koha

Ka një arsye shkencore pse dhjetori vjen shumë shpejt çdo vit

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Si ka mundësi që është sërish dhjetor? Çfarë ndodhi me 2025-ën, dhe si kaluam papritur nga vezët e Pashkëve te zbukurimet e Krishtlindjes? Për të kuptuar pse perceptimi ynë për kohën duket sikur përkulet dhe shtrembërohet, duhet të kuptojmë fillimisht se si truri ynë e “mat” kohën.

Termi perceptim i kohës është, paksa i gabuar, sepse koha nuk është diçka që ekziston për t’u perceptuar drejtpërdrejt. Kur perceptojmë një ngjyrë, një tingull, një shije apo një prekje, organet tona shqisore zbulojnë diçka konkrete në mjedis, gjatësinë valore të dritës që hyn në sy, frekuencën e valëve zanore që hyn në vesh, kimikatet në gojë dhe hundë, apo presionin mbi lëkurë.

Por për kohën nuk ka një ekuivalent të tillë. Nuk ekziston asnjë “grimcë kohe” që truri ta zbulojë.

Truri ynë nuk e percepton kohën ,ai e nxjerr në përfundim. Ashtu si një orë që numëron tik-taket, truri vlerëson kalimin e kohës duke ndjekur ndryshimin.  Ndryshe nga ora, truri nuk ka ritme të rregullta për t’i numëruar. Për të kuptuar sa kohë ka kaluar, ai thjesht mbledh sa shumë gjëra kanë ndodhur.

Sa më shumë ngjarje të mbushin një interval kohor, aq më i gjatë na duket ai. Në laborator, për shembull, një imazh që pulson duket sikur zgjat më shumë sesa një imazh statik me të njëjtën kohë reale.

A “fluturon” vërtet koha?

Për të kuptuar se çfarë ndodhi me nëntorin dhe pjesën tjetër të vitit 2025, duhet të dallojmë mes dy mënyrave se si e përjetojmë kohën:

  • Retrospektivisht: sa kohë ka kaluar kur shohim pas

  • Prospektivisht: sa shpejt po kalon koha tani, në këtë moment

Siç e di çdo fëmijë, koha në pritje te dentisti duket shumë më e gjatë sesa koha duke luajtur me një lodër të re. Pse ndodh kjo?

Sërish, gjithçka lidhet me vëmendjen. Sa më shumë të përqendrohemi te vetë kalimi i kohës, aq më ngadalë ajo duket se ecën. Thënia e vjetër “koha fluturon kur je duke u argëtuar” është e vërtetë, por argëtimi nuk është kusht i domosdoshëm. Mjafton që mendja të jetë e angazhuar me diçka tjetër.

Kur je i zhytur në punë apo në lojë, koha rrëshqet pa u ndier. Por provo të shikosh një orë për pesë minuta rresht do të duken të pafundme. Mërzia e ngadalëson kohën në maksimum.

Rutinat i bëjnë vitet të kalojnë shpejt

Ky kontrast mes përjetimit të momentit dhe vlerësimit pasardhës shpjegon edhe shprehjen: “ditët janë të gjata, por vitet janë të shkurtra” , një ndjesi që forcohet me kalimin e moshës.

Kur jemi të rinj, gjithçka është e re, dita e parë e shkollës, lidhja e parë, puna e parë. Këto përvoja krijojnë kujtime të pasura, dhe kur shohim pas, truri konkludon se ka ndodhur shumë pra, duhet të ketë kaluar shumë kohë.

Ndërsa rritemi, shumë gjëra bëhen rutinë, çojmë fëmijët në shkollë, shkojmë në punë, përgatisim darkën. Këto aktivitete humbasin risinë dhe bëhen më pak interesante. Ditët duken të gjata dhe të ngadalta.

Paradoksi është se, pikërisht sepse këto rutina janë më pak emocionuese, ato lënë gjurmë më të dobëta në kujtesë. Kur truri i kthehet vitit për të vlerësuar sa kohë ka kaluar, ai “sheh” pak ngjarje dhe përfundon se viti paska kaluar shpejt.

Kështu, edhe pse e dimë se është dhjetor, mbetemi duke pyetur veten: Si kaloi kaq shpejt ky vit?

Si ta ngadalësojmë kohën?

Ngadalësimi i kohës ndërsa po e përjetojmë është i thjeshtë, por aspak i kënaqshëm, mjafton të mërzitesh. Ngadalësimi i kohës kur shohim pas është më i vlefshëm dhe më i vështirë. Në thelb, duhet të sigurohesh që, kur të vijë dhjetori, të kesh një vit plot kujtime.

Një mënyrë efektive është të mos lejojmë kujtimet të zbehen. Dhe mënyra më e mirë për këtë është t’i rikujtojmë. Shkruaj në ditar. Reflekto. Rikthehu te momentet e jetuara sepse duke mbajtur gjallë kujtimet, mbajmë gjallë edhe kohën tonë.

sciencealert.com

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Brenda teje është një forcë më e madhe se çdo pengesë.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top