helikopter

Helikopterë pa pilot për përdorim në sektorin e bujqësisë

Një kompani e re amerikane po zhvillon një helikopter gjysmë autonom i cili mund të përdoret për spërkatjen e të korrave, transportin e dërgesave në det të hapur dhe që mund të fluturojë në mjedise të tjera të rrezikshme. Synimi i firmës së re është siguria e pilotit në misione që paraqesin rrezik të lartë.

Një firmë amerikane ka ndërmarrë hapat e parë për të ulur rreziqet e fluturimit me helikopter, ndërsa prezanton prototipin e parë i cili fluturon pa pilot. Synimi është transformimi i disa nga operacioneve më vdekjeprurëse në këtë industri.

Helikopteri “Sprayhawk” është i pajisur me sisteme të sofistikuara të inteligjencës artificiale, AI, ndjesorë dhe mjete komunikimi që mundësojnë drejtimin e mjetit fluturues nga toka. Ky mjet ajror po zhvillohet nga firma “Rotor Technologies Inc.” në partneritet me gjigandin e njohur të prodhimit të helikopterëve për aviacionin civil, “Robinson Helicopters Company”.

“Pas meje mund të shihni procesin e ndërtimit të një helikopteri që peshon 1,134 kilogram dhe mund të transportojë një ngarkesë me peshë sa gjysma e tij. Kjo do ta ndryshojë botën dhe jemi krenar që po i prodhojmë në Nashua të shtetit Nju Hampshire”, thotë Hector Xu, shefi i kompanisë “Rotor Technologies”.

Hector Xu, themelues i firmës, u nxit për sipërmarrjen nga disa “përvoja të këqija” ndërsa mësonte të drejtonte një helikopter në kushte të dobëta shikueshmërie. Në atë kohë, ai po studionte në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets në degën e inxhinierisë hapësinore dhe aviacionit.

Tre vjet më vonë, firma e tij synon të ofrojë mjetin pa pilot për përdorim të gjerë në treg ndërsa pret miratimin nga Administrata Federale e Aviacionit.

“Po ndërtojmë mjetin ajror pa pilot me aftësi të larta. Po instalojmë sisteme të inteligjencës artificiale brenda një helikopteri të zakonshëm”, thotë zoti Xu.

Firma synon të ofrojë mjetin fluturues për të kryer disa nga operacionet më të rrezikshme ajrore, ndërsa ka ambicie më të mëdha.

“Këta helikopterë mund të përdoren për misione kritike në bujqësi, transportin bregdetar apo reagim në raste fatkeqësish. Këto mjete pa pilot do të ndikojnë në shumë industri”.

Këto operacione janë disa nga më të rrezikshmet për pilotët për shkak të lartësive të ulëta dhe terrenit me pengesa të padukshme dhe të paparashikueshme si linjat e tensionit të lartë, kullat e komunikimit, pemët apo pengesa të tjera.

Të dhënat nga Bordi Kombëtar i Transportit tregojnë se 13 pilotë humbën jetën gjatë operacioneve të aviacionit bujqësor midis prillit dhe shtatorit të vitit 2024.

“Helikopteri ka aftësitë që të marrë vendime gjatë fluturimit por gjithashtu mund të telekomandohet nga toka. Në çdo rast, piloti nga toka mund të marrë drejtimin e mjetit fluturues. Pra jemi përqendruar tek siguria”, thotë zoti Xu.

Firma ka zhvilluar dy helikopterë autonomë dhe po kryen fluturime provë. Ajo shpreson që deri vitin tjetër të ketë gati për treg rreth 20 helikopterë për përdorim në sektorin e bujqësisë. Kompania ka siguruar miratimin për të filluar operacionet bujqësore në pjesën perëndimore të vendit.

Lukas Koch është me firmën “Heinen Brothers” e cila ofron shërbime nga ajri për sektorin bujqësor dhe operacionet kundër zjarrit.

“Duam t’i përqendrojmë sistemet autonome në zonat që kërkojnë më shumë vëmendje ose që janë të vështira për pilotët. Kjo teknologji sjell përfitime në të gjitha aspektet”, thotë zoti Koch.

Ndërkohë, një ekip teknikësh të aviacionit po punojnë në Nashua të shtetit Nju Hempshire për të zhvilluar helikopterët pa pilotë të pajisur me teknologjinë e inteligjencës artificiale.

VOA

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top