rrugë

Hapet qarkullimi i rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Balluku: Aksi i ri do të jetë degëzimi i Korridorit 8

Është inauguruar përfundimi i punimeve të aksit Qukës- Qafë Plloçë, ku prej ditës së sotme do të jetë i aksesueshëm për të gjithë automjetet.

Përfundimi i punimeve në këtë aks pritet jo vetëm të lehtësojë qarkullimin drejt juglindjes, por edhe të krijojë mundësi zhvillimi për të gjithë zonën, duke nxitur më tej turizmin, por edhe sektorin bujqësor.

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin të pranishëm në hapjen e rrugës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku tha se ky aks do të jetë një degëzim i rëndësishëm i korridorit 8, ku pikat po ecin me ritme optimale.

Balluku theksoi gjithashtu se me përfundimin e punimeve do të nisë një sfidë tjetër ajo e mirëmbajtjes, sepse zona është malore dhe do të ketë prurje ngricash, por të gjitha kompanitë që do të ofrojnë mirëmbajtjen janë eksperiencë.

Sakaq prej mesit të muajit korrik, rruga ka nisur të përshkruhet nga banorët e zonës për lehtësi dalje në qytetet e Pogradecit apo drejt Korçës, duke evituar kalimin nëpërmjet rrugës së vjetër të paasfaltuar.

Ky projekt infrastrukturor strategjik për zonën e Mokërës u projektua në vitin 2009 nga qeveria e asaj kohe dhe filloi zbatimin në vitin 2012. Në vitin 2013, pas ndryshimit të qeverisë, projekti u rishikua për të reflektuar zhvillimet e reja në fushën infrastrukturore. Fillimisht ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2019, por për më shumë se 5 vjet afatet janë shtyrë katër herë, për shkak të vështirësive teknike dhe financiare.

Kostoja përfundimtare për realizimin e projektit arriti 240 mln USD.

Nga kjo shumë:

  • Vetëm 2.9 km të segmentit janë ndërtuar me fonde të buxhetit të shtetit (vlerë 4-5 milionë USD).

  • Pjesa tjetër është financuar nga kredia e Bankës Islamike për Zhvillim (IsDB) dhe Fondit Saudit për Zhvillim.

Pavarësisht zhvillimit që pritet t’i sjellë zonës së Mokërës, e cila mbështetet në blegtori disa inxhinierë kanë kritikuar koston e lartë të ndërtimit të rrugës. Fillimisht sipas tyre projekti parashikohej të kushtonte 150 mln USD, por për shkak të terrenit të thyer malor, kostoja u rrit ndjeshëm.

ARRSH e ka pranuar vështirësinë teknike të realizimit, duke theksuar se terreni i thyer ishte një nga faktorët kryesorë që solli shtyrjet e rifillimin e kostove të punimeve.

Projekti parashikon ndërtimin e:

  • 43.3 km rrugë, me gjerësi totale 12 metra (2 korsi x 3.75 m, 2 bankina asfaltike x 1.5 m dhe 2 bankina të pa asfaltuara x 1 m).

  • Më shumë se 20 ura e viadukte, me tubacione dhe prita.

  • Një tunel me gjatësi 375 metra.

  • Rruga kalon për 10 km përgjatë lumit Shkumbin, për të vijuar më pas në zonën malore të Mokrrës.

Financimi është ndarë në:

  • Lotin 0 (0.0 – 2.9 km): me fonde nga buxheti i shtetit.

  • Lotin 1 dhe 2 (2.9 – 33.8 km): financuar nga Banka Islamike për Zhvillim.

  • Lotin 3 (33.8 – 40.5 km): financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.

Ky aks do të jetë gjithashtu pjesë e Korridorit VIII Pan-Europian, duke krijuar lidhje të rëndësishme në infrastrukturën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top