Koha se kur pini një filxhan kafe mund të ulë rrezikun e një vdekjeje të hershme, sipas një studim i ri. Studimi zbuloi se njerëzit që pinin kafe në mëngjes kishin një rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare dhe kishin një rrezik më të ulët të vdekshmërisë, sesa konsumatorët që pinë kafe në pjesë të ndryshme gjatë ditës, por hulumtimi nuk mund të provonte nëse kafeja ishte shkaku i vetëm.
Dr. Lu Qi, studiuesi kryesor dhe drejtor i Qendrës Kërkimore të Obezitetit të Universitetit Tulane, tha se ndërsa studimi nuk tregon pse pirja e kafesë në mëngjes zvogëlon rrezikun, një shpjegim mund të jetë se konsumimi më vonë gjatë ditës mund të prishë orën e brendshme të trupit të një personi.
Studimi u publikua në revistën European Heart Journal. Dr. Lu tha se nevojiten studime të mëtejshme për të parë nëse gjetjet e tyre mund të vërehen edhe në popullata të tjera, duke shtuar: “Ne kemi nevojë për prova klinike për të testuar ndikimin e mundshëm të ndryshimit të orës së ditës kur njerëzit pinë kafe. Ky studim nuk na tregon pse pirja e kafesë në mëngjes zvogëlon rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare”, shpjegoi ai.
“Një shpjegim i mundshëm është se konsumimi i kafesë pasdite, ose në mbrëmje mund të prishë ritmet cirkadiane, ciklin 24-orësh të trupit tonë të ndryshimeve fizike, mendore dhe të sjelljes, dhe nivelet e hormoneve të tilla si melatonin. Kjo, nga ana tjetër, çon në ndryshime në faktorët e rrezikut kardiovaskular si inflamacioni dhe presioni i gjakut”, shtoi ai.
Studiuesit nga Universiteti Tulane në New Orleans, panë 40,725 të rritur që kishin marrë pjesë në Anketën Kombëtare të Ekzaminimit të Shëndetit dhe Ushqyerjes në SHBA midis 1999 dhe 2018. Ata u pyetën për konsumin e tyre të përditshëm të ushqimit dhe pijeve dhe nëse pinin kafe, sa dhe kur.
“Duke pasur parasysh efektet që ka kafeina në trupin tonë, ne donim të shihnim nëse koha e ditës kur pini kafe ka ndonjë ndikim në shëndetin e zemrës”, shpjegoi Dr. Lu.
Ndërsa kërkimet e kaluara kanë zbuluar se pirja e moderuar e kafesë mund t’i bëjë mirë shëndetit, ky ishte “studimi i parë që testonte modelet e kohës së pirjes së kafesë dhe rezultatet shëndetësore”, shtoi ai. Sipas hulumtimit, 36% e atyre që morën pjesë ishin konsumues të kafesë në mëngjes dhe 14% pinin gjithë ditën. Pjesëmarrësit u gjurmuan për gati një dekadë, dhe u panë të dhënat e tyre të informacionit dhe shkaqet e vdekjes gjatë asaj periudhe kohore. Gjatë ndjekjes pas pothuajse 10 vitesh, 4,295 njerëz vdiqën, duke përfshirë 1,268 vdekje të lidhura me sëmundjet kardiovaskulare. Studiuesit zbuluan se ata që pinin kafe në mëngjes kishin 16% më pak gjasa të kishin vdekur në krahasim me ata që nuk pinin kafe dhe 31% më pak gjasa të kishin vdekur nga sëmundjet e zemrës. Ata nuk panë ulje të rrezikut për ata që pinë kafe gjatë gjithë ditës, në krahasim me ata që nuk pinë kafe.
“Pirja e kafesë në mëngjes mund të lidhet më fort me një rrezik më të ulët të vdekshmërisë sesa pirja e kafesë më vonë gjatë ditës”, shkruajnë ata në punimin kërkimor.
Studiuesit thanë se sasitë më të larta të marrjes së kafesë ishin “në mënyrë domethënëse” të lidhura me një rrezik më të ulët të vdekjes, por vetëm tek njerëzit që pinin kafe në mëngjes, krahasuar me ata që pinin kafe gjatë gjithë ditës. Në orët e mëngjesit zakonisht ka një rritje të dukshme të aktivitetit simpatik, aktivitet që vë sistemet e trupit në gatishmëri, gjatë zgjimit dhe ngritjes nga krevati, një efekt që zbehet gjatë ditës dhe arrin nivelin më të ulët gjatë gjumit.