Zyrtarisht është lançuar thirrja Grant 2026, një nga programet kryesore të mbështetjes financiare për startup-et dhe aktorët e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri. Ky program synon të stimulojë inovacionin, të ndihmojë zhvillimin e bizneseve të reja dhe të forcojë ekosistemin e sipërmarrjes, duke vënë në dispozicion një fond prej 300 milionë lekësh për vitin 2026.
Pas suksesit të vitit 2025, ku u dorëzuan mbi 420 aplikime dhe u financuan 81 projekte, programi këtë vit fokusohet edhe më shumë në nxitjen e ekonomisë së gjelbër dhe inovacionit digjital. Fondi i Grant 2026 do të ndahet në dy thirrje gjatë vitit, ndërsa përfituesit do të kategorizohen në tre grupe kryesore. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit do të dedikohet për projekte që promovojnë zgjidhje digjitale dhe qëndrueshmëri mjedisore.
Thirrja është e hapur për startup-e në fazë të hershme, ku mund të aplikojnë individë të regjistruar si privatë, vendas ose të huaj, përfshirë nomadët digjitalë, si dhe për struktura mbështetëse si universitete publike dhe private, inkubatorë, akseleratorë dhe organizata të tjera që kontribuojnë në zhvillimin e ekosistemit të inovacionit.
Programi ofron mbulim financiar në bazë të fazës së zhvillimit të projektit:
-
Faza 1 – Early Stage: 100% e kostove, deri në 1.5 milionë lekë
-
Faza 2 – Validation: 85% e kostove, deri në 4.5 milionë lekë
-
Faza 3 – Growth: 75% e kostove, deri në 9 milionë lekë
-
Lehtësuesit: 75% e kostove, deri në 13 milionë lekë
Prioritet për Grant 2026 janë projektet që lidhen me ekonominë e gjelbër dhe sektorin digjital, përfshirë energji të rinovueshme, bujqësi të qëndrueshme, menaxhim mbetjesh, eficiencë energjetike, transport të qëndrueshëm, ruajtje të burimeve ujore, zhvillim software, inteligjencë artificiale, siguri kibernetike, blockchain dhe platforma digjitale.
Procesi i aplikimit është plotësisht digjital përmes platformës e-Albania, ku startup-et duhet të paraqesin vetëm formularin e aplikimit dhe buxhetin e projektit. Strukturat mbështetëse duhet të dorëzojnë edhe dokumentacion ligjor dhe financiar që provon aktivitetin e tyre. Aplikimet vlerësohen nga një komision me 5 anëtarë, me të drejtë ankimi brenda 15 ditëve pune, dhe fituesit nënshkruajnë kontratën brenda 30 ditëve pune pas miratimit.
Grant 2026 ofron një mundësi unike për startup-et shqiptare dhe strukturat mbështetëse që të financojnë idetë e tyre dhe t’i kthejnë ato në produkte dhe shërbime konkrete, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik, digjital dhe të qëndrueshëm të vendit.
