punime dore

Gratë e Qendrës për Mirëqenie në Pejë hapin dyqan me punime dore, 30 për qind e fitimit shkojnë në ndihmë të tyre

 

Gratë e Qendrës për Mirëqenie në Pejë, kanë marrë iniciativë të krijojnë punime dore dhe më pas t’i ofrojnë ato për qytetarët, duke hapur një dyqan me produktet e tyre në këtë qytet. Puna e palodhur e tyre tani po jep frytet e saj.

Ky objekt që i ka shtuar edhe më shumë bukuri Pejës, ofron punime nga më të ndryshmet, në të cilën porsa të hysh, të bie në sy punimi i vizatuar në xhamat e këtij dyqani, që portretizon forcën e gruas e cila mban mbi supe tërë shtëpinë.

Duke vazhduar pastaj me punimet e bëra me grep e deri tek ato me pajise të vjetra siç është ajo e vekut.

Llojshmëria e ngjyrave, i japin vendit aromë shprese për këto gra, ku 30% nga shtija e këtyre produkteve do të shkojnë në ndihmë të tyre.

Drejtoresha për Mirëqenien e Gruas në Pejë, Ardita Ramizi Bala, ka thënë, se ky projekt është bërë për t’i mundësuar grave shitjen e produkteve me qëllim të ngritjes së integritetit të tyre.

“Qendra për Mirëqenien e Gruas është organizatë e cila punon në parandalimin e dhunës në baza gjinore dhe në ofrimin e shërbimeve si strehimi apo shërbimet tjera të cilat i kanë gratë, viktimat e dhunës. Njëra ndër pikat kryesore është edhe integrimi i tyre, ndaj kjo ka qenë ideja, që gratë të cilat punojnë punë të ndryshme duke filluar nga çajrat e bimëve mjekësore, punëdore dhe gjërave të ndryshme me pas një vend ku me i shitë ato produkte, andaj edhe ka dalë realizimi i këtij projekti”, ka deklaruar Bala.

Sipas saj, ky projekt është pritur mjaft mirë edhe pse është ende në fillimet e saj. Ajo shton se interesimi qytetarëve për “Peja Shop”, po rritet dita-ditës dhe kjo gjë është mirëpritur mjaft mirë edhe nga gratë e strehimores në Pejë.

“Po duket që është prit shumë mirë, meqenëse është vetëm fillimi, ende nuk i kemi një muaj të plotë por ka interesim. Qëllimi i krijimit të këtij dyqani ka qenë që gratë me pas të kenë një vend, një pikë referuese ku ato mund t’i shesin produktet e tyre andaj ka qenë shumë e mirëpritur për të gjitha gratë”, është shprehur ajo.

Mbështetje të madhe për këtë projekt, Ardita Ramizi Bala ka thënë se e kanë marrë nga Komuna e Pejës dhe e kanë financuar nga Banka Botërore e cila është bërë nëpërmjet fondeve të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Ky projekti është financuar nga Banka Botërore nëpërmjet fondeve të MAPL-së dhe komunës së Pejës dhe produkti final është ky dyqan  ‘Peja shop’, e cila bënë shitjen e produkteve të grave”, ka përfunduar Ramizi-Bala.

Vlen të përmendet se “Peja shop”, gjendet në qendër të Pejës, afër Shtëpisë së Kulturës, ku qytetarët kanë mundësi ta vizitojnë dhe të njihen për së afërmi me punimet e tyre.

telegrafi.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top