Franca është përfshirë sërish nga kriza politike pasi kryeministri i sapoemëruar, Sébastien Lecornu, ka dhënë dorëheqjen vetëm disa orë pas prezantimit të kabinetit të tij. Dorëheqja e papritur, e konfirmuar nga Zyra e Presidentit Emmanuel Macron, e bën Lecornu-n kryeministrin me mandatin më të shkurtër në historinë moderne të vendit.
Vetëm një natë më parë, Lecornu kishte bërë publik përbërjen e qeverisë së re, e cila në pjesën më të madhe përfshinte të njëjtët ministra që shërbyen nën paraardhësin François Bayrou. Ky vendim shkaktoi menjëherë pakënaqësi dhe tensione brenda koalicionit qeverisës, me disa parti që kritikuan mungesën e ndryshimeve reale në ekzekutiv.
Emërimi i 39-vjeçarit Lecornu në fillim të shtatorit u pa si një përpjekje e Macron për të stabilizuar situatën politike pas muajsh trazirash dhe përçarjesh brenda shumicës. Megjithatë, zhvillimet e fundit e kanë thelluar edhe më tej pasigurinë politike në vend, duke lënë të hapur skenarë të rinj, përfshirë mundësinë e një qeverie teknike apo edhe zgjedhjeve të reja parlamentare.
Franca ndodhet përballë një parlamenti të ndarë midis tre blloqeve kryesore politike, çka e ka bërë të vështirë formimin e një qeverie të qëndrueshme që nga zgjedhjet e parakohshme të verës së kaluar. Vendimi i Lecornu-t për t’u tërhequr konsiderohet një goditje e re për përpjekjet e Macron për të rikthyer stabilitetin institucional.