Programi u hap me një mesazh frymëzues nga organizatorët Gerti Boshnjaku dhe Darko Buldioski, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përhapjen e njohurive digjitale në Ballkan.
Pas hapjes, skena iu dha Jonika Hoomes, ish-menaxhere e Google, e cila solli një perspektivë praktike mbi mënyrën se si gjigantët globalë përdorin AI për të përmirësuar proceset e inovacionit. Më pas, Diego Pisa, Drejtor i Teleperformance Albania & Itali, ndau shembuj konkretë të aplikimit të Inteligjencës Artificiale në shërbimin ndaj klientit dhe në eficiencën operacionale të bizneseve.
Në vijim, Anja Nikolovska foli mbi rëndësinë e monitorimit të medias dhe analizës së sjelljes së përdoruesve, duke theksuar rolin e të dhënave në ndërtimin e strategjive efektive të komunikimit. Pas saj, Aleksandar Ašković diskutoi mbi potencialin e YouTube si një kanal i fuqishëm komunikimi dhe monetizimi në tregjet e reja.
Pas pushimit të parë, konferenca rifilloi me Barbara Slade Jagodić, e cila ndau strategjitë më të fundit të SEO dhe përdorimin e AI për optimizimin e përmbajtjes. Më pas, Vesna Mardonovic trajtoi rëndësinë e medias dhe sjelljes së audiencës në epokën digjitale.
Një bisedë frymëzuese u zhvillua më pas me Andreas Wil Gerdes dhe Lumjana Shehu, të cilët folën mbi “Digital Life”, duke theksuar mënyrën se si teknologjia mund të ndihmojë njerëzit të jetojnë më mirë, jo thjesht më shpejt.
Yoad Mick solli më pas një ndër prezantimet më dinamike të ditës, duke folur mbi ndërtimin e eksperiencave të avancuara të përdoruesve përmes AI dhe automatizimit.
Pasdite, Blerina Sanocki Dhima hapi sesionin e tretë me një fjalim mbi menaxhimin e biznesit përmes inovacionit të qëndrueshëm dhe kulturës krijuese, ndërsa më pas ajo iu bashkua një diskutimi me Jonika Hoomes dhe Ledi Imeraj, moderuar nga kjo e fundit, mbi “Lessons from the Valley”, ku u ndanë mësimet më të vlefshme nga ekosistemi i inovacionit në Silicon Valley.
Nikola Ilchev vijoi me një analizë mbi trendet e ardhshme të e-commerce dhe ndikimin që do të kenë “AI Agents” në blerjet online, ndërsa Kaido Kukk nga IUTE Bank solli një perspektivë mbi evolucionin e pagesave digjitale në rajon.
Në fund, Valon Canhasi, themelues i Hallakate, ndau eksperiencën e tij mbi drejtimin e një agjencie marketingu në epokën e AI-së dhe rëndësinë e balancës midis kreativitetit njerëzor dhe fuqisë së teknologjisë.
