ndërtime

Krahas Tiranës, rekord ndërtimesh edhe në Kamzë, Golem e Lezhë në 2024-n

Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të totalit të arkëtimeve me 72% e ndjekur nga bashkitë Kamzë me 8%, Durrësi 3%, dhe Vlora, Saranda dhe Himara me nga 2% secila.

Për 2024, në rang vendi 61 bashkitë arkëtuan 18,5 mld lekë apo rreth 42,3% më shumë se në 2023 nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për lejet e reja që jepen për ndërtim, sipas raportit të Institutit të Bashkive të Shqipërisë “Qeverisja Vendore në Shqipëri – Raport mbi situatën aktuale”. Tirana vijon të mbajë peshën kryesore të totalit të arkëtimeve me 72% e ndjekur nga bashkitë Kamzë me 8%, Durrësi 3%, dhe Vlora, Saranda dhe Himara me nga 2% secila.

Në Tiranë, arkëtimet nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për vitin 2024 arritën 14,3 miliardë lekë, apo rreth 140 mln euro sipas raportit të Institutit të Bashkive. Për 2023, arkëtimet arritën 9,3 miliardë lekë. Krahasuar me 2023 arkëtimet u rritën rreth 53% (pothuajse rreth 5 mld lekë më shumë).

Rritja e arkëtimeve në Tiranë është ndikuar nga shtimi i sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit dhe ndryshimet në çmimet e referencave që nisin zbatimin nga muaji gusht 2023. Mbi këto çmime llogariten edhe detyrimet e ndërtuesve për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Në kryeqytet në 2024-n u dha një rekord prej 1.9 milionë metrash katroleje ndërtimi, me rritje 36% me bazë vjetore. Pas Tiranës, vendin e dytë për nivelin e arkëtimeve e mban Kamza, e ndjekur më pas nga Kavaja, Vlora, Shkodra, Vora, Elbasani, Korça, Lezha etj.

Bashkia e Kamzës ka një rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga kjo taksë, si në vlerë absolute dhe në %. Arkëtimet për 2024 arritën në vlerën e 1,3 mld lekëve apo 23% më shumë sesa viti paraardhës. Në Kamzë, kryesisht në zonën e Paskuqanit po ndërtohen komplekse pallatesh, që janë më të leverdishme se në kryeqytet, duke u luhatur nga 800-1200 euro/m2, nga mbi 1400 euro/m2 që fillojnë në Tiranë.

Bien arkëtimet në Vlorë e Sarandë; “Shpërthen” Lezha e Golemi

Kavaja është bashkia e tretë që ka pasur nivelin më të lartë të ndërtimeve në 2024-n, me Bashkinë që ka arkëtuar 584 milionë lekë në 2024-n, me rritje 54% me bazë vjetore.

Në zonën e Golemit (që i përket Kavajës duke nisur nga Përroi i Agait), ndërtimet janë intensifikuar me hotele e komplekse banimi, duke ulur më tej hapësirat e gjelbra, ashtu siç ndodhi vite më parë në Plazh apo në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në bregdetin e Durrësit e Golemit ka kërkesë për blerje nga të huajt, duke nxitur dhe rritjen e çmimeve, që fillojnë nga 1400 euro/m2.

Bashkia që ka shënuar rritjen më të fortë të arkëtimeve është Lezha. Për 2024-n, kjo bashki arkëtoi 460,4 mln lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë apo 256% më shumë se në 2023. Në zonën e Shëngjinit po ndërtohen pallate e hotele, duke shfrytëzuar çdo hapësirë të lirë të mundshme, e nxitur nga kërkesa e shtetasve të Kosovës, që duan të blejnë shtëpi pushimi, por edhe e polakëve.

Bashkitë pranë zonave bregdetare, si: Durrësi dhe Vlora edhe pse janë ndër 10 bashkitë me vlerën më të lartë të arkëtimeve nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, kanë ulje të ardhurash krahasuar me 2023. Në Durrës u arkëtuan 231 mln lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rreth 38% më pak se 2023.

Në Vlorë u arkëtuan 203 mln lekë të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për 2024 apo rreth 27% më se 2023. Edhe në Sarandë arkëtimet arritën në vlerën e 179,4 mln lekëve rreth 39% më pak se 2023. Shkodra shënoi rritje të fortë me mbi dyfishin e të ardhurave. Nga 65,7 mln lekë në 2023, arkëtimet për 2024 arritën në vlerën e 140,7 mln lekëve rreth 114% më shumë se 2023.

grafik

Monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top