit Europian vuri në dyshim të premten legjitimitetin e listës së “vendeve të sigurta” që Italia përdor për të dërguar emigrantët në Shqipëri dhe për të përshpejtuar shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil, një goditje e re për një nga shtyllat kryesore të politikës italiane për emigracionin.
Zyra e Kryeministres konservatore Giorgia Meloni e cilësoi vendimin e gjykatës si “befasues” dhe tha se ai “dobëson politikat për të luftuar emigracionin masiv ilegal dhe për të mbrojtur kufijtë kombëtarë”.
Avokati Dario Belluccio, i cili përfaqësoi një nga shtetasit e Bangladeshit në çështjen e paraqitur para Gjykatës Europiane të Drejtësisë (ECJ), deklaroi se skema për kampet e emigrantëve në Shqipëri praktikisht është rrëzuar.
“Pas këtij vendimi, nuk do të jetë më e mundur të vazhdohet me atë që kishte planifikuar qeveria italiane… Teknikisht, më duket se qasja e qeverisë është shkatërruar plotësisht,” tha ai për Reuters.
Meloni e kishte prezantuar zhvendosjen e procedurave të azilit drejt kampeve të ndërtuara në Shqipëri si gurthemel të qasjes së saj të ashpër ndaj emigracionit, dhe vende të tjera europiane e kishin parë këtë model si një mundësi për t’u ndjekur. Por plani hasi menjëherë në kundërshtime ligjore sapo u lançua vitin e kaluar. Gjykatat italiane urdhëruan kthimin e migrantëve të shpëtuar në det dhe të dërguar në Shqipëri, duke argumentuar se skema bie ndesh me ligjet e BE-së.
Vështirësi për të siguruar informacion për “vendet e sigurta”
Në vendimin e shumëpritur, Gjykata e Drejtësisë në Luksemburg tha se Italia ka të drejtë të përshpejtojë refuzimin e kërkesave për azil për shtetas që vijnë nga vende të klasifikuara si të “sigurta” një parim themelor i skemës shqiptare.
Megjithatë, gjykata theksoi se klasifikimi i një vendi si i sigurt duhet të përmbushë standarde ligjore shumë të rrepta dhe kërkuesit e azilit, si edhe gjykatat, duhet të kenë të drejtën të kenë qasje në provat përkatëse dhe të sfidojnë këtë klasifikim.
Në deklaratën e saj, ECJ tha se një gjykatë në Romë i ishte drejtuar gjykatës europiane, pasi ishte e pamundur të sigurohej informacion mbi arsyetimin e listës së vendeve të sigurta, duke penguar kështu mundësinë e sfidimit të saj dhe të vlerësimit të ligjshmërisë.
Gjykata shtoi gjithashtu se një vend nuk mund të klasifikohet si “i sigurt” nëse nuk ofron mbrojtje të përshtatshme për të gjithë popullsinë e vet, një argument që ishte ngritur më parë edhe nga gjykatat italiane.
Paralajmërimi i Melonit për tejkalim nga ana e gjyqësorit
Zyra e Melonit kritikoi vendimin e BE-së, duke pretenduar se ai i jep pushtet të tepruar gjykatave kombëtare për të përcaktuar politika emigracioni, duke “e reduktuar edhe më tej” aftësinë e parlamentit dhe qeverisë për të marrë vendime në këtë fushë.
“Kjo është një zhvillim që duhet të shqetësojë të gjithë,” thuhej në deklaratë.
Rasti i paraqitur në ECJ përfshinte dy shtetas nga Bangladeshi të cilët u shpëtuan në det nga autoritetet italiane dhe u dërguan në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil u refuzuan bazuar në faktin që Italia e klasifikon Bangladeshin si “vend të sigurt”.
Ndërkohë, qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri kanë mbetur bosh për muaj me radhë për shkak të pengesave ligjore. Një raport i javës së kaluar zbuloi se ndërtimi i tyre ka kushtuar shtatë herë më shumë se ndërtimi i një qendre të ngjashme në Itali.
Megjithëse projekti me Shqipërinë është bllokuar në një vakum ligjor, përpjekjet e përgjithshme të Italisë për të ulur emigracionin e parregullt nëpërmjet detit kanë qenë më efektive. Deri tani gjatë këtij viti, janë regjistruar 36,557 mbërritje të tilla, pak më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024, por shumë më pak krahasuar me 89,165 mbërritje në të njëjtën periudhë të vitit 2023.