google

Google rimerr kryesimin në garën e inteligjencës artificiale, Alphabet lë pas OpenAI

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Alphabet, kompania mëmë e Google (GOOGL.O), po sfidon drejtpërdrejt OpenAI me një vendosmëri që pasqyron qartë perceptimin e Wall Street se gjiganti teknologjik është tashmë lider në garën globale të inteligjencës artificiale. Ky zhvillim shënon një kthesë të fortë krahasuar me një vit më parë, kur investitorët e konsideronin Google të mbetur pas rivalëve dhe ndëshkuan aksionin e tij në treg.

Drejtuesit e Alphabet shfaqën një ton dukshëm më të sigurt gjatë konferencës pas publikimit të rezultateve financiare, e para që prej lançimit të modelit Gemini 3, i cili ka impresionuar përdoruesit dhe ka ndihmuar Google të rikuperojë terren në garën e IA-le.

Edhe pse OpenAI nuk u përmend drejtpërdrejt, mesazhi i ri i Alphabet theksoi një dallim kyç, investimet në inteligjencën artificiale kanë filluar të gjenerojnë rezultate konkrete në të gjithë kompaninë. Kjo shërbeu edhe si justifikim për planet ambicioze të Alphabet për të dyfishuar shpenzimet kapitale në vitin 2026, duke i çuar ato në një interval prej 175 deri në 185 miliardë dollarë, kryesisht për zgjerimin e kapaciteteve kompjuterike të IA-le.

“Në përgjithësi, po shohim që investimet dhe infrastruktura jonë në IA po nxisin të ardhura dhe rritje në të gjithë biznesin,” deklaroi CEO i Alphabet, Sundar Pichai.

Besimi i ri i Google se inteligjenca artificiale po përkthehet në rritje financiare mbështetet nga performanca e fortë si në tregun e konsumatorëve, ashtu edhe në segmentin e ndërmarrjeve.

Pichai bëri të ditur se aplikacioni Google Gemini, konkurrent i drejtpërdrejtë i ChatGPT të OpenAI, arriti 750 milionë përdorues aktivë mujorë në fund të tremujorit të dhjetorit, nga 650 milionë në periudhën pararendëse. Megjithatë, kjo shifër mbetet ende pas ChatGPT, për të cilin CEO i OpenAI, Sam Altman, deklaroi në tetor se kishte kaluar 800 milionë përdorues aktivë javorë.

“Po shohim gjithashtu angazhim dukshëm më të lartë për përdorues, veçanërisht pas lançimit të Gemini 3,” shtoi Pichai.

Modeli Gemini 3 është integruar tashmë në funksionin “AI Mode” të motorit të kërkimit Google dhe fuqizon gjithashtu versionin e Gemini për bizneset. Sipas Pichai, ky shërbim ka arritur 8 milionë licenca me pagesë.

Parashikimi i lartë për shpenzimet kapitale fillimisht shqetësoi investitorët, duke bërë që aksioni i Alphabet të binte deri në 6% në tregtimet pas orarit zyrtar. Performanca e fortë e njësisë “cloud” me të ardhura në rritje prej 48% në tremujorin e dhjetorit dhe ndikimi pozitiv i IA-le në bizneset e tjera, e rikthyen shpejt besimin e tregut.

Aksioni arriti të rikuperojë humbjet fillestare dhe u stabilizua, duke përforcuar mesazhin aktual të Wall Street për kompanitë teknologjike, shpenzimet masive për inteligjencën artificiale janë të pranueshme vetëm nëse shoqërohen me kthime financiare të dukshme.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, Alphabet ka kaluar nga një kompani e perceptuar si “e vonuar” në një lider mes “Magnificent Seven”, duke u renditur sot përkrah vetëm Nvidia dhe Apple mes kompanive me kapitalizim tregu mbi 4 trilionë dollarë.

Në kontrast, aksionet e Microsoft pësuan rënie të fortë javën e kaluar, pjesërisht për shkak të shqetësimeve mbi varësinë e kompanisë nga OpenAI. Microsoft njoftoi se shpenzimet në tremujorin e tretë fiskal do të ulen, pas nivelit rekord prej 37.5 miliardë dollarësh në periudhën tetor–dhjetor.

Ndërkohë, Alphabet duket se po korr frytet e një strategjie agresive, por tashmë të justifikuar, në inteligjencën artificiale një bast që po e ripozicionon Google në krye të revolucionit teknologjik global.

reuters.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top