Konfindustria vlerëson se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare që lidh vendin me Korçën, e cila përkon me gjurmën e Korridori 8, përbën goditjen më të rëndë në kohë paqeje për ekonominë dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Sipas Konfindustrisë, problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura kanë lënë pothuajse të shkëputur Juglindjen e vendit, duke krijuar pasoja serioze për qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e qytetarëve.
Organizata i kërkon Qeverisë dhe SPAK që të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe të menjëhershme për zgjidhjen e situatës.
Konfindustria paralajmëron se nëse gjendja nuk zgjidhet me shpejtësi, ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendas rrezikojnë:
-
Humbje të mëdha financiare
-
Rritje të kostove operative
-
Pasoja të rënda deri në falimentime
Gjithashtu, qytetarët mund të detyrohen të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant drejt shteteve fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi, duke krijuar një dalje të konsiderueshme të konsumit jashtë vendit.
Sipas Konfindustrisë, ndikimi ekonomik dhe financiar mund të jetë edhe më i rëndë në afatgjatë, pasi rrezikohet vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen Lindje–Perëndim të mallrave dhe njerëzve.
Një situatë e tillë zhvlerëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik të Shqipërisë, një nga asetet më të rëndësishme të saj, në favor të konkurruesve rajonalë, me në krye Greqinë, si dhe cenon detyrimet që burojnë nga anëtarësimi në NATO.
