Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se në dy vitet në vijim sektori bankar shqiptar do të hyjë në një fazë të re transformimi, me qëllim përafrimin e plotë të kuadrit ligjor dhe rregullator me atë të Bashkimit Europian. Duke folur në një takim institucional me përfaqësues të industrisë bankare, ai theksoi se ky proces kërkon bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve dhe bankave, në mënyrë që reformat të zbatohen me eficiencë dhe të japin rezultate konkrete në kohë.
Guvernatori nënvizoi se gjatë vitit të ardhshëm sistemi financiar shqiptar do t’i nënshtrohet vlerësimit të përbashkët të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në kuadër të Programit për Vlerësimin e Sektorit Financiar (FSAP 2026). Sipas tij, ky proces do të shërbejë si një test i rëndësishëm për cilësinë e rregullimit, mbikëqyrjes dhe menaxhimit të rrezikut, duke identifikuar njëkohësisht fushat ku nevojiten përmirësime të mëtejshme.
Në vijim, Sejko theksoi se bankat duhet të ruajnë fokusin në ofrimin e shërbimeve financiare cilësore, transparente dhe të aksesueshme për publikun, duke forcuar administrimin e rrezikut dhe besimin e klientëve. Ai vuri theks të veçantë te investimet në teknologji dhe digjitalizim, si dhe te rritja e standardeve të sigurisë kibernetike, elementë që sipas tij janë thelbësorë për ruajtjen e konkurrueshmërisë së sektorit bankar.
Duke folur për rolin e bankave në zhvillimin ekonomik, Guvernatori nënvizoi rëndësinë e orientimit të financimeve drejt sektorëve produktivë dhe bizneseve të vogla e të mesme, të cilat përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë. Ai theksoi se, krahas objektivave të biznesit, bankat mbajnë edhe përgjegjësi sociale, duke kontribuar në rritjen e edukimit financiar, përfshirjes financiare dhe mbështetjes së projekteve të qëndrueshme dhe të gjelbra.
Në vlerësimin e tij për ecurinë ekonomike, Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare ka vijuar të performojë pozitivisht gjatë vitit 2025, me një rritje të pritshme rreth 4%. Kjo rritje, sipas tij, është shoqëruar me përmirësim të treguesve financiarë, ulje të borxhit publik dhe të jashtëm, si dhe me bilance më të shëndetshme të familjeve dhe bizneseve. Në këtë mjedis, sektori bankar ka luajtur një rol të rëndësishëm përmes zgjerimit të kreditimit dhe mbështetjes së aktivitetit ekonomik.
