Një reflektim profesional nga Aurela Murati
Dëshiroj ta nis këtë reflektim mbi mënyrën se si ne, profesionistët e Burimeve Njerëzore, e ushtrojmë profesionin tonë sot. Nuk flas vetëm për përvojën time personale, por për komunitetin tonë të HR-ve, për rolin që kemi zgjedhur dhe përgjegjësinë që mbartim çdo ditë.
Pyetja kryesore që dua të shtroj është kjo:
A punojmë të planifikuar, apo shpeshherë veprojmë me nxitim?
Nëse punojmë me plan, sa e ndajmë këtë plan me kolegët tanë, në mënyrë që ai të marrë jetë reale dhe të mos mbetet vetëm një dokument?
Po kur e ndajmë planin, sa japim nga vetja jonë nga profesionalizmi, nga përkushtimi dhe nga identiteti ynë si HR, që ai plan të përthithet, të zbatohet dhe të rezultojë efektiv për kompaninë?
A duhet ne, profesionistët e Burimeve Njerëzore, të ndiejmë më shumë përgjegjësi kur stafi nuk arrin rezultatet maksimale?
A duhet të jemi më njerëzorë?
A duhet t’i përkushtohemi profesionit tonë si një artist, i cili edhe pas një suksesi duhet të punojë sërish fort për suksesin e radhës?
Ajo që nuk do të më ndalë kurrë është dëshira me të cilën e bëj këtë profesion dhe përkushtimi për të dhënë një mënyrë ndryshe të të bërit HR edhe pse jemi Burime Njerëzore, është në thelbin e detyrës sonë ta bëjmë këtë profesion më njerëzor. Në fakt, mendoj se të gjitha profesionet kanë nevojë të jenë më njerëzore dhe pse jo më shumë sepse vetëm kështu bëhen më të mira.
Çdo vit që mbyllim duhet të ndalemi dhe të bëjmë një konstatim:
Çfarë na mësoi viti 2025?
Si mund t’i përmirësojmë këto mësime në 2026?
Më poshtë po ndaj me ju mësimet e mia profesionale nga viti 2025 .
Mësimet e mia profesionale për vitin 2025
- Ndryshimet strukturore kërkojnë komunikim të vazhdueshëm
Ndryshimet strukturore në një kompani kërkojnë komunikim të vazhdueshëm, takime informuese dhe mbështetje individuale për çdo punonjës.
Mësimi im: Ndryshimi strukturor duhet patjetër të shoqërohet me mbështetje praktike: si bëhen gjërat, kur bëhen dhe sa kohë kërkon adaptimi.
- Vendosja e objektivave nuk është intuitive për të gjithë
Jo të gjithë dinë të vendosin objektiva në mënyrë të natyrshme. Kjo kërkon udhëzime, struktura, formula të matshme dhe ndjekje të vazhdueshme nga HR.
Mësimi im: Vendosja e objektivave të lidhura me performancën kërkon një proces të ndërtuar për muaj me radhë, jo thjesht një dokument formal.
- Bashkëpunimi nuk vjen spontanisht
Bashkëpunimi përmirësohet përmes takimeve të qëllimta, mbledhjeve dhe workshop-eve që rrisin ndërveprimin, nxjerrin problematika dhe krijojnë ndjenjë përfshirjeje.
Mësimi im: Bashkëpunimi është produkt i organizimeve të qëllimta të Burimeve Njerëzore.
- Feedback-u i stafit është burim real vendimmarrjeje
Për ta kuptuar realisht stafin, herë pas here duhet të realizojmë sondazhe që matin ndjenjat, nevojat dhe vështirësitë e tyre.
Mësimi im: Vendimmarrja e bazuar në feedback ka implementim të menjëhershëm, sepse krijon ndjenjë përfshirjeje dhe përkatësie.
- Procedurat kërkojnë edukim, jo vetëm formalizim
Dërgimi i procedurave vetëm me e-mail nuk mjafton. Stafi ka nevojë t’i kuptojë rregullat dhe t’i shohë ato në praktikë.
Mësimi im: Përputhshmëria ligjore arrihet përmes edukimit, jo vetëm dokumentimit.
- Motivimi lidhet me vlerësimin dhe drejtësinë
Sa më qartë të kuptohen benefitet dhe mënyra e përfitimit të tyre, aq më i lartë është motivimi.
Mësimi im: Motivimi nuk është vetëm financiar; është krenari, përkatësi dhe drejtësi, por kërkon patjetër sistem dhe transparencë.
- Planifikimi vjetor kërkon nisje të hershme
Puna për atë që dëshiron të arrish pas 6 muajsh apo një viti duhet të nisë sot, duke u bazuar në atë që ka funksionuar më parë.
Mësimi im: Proceset strategjike kërkojnë kohë dhe bashkëpunim të fortë në nivel drejtuesish.
- Roli i HR është efektiv kur është mbështetës
Burimet Njerëzore janë efektive kur janë ndihmuese dhe suportuese, jo vetëm administrative. Ato janë partner strategjik për drejtuesit, ndërtues dialogu dhe lidhje mes strategjisë dhe stafit.
Mësimi im: Ne krijojmë vlerë reale kur HR shihet dhe përdoret si partner strategjik.
Jam e bindur se për këdo që e gjen veten mes këtyre rreshtave dhe ndien një ndjenjë përkatësie, jemi në rrugën e duhur – edhe pse kemi ende shumë punë përpara.
Motoja ime profesionale:
“Bëhu arsyeja që dikush të rritet profesionalisht.”
Ky është kontributi im, si profesioniste e Burimeve Njerëzore, për mënyrën se si mund ta konceptojmë dhe ta jetojmë HR-në sot me më shumë mendim, më shumë përgjegjësi dhe mbi të gjitha, me më shumë njerëzi.
Si profesionistë të HR, çfarë mësimesh ju la viti 2025?
Na shkruani mendimin tuaj ose ndani këtë artikull me kolegët tuaj.
