shkenca

Hulumtimet mashtruese po ‘shkatërrojnë besimin në shkencë

Ekspertët kanë paralajmëruar se kërkimet shkencore mashtruese janë në rritje dhe po rrezikojnë kërkimet mjekësore.

Shkenca mashtruese po rritet me shpejtësi dhe po rrezikon hulumtimet mjekësore, paralajmërojnë specialistët.

Një studim i ri ka zbuluar se rrjete aktorësh të dëmshëm bashkëpunojnë për të botuar kërkime fallco. Gjetjet, të publikuara këtë javë në revistën PNAS, janë nxjerrë nga analiza e më shumë se 5 milionë artikujve shkencorë të botuar në mbi 70,000 revista.

“Ekzistojnë grupe redaktorësh që bashkohen për të publikuar në shkallë të gjerë artikuj me cilësi të ulët, duke shmangur proceset tradicionale të rishikimit nga kolegët,” shpjegoi Reese Richardson, shkencëtar social në Universitetin Northwestern në SHBA, autor i kryesuar i studimit.

Hulumtimi zbuloi prova për rrjete redaktorësh të revistave shkencore që shpesh publikojnë kërkime të cilat më pas nxiten për probleme me integritetin, si dhe “ndërmjetës” që lidhin autorë mashtrues me këto rrjete redaktorësh.

“Kjo lloj mashtrimi shkatërron besimin në shkencë. Ai ndikon në mënyrë të padrejtë në analiza sistematike dhe meta-analiza, vonon trajtimin dhe pengon kërkimet e reja,” theksoi Anna Abalkina, shkencëtare sociale në Universitetin e Lirë të Berlinit, e cila nuk ishte pjesë e studimit.

Mashtrimet në shkencë janë një problem në rritje
Kërkimet e reja shkencore publikohen në forma artikujsh kërkimorë në revista shkencore. Janë dhjetëra mijëra revista të ndryshme, secila me tema dhe ndikime shkencore të ndryshme.

Këto revista janë platforma ku studiuesit ndajnë zbulimet, teoritë dhe idetë e tyre me kolegët dhe publikun më të gjerë.

“Historikisht, botimi shkencor ka qenë motor për përparim. Na ka dhënë vaksina, antibiotikë, internet, kirurgji sterile… gjithçka që e bën jetën tonë më komode sot,” tha Richardson.

Por, sipas disa vlerësimeve kërkimet fallco po shtohen, deri në një në shtatë publikime përmbajnë të dhëna të fabrikuara. Inteligjenca artificiale po përshpejton gjithashtu këtë fenomen të keqpërdorimit.

Studimet mashtruese përmbajnë të dhëna të sajuara, rezultate të pabekuara, kërkime të kopjuara ose imazhe të manipuluara.

“Mund të krijosh harta të rrjeteve të kopjimit të imazheve që përfshijnë mijëra artikuj,” tha Richardson.

Kërkimet fallco dëmtojnë integritetin shkencor
Kërkimet mashtruese ose me cilësi të dobët zakonisht kapen nga redaktorët e revistave ose rishikuesit nga kolegët, por ekspertët paralajmërojnë se këto po arrijnë gjithnjë e më shpesh të publikohen nga grupe aktorësh të dëmshëm që bashkëpunojnë.

Janë zbuluar raste të shumta me emër të madh të mashtrimeve shkencore. Gjatë pandemisë COVID-19, kërkimet mashtruese përdoren për të marrë vendime shkencore dhe politike lidhur me efikasitetin e hidroksiklorokines si trajtim për infeksionin COVID. Ekspertët lidhën këtë problem me “revistat e vetë-promovimit” ku autorët shpesh janë edhe redaktorët e të njëjtave revista ku publikojnë studimet e tyre.

Edhe një studim i vetëm mashtrues mund të shkaktojë pasoja afatgjata. Për shembull, u zbulua manipulim imazhi në një studim të rëndësishëm për sëmundjen Alzheimer. Artikulli u tërhoq më pas dhe shkencëtari kryesor dha dorëheqjen, por sipas Abalkinës miliarda dollarë fonde kërkimore dhe vite punë ishin harxhuar tashmë në bazë të një studimi të gabuar.

“Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një artikull,” theksoi ajo në një intervistë.

Si të luftohet korrupsioni në shkencë?
Luis Amaral, autori i lartë i studimit nga Universiteti Northwestern, e përshkroi projektin si “ndoshta më të trishtuarin që kam zhvilluar ndonjëherë.”

“Është shqetësuese të shohësh që disa angazhohen në mashtrime dhe të mashtrojnë të tjerët. Por nëse beson se shkenca është e dobishme dhe e rëndësishme për njerëzimin, atëherë duhet të luftosh për të,” tha Amaral.

Grupet botuese shkencore janë të vetëdijshme për këtë problem dhe po punojnë për të krijuar metoda të reja për të identifikuar dhe tërhequr studimet mashtruese. Një botues kryesor, Springer Nature, tërhoqi 2,923 artikuj nga publikimet e tij gjatë vitit 2024.

Por tërheqja e artikujve tregon se shkenca e keqe ka arritur tashmë të publikohet.

Ekspertët si Abalkina dhe Richardson vënë në dukje se problemi rrjedh nga mënyra sesi vlerësohet kërkimi shkencor. Punësimet dhe financimet në shkencë varen në masë të madhe nga publikimet shkencore.

“Nëse je në një situatë ku nuk ke burime të mjaftueshme dhe njëkohësisht ke

presion për të prodhuar publikime, ke vetëm dy opsione: ose bëhesh pjesë e mashtrimit shkencor, ose largohet nga shkenca. Kjo është situata ku ndodhen dhjetëra mijëra studiues,” tha Richardson.

Për këtë arsye, ai sugjeron që zgjidhja më e mirë për të luftuar publikimet mashtruese është heqja e të gjitha metrikeve të matjes kuantitative të kërkimit, si numri i publikimeve dhe citimeve.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top