Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës, sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon”, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Konferenca mblodhi akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve qendrore nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni, me qëllim diskutimin e një prej sfidave më të mëdha të kohës sonë: ndikimin e ndryshimeve demografike në strukturën e tregut të punës dhe në qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimit ekonomik.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me rënie të lindshmërisë, plakje të popullsisë dhe emigracion të qëndrueshëm, trende që po ndikojnë në pjesëmarrjen në tregun e punës dhe në dinamikën e pagave. Këto zhvillime, tha ai, po riformësojnë përbërjen dhe aftësitë e fuqisë punëtore, duke krijuar sfida të reja për politikat ekonomike.
Në dritën e objektivit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, Guvernatori nënvizoi se integrimi evropian do të hapë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Megjithatë, përvojat nga zgjerimet e mëparshme të BE-së tregojnë se procesi i integrimit mund të nxisë largimin e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve me ekonomi më të zhvilluara.
Sipas Guvernatorit Sejko, falë kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të kujdesshme të politikës monetare, inflacioni në Shqipëri qëndron pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Megjithatë, ai paralajmëroi se ndryshimet strukturore në tregun e punës mund të krijojnë presione inflacioniste në afatmesëm e afatgjatë. “Deficiti strukturor i fuqisë punëtore, i shoqëruar me plakjen e popullsisë, emigracionin dhe mospërputhjen e aftësive, mund të çojë në rritje të qëndrueshme të pagave, sidomos nëse nuk shoqërohet me rritje të produktivitetit,” u shpreh Sejko.
Në përfundim, Guvernatori theksoi se Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të monitorojë rreziqet, të modelojë skenarë dhe të zbatojë politika të kujdesshme monetare për të ruajtur stabilitetin makroekonomik. Ai shtoi se për zgjidhje afatgjata nevojitet bashkërendim mes politikave publike, sektorit privat dhe shoqërisë civile. “Vetëm një qasje e integruar, që lidh migracionin, arsimin, stimujt fiskalë dhe reformën e tregut të punës, mund të garantojë qëndrueshmëri dhe zhvillim të qëndrueshëm për ekonominë shqiptare,” përfundoi Guvernatori Sejko.