italia

Italia, vendi i parë në BE që miraton një ligj gjithëpërfshirës për përdorimin e inteligjencës artificiale

Ligji kufizon aksesin e fëmijëve dhe parashikon dënime me burg për përdorime dëmtuese të inteligjencës artificiale

Italia është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që miraton një ligj gjithëpërfshirës për rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA), duke përfshirë dënime me burg për ata që e përdorin teknologjinë në mënyrë dëmtuese si p.sh. për krijimin e deepfake-ve dhe duke vendosur kufizime për aksesin e fëmijëve.

Qeveria e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni deklaroi se legjislacioni, i cili është në përputhje me Aktin Evropian për Inteligjencën Artificiale, përfaqëson një hap vendimtar në mënyrën se si do të përdoret kjo teknologji në Itali. Qëllimi është të promovohet një përdorim “të përqendruar tek njeriu, transparent dhe të sigurt të IA-së”, duke theksuar njëkohësisht “inovacionin, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e privatësisë”.

Ligji parashikon dënime nga një deri në pesë vjet burg për shpërndarjen e paligjshme të përmbajtjeve të gjeneruara ose të manipuluara nga IA nëse ato shkaktojnë dëme. Po ashtu, do të ketë ndëshkime më të ashpra në rastet kur teknologjia përdoret për të kryer vepra penale, si mashtrim apo vjedhje identiteti. Ligji përcakton edhe rregulla më të rrepta mbi transparencën dhe mbikëqyrjen njerëzore të përdorimit të inteligjencës artificiale në vendet e punës dhe në sektorë të ndjeshëm si shëndetësia, arsimi, drejtësia dhe sporti.

Një tjetër element i rëndësishëm është kufizimi për fëmijët: ata nën 14 vjeç do të kenë nevojë për pëlqimin e prindërve për të përdorur shërbime të bazuara në IA.

Sa i përket të drejtave të autorit, ligji përcakton se veprat e krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale do të mbrohen nëse burojnë nga një përpjekje reale intelektuale. Ndërkohë, nxjerrja e të dhënave dhe analizat e bazuara në IA (text and data mining) do të lejohen vetëm mbi përmbajtje pa të drejtë autori ose për kërkime shkencore nga institucione të autorizuara.

Alessio Butti, nënsekretar për transformimin digjital, tha se ky ligj “rikthen inovacionin brenda kufijve të interesit publik, duke e drejtuar IA-në drejt rritjes, respektimit të të drejtave dhe mbrojtjes së plotë të qytetarëve”.

Për zbatimin e ligjit do të kujdesen Agjencia për Italinë Digjitale dhe Agjencia Kombëtare për Siguri Kibernetike. Teksti mori miratimin përfundimtar në parlament pas një viti debatesh.

Në një fjalim të mbajtur në mars të vitit të kaluar mbi temën e inteligjencës artificiale, Meloni theksoi: “Duhet dhe mund të ketë një mënyrë italiane për të zhvilluar dhe qeverisur inteligjencën artificiale.” Ajo e përshkroi teknologjinë si “revolucionin më të madh të kohës sonë”, por shtoi se ajo mund të arrijë potencialin e saj të plotë vetëm nëse zhvillohet “brenda një kuadri rregullash etike që vënë në qendër njeriun, të drejtat dhe nevojat e tij”.

Ligji gjithashtu parashikon një fond deri në 1 miliard euro nga kapitali i garantuar nga shteti për të mbështetur kompanitë që veprojnë në fushën e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe telekomunikacioneve. Megjithatë, kritikët e kanë cilësuar këtë shumë të vogël krahasuar me investimet që po bëjnë SHBA-ja dhe Kina.

Theguardian

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top