Në një opinion historik këshillimor, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë deklaroi se një mjedis i pastër, i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm është një e drejtë themelore e njeriut. Gjykata theksoi gjithashtu se mosmbrojtja e planetit përballë ndryshimeve klimatike mund të përbëjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Në vendimin e dhënë, GJND vuri në dukje se shtetet kanë detyrime ligjore për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve që preken nga rritja e temperaturave globale. Klima, theksoi gjykata, duhet të mbrohet si për brezin aktual ashtu edhe për brezat e ardhshëm.
Presidenti i GJND-së, Yuji Iwasawa, deklaroi se “emisionet e gazeve serrë janë të shkaktuara pa mëdyshje nga aktiviteti njerëzor dhe kanë pasoja përtej kufijve shtetërorë.” Ai e quajti këtë një kërcënim ekzistencial urgjent që kërkon veprim të përbashkët nga shtetet, duke i detyruar ato të bashkëpunojnë dhe të vendosin objektiva ambiciozë klimatike.
Reagime nga komunitetet më të prekura
Vishal Prasad, drejtor i organizatës Studentët e Ishujve të Paqësorit për Ndryshimet Klimatike, e cilësoi vendimin si një “fillim të ri” për komunitetet e tyre që ndodhen në vijën e parë të krizës klimatike.
“Sot, vendet më të vogla në botë kanë bërë histori. Vendimi i GJND-së na afron më shumë me një botë ku qeveritë nuk mund të mbyllin më sytë ndaj përgjegjësive të tyre ligjore,” tha ai.
Mary Robinson, ish-komisionere e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, shtoi se ky vendim u jep njerëzve një “mjet të fuqishëm për t’u mbrojtur nga pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike.”
Rasti më i madh në historinë e GJND-së
Çështja nisi pas lobimit të studentëve nga shtetet e Paqësorit, të cilët bindën qeveritë e tyre të kërkonin një opinion ligjor nga GJND.
Ishte Vanuatu, një shtet ishullor, që kërkoi sqarim mbi detyrimet ligjore të shteteve për të mbrojtur klimën dhe mjedisin dhe rrjedhimisht edhe brezat aktualë dhe të ardhshëm nga emetimet e gazeve serrë.
Ministri i Klimës i Vanuatu, Ralph Regenvanu, pas vendimit, e quajti këtë “një moment historik për veprimin klimatik.”
“Është një korrigjim i rëndësishëm në një kohë tepër kritike. Për herë të parë në histori, GJND flet drejtpërdrejt për kërcënimin më të madh që i kanoset njerëzimit ndryshimin klimatik,” tha ai.
Kontribut nga qindra shtete dhe organizata
Në dhjetor të vitit të kaluar, gjykata dëgjoi dëshmi nga gati 100 shtete dhe 12 organizata ndërkombëtare.
Kryeministri i Antigua dhe Barbuda, Gaston Browne, paralajmëroi se rritja e nivelit të detit po gërryen brigjet e ishujve të tyre për shkak të emetimeve të pakontrolluara.
Shtetet me ndotje të lartë, si SHBA, argumentuan se traktatet ekzistuese si Marrëveshja e Parisit (2015) janë tashmë të mjaftueshme për të përballuar sfidën klimatike. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo marrëveshje nuk përfshin të gjitha aspektet ligjore të krizës klimatike.
Përgjegjësi për të kaluarën dhe reparacione
Gjatë procesit, Vanuatu kërkoi gjithashtu sqarime mbi pasojat ligjore për vendet që nuk përmbushin angazhimet e tyre ndaj klimës.
Ekspertët theksojnë se vendet me historik të lartë ndotjeje, si SHBA, Kina, Rusia dhe BE, mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për ngrohjen globale.
“E kaluara ka rëndësi,” tha Joie Chowdhury, juriste në Qendrën për Ligjin Ndërkombëtar Mjedisor. “Dëmi tashmë është bërë dhe kjo duhet të njihet dhe të riparohet.”
Shtetet më të varfra, që vuajnë pasojat më të rënda të klimës, kërkojnë prej kohësh që vendet e pasura të pagujnë për dëmet e shkaktuara nga ndryshimet ekstreme të motit. Deri më tani, fondi i ngritur për humbje dhe dëme ka mbledhur vetëm 700 milionë dollarë, shumë larg qindra miliardave që kërkohen deri në vitin 2030.
“Ky rast ka të bëjë me llogaridhënien. Është një sinjal për t’i dhënë fund epokës së premtimeve boshe,” tha Chowdhury.
Ndikimi në të ardhmen ligjore dhe negociatat klimatike
Ky opinion këshillimor i GJND-së është i treti në muajt e fundit që përcakton qartë detyrimet e shteteve në raport me klimën. Edhe Gjykata Inter-Amerikane për të Drejtat e Njeriut dha një opinion të ngjashëm, duke njohur të drejtën për një klimë të qëndrueshme si pjesë e të drejtave themelore.
Edhe pse opinioni këshillimor nuk është ligjërisht detyrues, ai mbart peshë të madhe ligjore dhe morale, dhe mund të ndikojë në proceset gjyqësore që po zhvillohen në shumë vende.
Joana Setzer, profesoreshë në Institutin Grantham në Londër, tha se ky vendim përfaqëson një pikë kthese për gjyqësorin:
“Ky interpretim autoritativ i detyrimeve ligjore të shteteve do të jetë një mjet thelbësor për gjykatat kombëtare, aktivistët dhe qytetarët që duan të mbajnë qeveritë përgjegjëse.”
Vendimi gjithashtu mund të ketë ndikim të rëndësishëm në bisedimet e ardhshme për klimën në COP30 në Brazil, pasi disa çështje tani janë të definuara qartë në aspektin ligjor dhe nuk mund të jenë më pjesë e negociatave politike.
“Shpresojmë që ky qartësim të shërbejë si një hartë ligjore për t’i dhënë fund papërgjegjshmërisë dhe për të sjellë **drejtësi dhe riparim për ata që vuajnë më shumë nga ndryshimet klimatike,” përfundoi Chowdhury.