Kërkim: Kur është koha të largohesh nga një karrierë që ke pasion

Foto: Adie Bush/Getty Images 

 

Kërkim i publikuar në HBR nga Zachariah Berry, Brian J. Lucas dhe Jon M. Jachimowicz

Nëse ndjek pasionin dhe po mendon të largohesh, pyet veten: A po qëndron sepse e dëshiron – apo sepse ke frikë çfarë do mendojnë të tjerët? Është e lehtë të mendosh se largimi tregon dobësi. Por, kërkimet e reja tregojnë të kundërtën: njerëzit i shohin me sy të mire ata që heqin dorë nga një pasion, shumë më shumë nga sa mendohet. Të heqësh dorë nga një pasion nuk do të thotë domosdoshmërisht të heqësh dorë nga vetja. Mund të jetë hapi i parë drejt diçkaje që përputhet më mirë me atë që je vërtet.

Nga fjalimet e diplomimit tek takimet e këshillave për karrierën, thirrja për të “ndjekur pasionin” na rrethon kudo. Këshilla që jepet gjithnjë e më shumë dhe përvetësohet, është e qartë: Gjej një punë që do dhe ndiqe pa u dorëzuar. Por, një mori studimesh tregojnë se rrallë e gjejmë që në përpjekjen e parë. Të ndjekësh pasionin mund të digjesh emocionalisht.

Merrni rastin e Elizabeth Rowe, një flautiste e njohur botërisht në Orkestrën Simfonike të Bostonit, e cila vendosi në moshën 50-vjeçare të ndiqte një pasion tjetër. Për t’iu përkushtuar plotësisht diçkaje të re, ajo ndjeu se duhej të hiqte dorë nga muzika – diçka që e kishte ndjekur që fëmijë. Kjo ishte në kundërshtim me gjithçka që i ishte thënë: të këmbëngulte dhe të mos dorëzohej kurrë, sado vështirësi të kishte. Rowe u përball me këtë dilemë për vite të tëra dhe në fund hoqi dorë dhe sot (me vonesë) po lulëzon në karrierën e saj të dytë si trajnere lidershipi.

Pra, pse është kaq e vështirë për njerëzit të heqin dorë nga diçka për të cilën janë – ose kanë qenë – të apasionuar?

Në kërkimin tonë të sapo botuar, zbuluam një pengesë kryesore: shqetësimi se do të gjykoheshin për largimin nga ndjekja e pasionit. Qoftë një mësues, apo një infermiere, shqetësohen se të tjerët do t’i shohin si të paaftë që po heqin dorë nga pasioni i tyre. Siç theksoi autorja dhe ish-gazetarja Simone Stolzoff në një intervistë: “Ndihesha fajtore. Ndihesha sikur po braktisja një thirrje. … A do të më falin ndonjëherë kolegët e mi?”.

Befasia është që këto frikëra janë shpesh të pajustifikuara.

Kërkimi

Në një studim, ne u kërkuam punonjësve me kohë të plotë që ishin të apasionuar pas punës së tyre të imagjinonin sikur po hiqnin dorë prej saj. Pastaj u kërkuam të parashikonin si do të gjykonin të tjerët karakterin e tyre moral dhe kompetencën për këtë zgjedhje. Në një grup tjetër pjesëmarrësish, u kërkuam vëzhguesve të jashtëm të vlerësonin të njëjtët profesionistë për heqjen dorë nga pasioni.

Dallimi ishte i theksuar: ata që ndiqnin pasionin prisnin të gjykoheshin shumë më ashpër se sa gjykoheshin realisht. Konkretisht, kur njerëzit pyeteshin për dorëheqjen nga një punë për të cilën kishin më pak pasion (një punë vetëm për të paguar faturat), pritshmëritë e tyre për gjykim ishin më të afërta me realitetin.

Pse kjo mospërputhje? Zbuluam se ata që ndiqnin pasionin vrisnin mendjen mbi të gjitha arsyet pse largimi nga pasioni i parë tregonte se ishin dështakë. Në të kundërt, vëzhguesit – të pa ngarkuar me emocionin e vendimit – kishin një tjetër perspektivë: më shumë e shihnin largimin si një mundësi për t’u angazhuar sërish në diçka që përputhej më mirë me vetë individin. Me fjalë të tjera, pasionantët e shihnin dorëzimin si “fundin e rrugës,” ndërsa të tjerët e shihnin si “një ndalesë gjatë rrugës,” një hap i nevojshëm dhe guximtar për të ndjekur atë që ka rëndësi në karrierë.

Në mënyrë thelbësore, zbuluam se këto pritshmëri për gjykim negativ ndikojnë edhe mënyrën si planifikojnë të sillen. Në një studim me doktorantë shumë të apasionuar pas studimeve të tyre, zbuluam se sa më shumë kishin frikë të gjykoheshin për heqjen dorë nga doktoratura, aq më pak kishin ndërmend të flisnin hapur për kushtet shfrytëzuese ose të padrejta në programet e tyre. Të flisnin për këto kushte nënkuptonte pakënaqësi me pasionin e tyre, gjë që mund t’i bënte të shqetësoheshin se do të interpretohej si dorëzim. Kjo nuk ndodh vetëm në akademi: pamë dinamika të ngjashme tek mësues dhe infermierë.

Në një tjetër studim, gjetëm një mënyrë për të ulur këtë frikë nga gjykimi. Rekrutuam mësues që janë – ose kanë qenë – të apasionuar pas punës së tyre dhe që kishin menduar të linin mësimdhënien në 12 muajt e fundit. Gjysmës u thamë se njerëzit e ekzagjerojnë sa ashpër do t’i shohin të tjerët nëse largohen nga pasioni i tyre. Pas kësaj, matëm qëllimet e tyre 14 ditë më vonë dhe pamë se kishin më shumë gjasë të ndërmerrnin hapa konkretë, si krijimi i një plani dorëheqjeje. Pra, t’u japësh njerëzve informacion, se shqetësimet e tyre sociale janë të tepruara, mund t’i ndihmojë të bëjnë hapin drejt pasionit të ardhshëm.

Mësimet kryesore

Njerëzit lulëzojnë kur e shohin karrierën si një udhëtim që evoluon dhe jo si një destinacion të ngurtë, megjithatë shumë nga diskutimet rreth ndjekjes së pasionit fokusohen te këmbëngulja pa fund. Ne sugjerojmë që diskursi të rimendohet: ndjekja e pasionit ka shumë ndalesa gjatë rrugës. Disa pasione lëkunden me kalimin e kohës, ndërsa rrethanat ndryshojnë. Po ashtu, ajo që të apasionon sot, mund të ndryshojë nesër. Të dyja kërkojnë kthesa dhe kjo duhet parë më pak si dorëzim dhe më shumë si një ndalesë drejt aventurës tjetër.

Nëse je dikush që ndjek pasionin dhe po mendon të largohesh, pyet veten: A po qëndron sepse vërtet e do – apo nga frika çfarë do thonë të tjerët? Është e lehtë të mendosh se largimi tregon dobësi. Por, kërkimet tregojnë të kundërtën: njerëzit i shohin shumë më pozitivisht ata që heqin dorë nga një pasion se sa pritej.

Të heqësh dorë nga një pasion mund të jetë shumë e vështirë. Pas gjithë kohës dhe përkushtimit që i ke dhënë, është e rëndë të shkëputesh. Por kjo nuk do të thotë që po heq dorë nga vetja. Mund të jetë hapi i parë drejt diçkaje që përputhet më mirë me atë që je me të vërtetë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top