Një rreth vicioz i dëmshëm rezulton kur prindërit nuk arrijnë të ndjekin një pasion. E teksa moshohen e vetmja gjë që mbushet është koha e tyre është kujdesi dhe shqetësimi për fëmijët.
Duke lënë një varësi emocionale si tek prindi dhe tek fëmija. Kjo gjendje pengon aftësinë e fëmijëve për të formuar identitete të pavarura dhe kemi prindër të dëshpëruar dhe të kufizuar.
Shumë prindër dhe të moshuar janë të lidhur ngushtë me familjen dhe ndihen të braktisur kur kjo mbështetje nuk është më e pranishme.
Shqipëria dhe Italia, ndonëse të ndara nga një det, përballen me moshimin në mënyra të ndryshme për shkaqe sociale, kulturore, dhe ekonomike.
Në Itali, ndonëse të moshuarit përballen gjithashtu me rënien fizike dhe pyetje të ngjashme mbi jetën dhe vdekjen, ka një ndryshim thelbësor.
Të moshuarit italianë shpesh ndjekin pasionet e tyre ose gjejnë mënyra për të mbajtur gjallë interesat që i kanë tërhequr gjithmonë, si arti, gatimi, kopshtaria, madje edhe udhëtimet.
Në qytete si Roma, Firence apo Bolonja, është e zakonshme të shohësh të moshuar që angazhohen si vullnetarë, ose që ndjekin kurse për të mësuar diçka të re. Ndryshe nga Shqipëria, pensioni në Itali shpesh shihet si një mundësi për ta rigjetur veten, jo si fundi i jetës.
Në Shqipëri, moshimi shpesh është sinonim i një faze të jetës që përjetohet nën hijen e varfërisë, vetmisë dhe varësisë.
Këtu, përballja me moshën dhe ndjenja e dobësisë, shpesh e shprehur me shprehjen “nuk mundem më,” ose “iku koha ime” sjell me vete një ndjenjë humbjeje.
Të kesh një pasion është si të kesh një drejtim të brendshëm që të mban gjallë dhe të mbush shpirtërisht.
Pasioni është ajo që na shtyn të ndjekim diçka që na bën të ndjehemi të plotë. Diçka që na mbush me energji dhe përkushtim pavarësisht përpjekjeve që mund të kërkojë.
Kur ndjekim një pasion, shpesh harrojmë lodhjen, vështirësitë dhe madje edhe kohën. Na ofron atë përvojë që psikologët e quajnë rrjedhje. Një ndjesi ku jemi plotësisht të zhytur dhe të përqendruar në atë që bëjmë.
Pasioni jep kuptim
Ashtu siç thotë Viktor Frankl, psikiatri austriak dhe autori i librit Njeriu në Kërkim të Kuptimit:
“Ai që ka një pse për të jetuar, mund të përballojë çdo si.”
Viktor Frankl
Frankl e vuri re që njerëzit që kishin një qëllim ose një pasion kishin shumë më tepër gjasa të përballonin vuajtjet, sepse gjenin kuptim edhe në sfida.
Pasioni jep vetëbesim
Në aspektin psikologjik, një pasion ndikon pozitivisht në vetëvlerësim dhe vetëbesim. Kur punojmë për diçka që na jep kënaqësi, ndiejmë një krenari të brendshme që përforcon vetëvlerësimin.
Njerëzit që kanë një pasion ndihen më të përmbushur dhe më të kënaqur me jetën.
Për shembull, shumë njerëz e gjejnë veten përmes artit, shkencës, sportit, ose thjesht një hobi të vogël që i ndihmon të shprehen dhe të reflektojnë mbi veten.
Pasioni ndihmon të përballim streset
Një tjetër arsye e rëndësishme është se pasioni na ndihmon të përballojmë stresin dhe presionet e jetës. Kur përballemi me sfida ose periudha të vështira, një pasion na shërben si një vendstrehim i brendshëm ku gjejmë rehati dhe kuptim.
Ai bëhet një mekanizëm natyral për të larguar ankthin, për të rigjeneruar energjitë dhe për të ruajtur qetësinë shpirtërore.
Të kesh një aktivitet që e dashuron dhe që të ndihmon të qetësohesh, është një nga format më të shëndetshme të përballjes me presionet e përditshme.
Në përfundim, një pasion është më shumë sesa një hobi apo një qëllim i thjeshtë. Ai na lidh me thelbin tonë të brendshëm. Na ofron një orientim emocional dhe shpirtëror dhe e mbush jetën tonë me kuptim të përhershëm.
Dëshira për të gjetur qëllim dhe përmbushje personale është thelbësore për një jetë të shëndetshme emocionale.
Kur prindërit ndjekin pasionet e tyre, ata jo vetëm që krijojnë një model të shëndetshëm për fëmijët, por gjithashtu ndihmojnë në ndërtimin e një identiteti më të fortë dhe më të plotë për veten.
Kjo ndihmon në rikthimin e energjisë dhe entuziazmit në jetën e tyre, duke kontribuar kështu në një atmosferë më pozitive për të gjithë familjen.
Një rreth vicioz lind kur prindërit që nuk i ndjekin pasionet e tyre krijojnë një varësi emocionale nga fëmijët. Kjo i bën fëmijët të ndihen të detyruar të plotësojnë këtë boshllëk.
Ky fenomen e bën të vështirë për fëmijët që të zhvillojnë identitetin e tyre të pavarur.
Prindërit, duke humbur mundësitë për të ndjekur pasionet e tyre, krijojnë një ndjenjë trishtimi dhe ndjenjash të represuara që ndikon në marrëdhëniet e tyre me fëmijët.
I gjithë ky artikull është ngritur nga eksperienca ime personale dhe mbi të gjitha ajo profesionale.
Psikologet, rekomandojnë se është e rëndësishme t’i inkurajojmë prindërit që të eksplorojnë dhe të zhvillojnë pasionet e tyre, qoftë përmes aktiviteteve artistike, sporteve, apo aktiviteteve sociale.
Kjo jo vetëm që do t’u japë atyre një ndjenjë rinie dhe qëllimi, por gjithashtu do të forcojë lidhjet e shëndetshme me fëmijët.