Komisioni Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin i bën thirrje udhëheqësve botërorë në COP30 që të vendosin shëndetin në qendër të veprimeve klimatike. Ndryshimet klimatike po kushtojnë tashmë jetë dhe mënyrën e jetesës. Rajoni Evropian po ngrohet rreth dy herë më shpejt se mesatarja globale, duke sjellë pasoja të ndërlikuara në shëndet, infrastrukturë dhe ekonomi. Vetëm gjatë dy dekadave të fundit, vdekjet e shkaktuara nga të nxehtit janë rritur me 33%, veçanërisht tek të moshuarit, ku gratë preken më shumë se burrat. Përmbytjet që intensifikohen në Europë dhe Azinë Qendrore po shkatërrojnë shtëpi, shërbime esenciale dhe mënyra jetese, ndërsa ngjarjet ekstreme klimatike po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u siguruar.
Në nivel global, vetëm në vitin 2024, ekspozimi ndaj nxehtësisë shkaktoi humbje prej 639 miliardë orë pune, ekuivalente me fuqinë punëtore të Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara së bashku, duke rezultuar në humbje të ardhurash prej 1.09 trilionë dollarë, sa gati ekonomia e Polonisë. Këto nuk janë thjesht statistika: ato përfaqësojnë familje që nuk mund të punojnë, komunitete të shqetësuara dhe humbje të të ardhurave që çojnë në varfëri në rritje. Kostot e mosveprimit po paguhen tashmë me jetë, shëndet dhe rritje të pabarazive brenda dhe midis vendeve dhe gjeneratave.
Sistemet shëndetësore po përballen me presion të jashtëzakonshëm. Spitalet dhe klinikat po përjetojnë një rritje të kërkesës për shkak të valëve të të nxehtit, zjarreve, përmbytjeve, sëmundjeve që transmetohen nga vektorët dhe problemeve kardiovaskulare, respiratore dhe mendore. Ndryshimi i klimës amplifikon ndotjen e ajrit, që çdo vit shkakton gjysmë milioni vdekje të parakohshme në Rajonin Evropian. Ndërprerjet e energjisë dhe ujit e bëjnë më të vështirë ofrimin e kujdesit shëndetësor, ndërsa ndikimi i nxehtësisë dhe ngjarjeve ekstreme mbi personelin shëndetësor krijon një kosto të papërcaktuar, por potencialisht shkatërruese.
Komisioni thekson se në Ditën e Shëndetit në COP30, udhëheqësit duhet të miratojnë Planin e Veprimit për Shëndetin e Belém, një rrugë globale për sisteme shëndetësore rezistente ndaj klimës dhe me karbon të ulët, me monitorim dhe drejtësi sociale. Adaptimi vetëm nuk mjafton: ndalimi i varësisë nga karburantet fosile është i domosdoshëm për të parandaluar pesë milion vdekje të parakohshme çdo vit nga ndotja e ajrit dhe për të reduktuar rreziqet klimatike. Vetë sektori i shëndetit kontribuon rreth 5% të emetimeve rajonale të gazrave serrë, ekuivalente me gjurmën karbonike të Holandës, por të gjithë sektorët – energjia, transporti, bujqësia dhe zhvillimi urban – duhet të bashkohen për të ulur emetimet dhe për të mbrojtur shëndetin.
Megjithatë, ka edhe shpresë. Partneriteti EHP për Veprimin e Sektorit Shëndetësor ndaj Klimës, i udhëhequr nga Irlanda dhe 11 vende të tjera të Rajonit Evropian të OBSH-së, tregon se udhëheqja dhe solidariteti rajonal janë të mundshëm. Shtetet po shqyrtojnë mënyra për të zvogëluar ndikimin mjedisor të barnave, duke përmirësuar zinxhirët e furnizimit dhe reduktuar mbeturinat në spitalet dhe farmacitë e tyre. Qytetet dhe rajonet gjithashtu po ndërmarrin veprime lokale me ndikim global: po rindërtojnë rrugët për ecje dhe biçikleta, investojnë në vakte shkollore të shëndetshme dhe të qëndrueshme, dhe po kalojnë tek energjia e pastër. Transformimi është i mundur dhe po ndodh tashmë, duke sjellë përfitime të shumta për shoqërinë.
Komisioni përfundon duke theksuar se veprimi ndaj klimës dhe shëndetit duhet të zgjerohet tani, me urgjencë dhe solidaritet. Kostot e mosveprimit janë të papërballueshme, ndërsa përfitimet për njerëzit, planetin dhe gjeneratat e ardhshme janë të pakundërshtueshme. Letra është firmosur nga përfaqësues të Komisionit Pan-Europian për Klimën dhe Shëndetin, si edhe nga ekspertë dhe ish-zyrtarë të lartë me rol këshillimor në këtë komision, ndër ta ish-Kryeministrja e Islandës Katrín Jakobsdóttir, ish-Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë Karl Lauterbach, si edhe Dr. Majlinda Bregu, ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.
Letra e plotë e Komisionit Pan-Evropian për Klimën dhe Shëndetin mund të gjendet këtu.
