Në prag të festave të fundvitit, shpesh përqendrohemi te dhuratat dhe harrojmë nevojën për një fjalë ngushëlluese, për reflektim mbi dashurinë, humbjet apo shpresën. Psikologia Nereida Llaha ka zgjedhur të ndajë me VASPAS kartolinën e saj të hapur, të drejtuar Babagjyshit, duke na ofruar një shembull se si mund të shprehim dëshirat dhe lutjet e zemrës gjatë festave.
I dashur Babagjysh!
Ti besoj, nuk e merr në kosideratë faktin nëse po të shkruan psikologia apo Nereida. Shhshhh mos bërtit Ohohoho, afrohu se dua të të rrëfej dëshirat e fshehta të zemrës për festat e fund vitit.
Babagjysh, të dy e dimë që magjia e festave mbulohet shpesh me petkun e bardhë të gënjeshtrës. Ndaj dua që ti, të dërgosh dritë në zemrat e të gjithë atyre që kanë humbur dikë të dashur por po përpiqen kaq shumë të notojnë nën ngjyrat e dritave, këtu mos më harro mua
që lutem për prindërit e mi të kenë gjetur qetësinë e munguar pranë Zotit. Zbute trishtimin e shpirtit të tyre me paqen e Zotit Babagjysh, të kam shumë xhan, por mos u mundo të ma fshehësh të vërtetën që sheh poshtë syzeve të mëdha, po po e kam fjalën për ata që janë
vetëm, që lëngojnë nën ftohtësinë e dimrit e skanë një zjarr të ngrohin zemrën. Dërgoi atyre dashurinë që meritojnë e të çelin petalet e dashurisë.
Kam edhe një kërkesë-lutje-përgjërim dhe këtë dua ta mbash shënim mirë. Degjomë me vemendje: le ta kujtojmë tani me kurajo, por mos e fshih buzeqeshjen të lutem. Mos vallë dashuria e njerëzve të ka bërë të harrosh që ke qenë edhe ti fëmijë dikur? Apo mos vallë përkëdheljet qe merr nga femijet te ka rritur mendjen dhe ke harruar se sa shumë të tjerë dergjen rrugëve mes luftrave si jetimë?
Detyrë shtëpie, po po, këtë ta caktoj detyrë shtëpie:“ shpërnda jetën dhe lumturinë në sytë e jetimëve por mos harro të hedhësh shëndet, jetë dhe bashkim në oxhakun e prindërve që digjen nga malli për fëmijët e larguar nga foleja.
U bëra shumë poetike, e ndjeshme dhe zemërgjere? Epo ke të drejtë edhe mua më vjen inat që këtë vit po ta vështirësoj punën me dhuratat të tilla. E mori e mira, sendet dhe foto me to për në rrjete sociale nuk ndihmojnë asnjë. Ndaj dua këtë Vit të Ri si dhuratë njerëzoren. Dua të shuhet malli, dua të zbuten zemrat, dua të afrohen familjarët, dua dashurinë të shtohet, dua ndihma të rritet, dua falja të zmadhohet dhe të shkurtohen distancat. Dua që këto të jenë kartolina e këtij viti. Dashuria-Humanizmi-Lumturia.
Hej ti që po e lexon kartolinën time, ndalu një moment, reflekto dhe manifesto, ato që vërtetë të mungojnë por që të afrojnë me veten, familjen dhe padyshim me Zotin. Hidhe tej mërinë, inatin. Harroje trishtimin, pranoje dështimin dhe mendo për rifillimin. Kënaqësinë e ndjenjave mos e ngatërro me dashurinë. Mallin mos e ngatërro me harrimin. Sfidat mos i quaj mallkim, dëshirat më të mëdha ngjizen në vuajtjet më të mëdha. Ndaj le të shërbejë çdo grimcë që rëndon shpirtin si motiv për të besuar që asgjë nuk zgjat pa mbarim dhe jeta rilind me çdo diell të ri. Bëj paqe me veten dhe duaje atë fort dhe të premtoj që Babagjyshi i këtij viti do të spërkasë me rreze mirësie nëse ti vërtetë beson.
Shpresë plotë për ditë të dlira, Nereida.
