Inflacioni i brendshëm dha kontributin kryesorë në rritjen e çmimeve në ekonominë shqiptare edhe në tremujorin e parë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni i brendshëm rezultoi rreth 1.8% në tremujorin e parë, vlerë kjo e njëjtë me atë të tremujorit të kaluar.
Megjithatë, inflacioni i brendshëm qëndroi më poshtë se sa inflacioni total dhe ai bazë, ky zhvillim u theksua pas muajit shkurt, për shkak të fillimit të efektit reduktues të vendimit për uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Nga ana tjetër, sipas Bankës së Shqipërisë, vlerat dhe kontributet e inflacionit të importuar në atë total mbeten në nivelet e ulëta historike, kundrejt kontributeve përcaktuese nga inflacioni i brendshëm.
Duke pasqyruar rritjen më të fortë të inflacionit të shërbimeve dhe të mallrave me afat të gjatë përdorimi, inflacioni bazë zgjeroi lehtësisht kontributet në formimin e inflacionit total, në 83% në tremujorin e parë.
Matjet e inflacionit bazë mbetën mbi mesataret e tyre të dekadës së fundit. Nënshporta që mat inflacionin bazë është zgjeruar lehtësisht me rishikimin e peshave në vitin 2025, në 69.6% të totalit të shportës së IÇK-së, nga 69% në vitin 2024.
Inflacioni mesatar në ekonominë shqiptare rezultoi i qëndrueshëm pranë vlerës 2% në tremujorin e parë të vitit 2025, duke reflektuar një ecuri të përafërt me dy tremujorët paraardhës. Inflacioni i ulët i ushqimeve të papërpunuara dhe kontributi negativ i çmimeve të karburanteve janë komponentët kryesorë që mbajtën inflacionin në këto nivele.
Nga ana tjetër, luhatjet e çmimeve të komponentëve të tjerë kanë qenë të moderuara dhe kanë balancuar njëra – tjetrën.
Muaji shkurt shënoi fillimin e aplikimit të çmimeve të reja të energjisë elektrike për konsumatorët. Efekti i drejtpërdrejtë në muajt shkurt-mars rezultoi në një reduktim të inflacionit total me 0.1 pikë përqindjeje.
Rënia e inflacionit po reflektohet edhe në pritshmëritë e publikut për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. Pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë rishikuar për poshtë në tremujorin e parë 2025, bazuar në të dhënat e vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë.
Pritjet afatshkurtra (pas një viti) për inflacionin të bizneseve dhe të agjentëve financiarë shënojnë vlerat 3.3% dhe 2.4%, një rishikim për poshtë me përkatësisht 0.1 dhe 0.3 pikë përqindje kundrejt tremujorit të mëparshëm.
Pritjet e konsumatorëve, megjithëse janë rishikuar për poshtë me 0.5 pikë përqindje, vijojnë të shënojnë vlera të larta edhe këtë tremujor, në nivelin 9.3%.
Pritjet e agjentëve financiarë për inflacionin në horizontin kohor të dy dhe tre viteve mbetën shumë afër vlerës së dy tremujorëve të mëparshëm, prej rreth 2.7%, duke qëndruar më pranë objektivit afatmesëm për inflacionin.