Inxhinieri shqiptar, Sofokli Cakalli, ka prezantuar me pasion dy projektet e tij më të fundit, duke ndezur debatin rreth inovacioneve në fushën e sigurisë rrugore në një konferencë të mbajtur nga Komiteti i Sigurisë Rrugore në Akademinë Kombëtare të Shkencave, Mjekësisë, dhe Inxhinierisë në SHBA.
Në një postim në rrjetin e tij social në Facebook, Cakalli shkruan: “Me kënaqësi kam prezantuar dy projekte të mia në Konferencën e Sigurisë Rrugore. Në dy sesione të ndryshme, kam ndarë idetë dhe zhvillimet më të fundit në fushën e inovacionit për të përmirësuar sigurinë në rrugët tona. Një përvojë e mrekullueshme dhe një mundësi për të ndarë dije dhe përvojë me kolegët shkencëtarë dhe inxhinierë në këtë fushë ka qenë frytdhënëse.”
Ky prezantim para shkencëtarëve të specializuar është një shenjë e njohjes së panjohur ndërkombëtare për arritjet dhe kontributet e inxhinierit shqiptar, duke e bërë të njohur për inovacionin dhe angazhimin e tij në përmirësimin e sigurisë rrugore në nivel global.
Më poshtë vijon reagimi i plotë i Sofokli Cakalli:
Për herë të parë këtë vit isha i ftuar si prezantues (speaker) nga Komiteti i Sigurise Rrugore në Akademinë Kombëtare të Shkencave, Mjekësisë, dhe Inxhinierisë në SHBA (National Academies of Sciences, Engineering, and Medicine). Pata privilegjin dhe përgjegjësinë të prezantoj dy publikimet e mia të fundit në dy sesione të ndryshme për inovacionin në sigurinë rrugore përpara shkencëtarëve të fushës, përfaqësuesëve të industrisë private, kolegëve dhe sidomos familjes time.
Në një sesion të mbyllur të Komitetit Kombëtar të Sigurisë Rrugore, diskutuam dhe mbajtëm qëndrime historike për rrezikun që paraqesin makinat elektrike në të ardhmen e sigurisë rrugore. Në mbledhje, prezantuam studime dhe prova akoma të papublikuara, por të drejtpërdrejta se si mbipesha dhe gjeometria e makinave elektrike, prania e të cilave po shtohet me ritme ekspotenciale dita-ditës, janë të rrezikshme për infrastrukturën aktuale të sigurisë rrugore dhe se koncepti i barrierave të sotme është qartësisht i pamjaftueshëm të përballojë përplasjen me makinat elektrike. Takimet dhe diskutimet me kompanitë e makinave elektrike ishin pozitive, me fokus bashkëpunimin gjithëpërfshirës për të gjetur një zgjidhje. Patjeter që zhvillimi i teknologjisë nuk mund të pengohet ose ndalet, por gjithmonë duhet të ketë kosto të pranueshme nga të gjithë.