Kur një shtet tradhëton veten

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Shkruar nga Landa Kraja

 

Që një vend nuk dëmtohet vetëm nga krizat ekonomike, emigrimi apo papunësia, kjo është pak por e sigurtë. Dëmi më i madh, ai i heshturi dhe më afatgjati ndodh kur shteti humb kontrollin mbi të dhënat e qytetarëve të tij ose më keq, kur ua beson menaxhimin e tyre njerëzve të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të korruptuar duke pasur qëllim fitimet personale si priorite.

Të dhënat nuk janë thjesht servera, database apo sisteme të IT-së. Ato janë identiteti digjital i një shoqërie. Ato përmbajnë jetën ekonomike, shëndetësore, ligjore dhe sociale të qytetarëve. Kur ky identitet keqmenaxhohet, pasoja nuk është teknike, është shkatërruese. Dëmi ekonomik nuk është aksidental asnjëherë. Keqadministrimi i të dhënave prodhon humbje të drejtpërdrejta financiare: sisteme që bien, shërbime që ndërpriten, kontrata emergjente, rindërtim infrastrukture. Por dëmi më i madh është indirekt dhe afatgjatë: humbja e besimit ekonomik. Theksoj këtu se asnjë kompani serioze ndërkombëtare nuk investon në një vend ku: të dhënat nuk mbrohen apo ku institucionet nuk janë të besueshme, informacioni/identiteti mund të manipulohet ose shitet.

Në vende të vogla si Shqipëria, këto pasoja përkthehen lehtësisht në qindra miliona euro të humbura edhe kur ndodh kjo ngjarje paraqitet si “problem teknik” (kujto: sulmin kibernetik pak kohë më parë!).

Të kthehemi tek qytetari si viktimë e parë dhe e fundit. Kur menaxhimi (shteti) dështon të mbrojë të dhënat vidhet indentiteti, hapen kredi fiktive, manipulohen prona dhe gjoba, ekspozohen informacione shëndetësore dhe financiare

Qytetari bëhet i pambrojtur për vite me radhë, madje dhe kur ky skandal nuk “qarkullon” më nën vëmendjen mediatike (dhe këtë e kemi me “lopatë” në Shqipërinë tonë të vogël ku këmbanat bien me dirigjim). Dëmi është personal (“Brenda” shtëpisë së gjithësecilit nga ne), konkret dhe fatkqësisht i pakthyeshëm. Askush nuk e rikthen dot sigurinë e humbur të një identiteti digjital të komprometuar.

Çështje sigurie kombëtare: të dhënat shtetërore nuk janë thjesht informacion administrativ. Ato janë infrastrukturë kritike dhe përmbajnë informacion strategjik për funksionimin e shtetit. Kur këto të dhëna, bien në duar të gabuara, shteti bëhet lehtësisht i shantazhueshëm, i manipulueshëm dhe i  ekspozuar ndaj faktorëve të tjerë të jashtëm. Në fakt kjo nuk është më çështje IT-je apo keqmenaxhimi, por çështje sigurie kombëtare. Një shtet që nuk kontrollon të dhënat e veta nuk kontrollon plotësisht as veten, si i prekur nga një sëmundje kronike, destinuar mos të shërohet.

Dëmi më i rrezikshëm: shkatërrimi i besimit, por jo vetëm, dëmi është instuticional nuk është as ekonomik, as teknik. Administrimi i të dhënave publike nga njerëz të paaftë pa integritet duke bërë që qytetarët të humbin besimin te shteti, kjo lë të përceptohet që digjitalizimi  të shihet si kërcënim, jo si lehtësim dhe ligji si selektiv. Më e keqja, që është ulëritëse, kur mungesa e përgjegjësisë normalizohet dhe pajtohemi me të keqen, e cila po kthehet në karakteristikë për shoqërinë tonë. Pikërisht ky është dëmi, i cili nuk mund të riparohet me arrestime sporadike apo deklarata politike. Besimi i humbur kërkon vite për t’u rindërtuar dhe kërkon diçka që shpesh mungon: llogaridhënie reale.

Digjitalizim pa etikë ka një të vërtetë të hidhur që shpesh anashkalohet: digjitalizimi pa etikë, pa profesionalizëm dhe pa kontroll është më i rrezikshëm se mungesa e digjitalizimit. Kur njerëzit që administrojnë të dhëna nuk kanë integritet, kompetencë, nuk kanë frikë nga ligji, atëherë sistemi digjital nuk i shërben qytetarëve. Ai kthehet si një armë kundër tyre.

Një shtet demokratik nuk matet nga numri i platformave online apo nga shpejtësia e shërbimeve digjitale. Matet nga aftësia për të mbrojtur qytetarët e vet, për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe për të ndëshkuar realisht abuzimin, sepse një shtet që tradhton të dhënat e veta, në thelb, ka tradhtuar qytetarët e tij.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top