Bashkimi Europian po i nxit kryeqytetet e vendeve anëtare të rrisin rolin e pensioneve private, ndërsa skemat shtetërore përballen me sfida të forta nga plakja e popullsisë dhe tregu i punës në ndryshim. Objektivi është i dyfishtë: t’u ofrohet qytetarëve më shumë mundësi për të siguruar një të ardhur të mjaftueshme në pleqëri dhe, paralelisht, të orientohen kursimet drejt prioriteteve strategjike të BE-së nga mbrojtja dhe siguria, te tranzicioni digjital dhe ai i gjelbër.
Komisionerja europiane për shërbimet financiare, Maria Luís Albuquerque, theksoi se pensionet shtesë qoftë profesionale apo personale janë thelbësore për ruajtjen e standardit të jetesës dhe rritjen e rezistencës ekonomike të familjeve. Por ajo nënvizoi se pensionet shtetërore mbeten “shtylla kurrizore” e sistemeve të pensioneve në Europë dhe nuk do të zëvendësohen nga skemat private.
Presioni mbi skemat shtetërore
Pensionet shtetërore në shumicën e vendeve të BE-së funksionojnë sipas një formule, ku kontribuesit aktualë financojnë pensionistët e sotëm. Me tkurrjen e popullsisë në moshë pune dhe rritjen e punësimit joformal apo të ndërprerë, shumë qytetarë veçanërisht gratë nuk kanë sigurinë e një pensioni të mjaftueshëm. Aktualisht, hendeku gjinor i pensioneve në BE qëndron në 24.5%.
“Duam të inkurajojmë më shumë njerëz të kursejnë për pleqërinë dhe t’ua bëjmë këtë proces sa më të lehtë,” u shpreh Albuquerque, duke vënë në dukje se pjesëmarrja në skemat profesionale është ende e ulët: vetëm 20% e europianëve kontribuojnë në pensione profesionale dhe 18% zotërojnë një produkt personal pensional.
Sipas Komisionit, shumë qytetarë nuk kanë një pasqyrë të qartë mbi nivelin e pensionit që do të marrin, një paqartësi që shpesh shoqërohet me prirjen natyrale për të shtyrë vendime apo detyra që nuk kuptohen plotësisht. Një zyrtar i BE-së theksoi se kjo sjellje vihet re dukshëm edhe në mënyrën se si njerëzit planifikojnë pensionin e tyre.
Për ta adresuar këtë, Komisioni u rekomandon qeverive kombëtare që të zhvillojnë platforma online dhe sisteme gjurmimi ku qytetarët mund të shohin kursimet, përfitimet e projeksionuara dhe gjendjen e përgjithshme të pensionit të tyre.
Auto-përfshirja: një mjet për të nxitur kursimin
Një tjetër propozim është regjistrimi automatik i punonjësve në skemat pensionale shtesë, me mundësi për t’u çregjistruar nëse individi nuk dëshiron. Sipas Komisionit, provat nga vendet që e zbatojnë këtë model tregojnë se shumica e qytetarëve zgjedhin të qëndrojnë në skemë pasi regjistrohen.
“Auto-përfshirja ndihmon në kapërcimin e tendencës për të shtyrë vendimet rreth pensioneve dhe i orienton njerëzit drejt kursimit të qëndrueshëm, duke respektuar plotësisht zgjedhjen individuale,” theksoi Albuquerque.
Megjithatë, iniciativa mbetet në nivel rekomandimesh, pasi BE-ja ka kompetenca të kufizuara në fushën e pensioneve. “Nuk mund t’i zgjidhim të gjitha nga Brukseli. Pjesa më e madhe bie mbi vendet anëtare,” tha i njëjti zyrtar.
Këto sugjerime janë pjesë e planit më të gjerë Savings and Investments Union, prezantuar në mars, që synon të kanalizojë deri në 10 trilionë euro depozita bankare drejt investimeve strategjike të bllokut.
