Betty Reid Soskin

Histori frymëzuese, Betty Reid Soskin u bë e suksesshme pas moshës 85 vjeçare

Një fillim i ri pas të 60-ave? Për Betty Reid Soskin, një jetë e dytë nisi në moshën 85 vjeçare. Ajo u bë rojtarja më e moshuar e parqeve kombëtare në Shtetet e Bashkuara dhe doli në pension e lumtur në moshën 100-vjeçare.

Betty Reid Soskin u bë e famshme në vitin 2013, kur historia e saj u shpërnda kudo në mediat amerikane. Në atë kohë, ishte 92 vjeç dhe vazhdonte të punonte me energji në Shërbimin e Parqeve Kombëtare të SHBA-së. Gjatë mbylljes së qeverisë federale, u pezullua përkohësisht bashkë me qindra mijëra punonjës të tjerë dhe lajmet për këtë bënë bujë të madhe. “Kisha një punë për të bërë,” u tha gazetarëve dhe kjo fjali u kthye në simbol të përkushtimit dhe dashurisë për jetën.

Kjo ishte vetëm fillesa e një kapitulli të ri. Në vitin 2018 botoi autobiografinë Sign My Name to Freedom” ndërsa dy vite më pas u publikua dokumentari “No Time to Waste, që tregon historinë e saj frymëzuese. Një tjetër film është në përgatitje. Barack Obama e quajti “thellësisht frymëzuese”. Annie Leibovitz e fotografoi dhe revista Glamour e shpalli “Gruan e vitit”.

Sot, në moshën 104-vjeçare, Betty thotë me qetësi: “Gjithçka që më është dashur të bëj, e kam bërë.”

Një jetë që nisi nga e para në të 80-at

Soskin ndihmoi në themelimin e parkut kombëtar Rosie the Riveter World War II Home Front në Richmond, Kaliforni, ku për vite me radhë tregoi historitë e njerëzve me ngjyrë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Ajo që kujtohet, varet nga kush ndodhet në dhomë për ta kujtuar,” thoshte ajo shpesh.

Në moshën 100-vjeçare vendosi të tërhiqej nga puna, duke e përshkruar detyrën e saj si “një revolucion i financuar nga shteti”. “Në të 90-at, e dija që nuk kisha kohë për të humbur,” – tha ajo me humor.

E lindur në New Orleans si Betty Charbonnet, ajo u rrit në Kaliforni pas përmbytjeve të vitit 1927. Vinte nga një familje me rrënjë të përziera, ndërsa stërgjyshja e saj, e lindur në vitin 1846, jetoi deri në moshën 102-vjeçare.

Në jetën e Bettyt kanë ekzistuar shumë “Betty” të ndryshme. Ishte Betty që hapi një nga dyqanet e para të muzikës me pronarë afro-amerikanë në Kaliforni, Reid’s Records, në vitin 1945. Ishte Betty këngëtarja e këngëve protestuese; Betty, aktivistja që mblidhte fonde për Lëvizjen e të Drejtave Civile dhe më vonë për të rinjtë e lagjes së saj; dhe Betty që punoi si këshilltare në qeverinë lokale.

Por, pikën e kthesës e përjetoi në fund të viteve ’80, kur humbi brenda tre muajve burrin e parë, të dytin dhe të atin.“Ishte sikur dola nga një jetë dhe hyra në një tjetër,” kujton ajo.“Aty nisi jeta ime e vërtetë. Sepse më në fund, u bëra unë vetë. U ndjeva pjesë e botës. Kisha diçka për të bërë dhe kjo zgjati deri në moshën 100-vjeçare.”

Në vitin 2015, Betty u ftua të prezantohej me presidentin Barack Obama në ceremoninë e ndezjes së pemës së Krishtlindjeve në Washington.“Në vend që të shikoja presidentin, pashë Michellen dhe i thashë me zë të lartë: ‘Sa e bukur je!’” – kujton ajo me të qeshur.

Ajo mbante në xhep fotografinë e stërgjyshes së saj, që kishte lindur në robëri. “U ndjeva si një faqe e historisë,” -thotë ajo.  “Qëndrova pranë presidentit të SHBA-ve, përballë Shtëpisë së Bardhë që u ndërtua nga skllevër.”

Sot, edhe pse është 104 vjeçe, nuk e quan veten aktiviste apo feministe.“Nuk më kanë pëlqyer kurrë etiketat. Jam thjesht një person.”

Në rininë e saj këndonte këngë që shkruante vetë në momente të vështira, një mënyrë për të shëruar shpirtin. Ka kënduar me Pete Seeger, por karrierën e la pas për të ndjekur rrugën e saj.“Tani këndoj vetëm në ëndrra,”- thotë ajo me buzëqeshje.

Kur pyetet për jetën e gjatë, përgjigjja e saj është e thjeshtë: “Nuk e di pse më është dhënë kjo jetë kaq e gjatë. Ndoshta është një dhuratë. Nuk di ku po më çon, por është e bukur dhe e lirë.”

Mesazhi që mbetet

Historia e Betty Reid Soskin tregon se nuk ka moshë për të nisur diçka të re, për të gjetur kuptimin e jetës dhe për ta ndarë atë me botën.
Në një botë që shpesh i sheh vitet si kufi, ajo dëshmoi se mosha është vetëm një numër dhe se jeta, kur e jeton me pasion, është gjithmonë një fillim i ri.

theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top