Kërkimi shkencor – e ardhmja apo një nevojë e domosdoshme për industritë shqiptare? Rasti i  AZ Group në Shqipëri

Nëse mendoni se goditja më e madhe e bizneseve prodhuese në Shqipëri ishte pandemia, gaboheni. Sipërmarrjet e drejtuara për eksport, u gjunjëzuan në vitet më pas, me zhvlerësimin e fortë të euros. Një rënie që tejkaloi edhe normën e fitimit të bizneseve prodhuese, bëri që industria të tkurrej, disa biznese të mbyllen dhe disa të tjera të ndryshojnë profil, ose model biznesi.

Grupi i kompanive AZ Group në Lezhë, i fokusuar tek përpunimi dhe eksporti i produkteve natyrale, të derivuara nga nënproduktet shtazore, ishte ndër kompanitë që hasën vështirësi të mëdha. Me rënien e euros, produktet që eksportonin kishin humbur një pjesë të madhe të konkurrueshmërisë.

Megjithatë, në një vizitë në mjediset e fabrikës, gjatë takimit me drejtuesin e grupit, z.Alban Zusi, vumë re se pikërisht në periudhën më të vështirë, sipërmarrësi është fokusua tek investimet e reja dhe kërkimi shkencor, si mënyra për të ristrukturuar biznesin dhe përballuar vështirësitë, përpara të cilave u gjend.

Sot, reparte të ndryshme të kompanisë, të drejtuar nga familja Zusi, prodhojnë produkte që gjatë pandemisë as nuk i kishin menduar – produkte dhe ingredientë natyralë që sigurohen nga mbetjet e nënproduktet shtazore, nënprodukte që deri para se fabrikat e AZ Group të ekzsitonin, nuk kishin vlerë, madje ishin burim ndotës për mjedisin. Me investimet e realizuara në këtë kompleks fabrikash, sot prodhohen lëndë të para për 7 industri të ndryshme, e për herë të parë në Shqipëri, për sektorin farmaceutik dhe agricultural bio-tech.

Të shohësh nga afër prodhimin e yndyrnave dhe ushqyesve proteinikë të vlefshëm për industrinë blegtorale,  të bën shumë përshtypje. Si mund të transforomohen mbetjet shtazore në produkte me vlerë kaq të madhe për industri kaq jetike? Si nënproduktet, bëhen lëndë të para për një industri të rëndësishme, siç është farmaceutika?

Alban Zusi tregon se vështirësitë që u paraqitën me zhvlerësimin e euros dhe krijimi i produkteve stok gjatë asaj periudhe, e nxitën të mendojë për zgjidhje alternative të  përpunimit të tyre. Në një periudhë të vështirë për kompaninë, kjo qasje kërkonte investime dhe kërkim shkencor për të krijuar alternativa të reja, kjo ishte zgjidhja e vetme. Ndaj, u investua në krijimin e impiantit të parë në Ballkanin Perëndimor të prodhimit të heparinës krudo, principit aktiv që përdoret në ilaçet holluese të gjakut. Sot, pas 2 vitesh, AZ Group është drejt prodhimit të principit të tretë aktiv, pra në total 3 principe aktive që i shërbejnë industrisë faramceutike.

Krahas departamenteve prodhuese dhe teknike, AZ Group u kthye ndër të parat kompani shqiptare që ngriti një departament të mirëfilltë për kërkimin-zhvillimin e produkteve të reja. Kompania ka ndërtuar një ekip prej 3 kërkuesish, dy kimistë e një biolog të fokusuar në kërkimin shkencor, mes të cilëve edhe një studiues indo-amerikan, të cilin e gjetëm në zyrën e z.Zusi kur vajtëm për intervistë. Krahas prodhimit të principeve aktive farmaceutike, AZ Group po zgjerohet në fushën e bujqsisë organike dhe bio-tech, ku eskperimentimi për ekstraktime të molekulave të avancuara në këtë fushë, është pjesë e diskutimeve të grupit kërkimor.

Krahas investimeve në teknologji dhe kërkim, kompania ka ndryshuar edhe strategjinë e tregut. Nëse deri dje ishte e fokusuar në eksport, rritja e teknologjisë përpunuese i ka mundësuar edhe prodhimin e produkteve përfundimtare për konsumatorin final. Prej 2 vitesh tashmë, në Shqipëri prodhohet dhe tregtohet për herë të parë një plehërues 100% organik, i cili prodhohet në një impiant modern totalisht më vete, edhe ky i pari i llojit të tij në Ballkanin Perëndimor. E teksa flet me zotin Zusi, ndihet entuziazmi, pasi rezultatet që kanë marrë nga fermerët janë shumë shpresëdhënëse. Por, edhe konsumatorët janë fitues, pasi kjo ul nevojën e përdorimit të plehëruesve kimik dhe pesticideve. E gjithë kjo falë kërkimit shkencor, dhe deshirës së mirë për të bërë inovacion.

Shqipëri është para sfidës së integrimit europian dhe hapja e mëtejshme e tregjeve do të testojë realisht tregun shqiptar. Sa më të përgatitura kompanitë, aq më shumë mundësi për të qenë konkuruese në tregjet e huaja.

A.Muçaj

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top