María Corina Machado

Kush është María Corina Machado, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe 2025

María Corina Machado me mbështetësit Caracas, Venezuela, gjatë zgjedhjeve primare në 2023.Credi..Adriana Loureiro Fernandez për The New York Times

 

Znj. Machado krijoi lëvizjen më të madhe të opozitës në Venezuelë dhe jeton në fshehtësi nga regjimi autoritar i presidentit Nicolás Maduro.

María Corina Machado, udhëheqësja e lëvizjes më të madhe të opozitës në Venezuelë, u nderua të premten me Çmimin Nobel për Paqe 2025.

Një ish-deputete konservatore, znj. Machado ka qenë prej kohësh kundërshtarja kryesore e partisë socialiste në pushtet të Venezuelës. Ajo jeton në fshehtësi që nga vera e vitit 2024, kur presidenti Nicolás Maduro shpalli fitoren në një votim që u konsiderua gjerësisht i manipuluar.

Komiteti Norvegjez i Nobelit, i cili jep çmimin, tha se e zgjodhi znj. Machado kryesisht për përpjekjet e saj në avancimin e demokracisë “përballë autoritarizmit gjithnjë në zgjerim në Venezuelë”.

Në deklaratëj, komiteti e lavdëroi znj. Machado “për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike të popullit venezuelas dhe për përpjekjen e saj për të arritur një tranzicion të drejtë e paqësor nga diktatura në demokraci”.

Znj. Machado mbështet forcimin ushtarak të presidentit Trump në Karaibe, për të cilin ai thotë se ka për qëllim ndalimin e trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Shteteve të Bashkuara. Në një seri intervistash me The New York Times në fund të vitit të kaluar, znj. Machado tha se për z. Trump, “Venezuela përfaqëson një fitore të madhe në politikën e jashtme në një periudhë shumë, shumë të shkurtër”.

Kush është María Corina Machado?

Machado, 58 vjeç, është vajza më e madhe e një familjeje të njohur në Karakas. Ajo ndoqi një shkollë katolike për vajza në Karakas dhe më pas një shkollë internati në Wellesley, Massachusetts. Studioi inxhinieri dhe financë, dhe më vonë punoi për kompaninë familjare Sivensa, një prodhues i madh çeliku.

Pjesë e kompanisë u shtetëzuan në vitin 2010 nga presidenti Hugo Chávez, themeluesi i lëvizjes socialiste moderne të vendit, i cili mori nën kontroll dhjetëra kompani private si pjesë e programit të tij të nacionalizimit.

Në fillim të viteve 2000, ajo u bë aktiviste politike dhe bashkëthemeluese e grupit për të drejtat e votuesve Súmate, që udhëhoqi një përpjekje të dështuar për të shkarkuar Chávez-in, i cili vdiq në vitin 2013. Maduro është në pushtet që prej asaj kohe.

Znj. Machado u zgjodh në Asamblenë Kombëtare në vitin 2010, duke fituar numrin më të madh të votave ndonjëherë. Ajo drejton partinë opozitare Vente Venezuela dhe në vitin 2023 shpalli kandidaturën për presidente.

Megjithatë, ajo u pengua të garonte në zgjedhjet e vitit 2024 për shkak të asaj që qeveria e quajti “parregullsi financiare” gjatë kohës kur ajo ishte deputete. Ajo e cilësoi këtë si një manovër politike për ta mbajtur larg pushtetit dhe mbështeti një kandidat zëvendësues, diplomatin pak të njohur Edmundo González.

González garoi kundër Maduros, i cili shpalli fitoren në zgjedhje.

Opozita, megjithatë, mblodhi prova që, sipas saj, tregonin se González kishte fituar me një diferencë të madhe dhe akuzoi Maduron për vjedhje votash. Carter Center, një organizatë e pavarur monitoruese e zgjedhjeve, e konsideroi të saktë numërimin e opozitës.

Pse iu dha Çmimi Nobel për Paqe?

Jorgen Watne Frydnes, kryetari i Komitetit Norvegjez të Nobelit, u tha gazetarëve pas shpalljes se gjyqtarët vlerësuan edhe pasojat e sigurisë nga dhënia e çmimit znj. Machado.
“Ky është një diskutim që e kemi çdo vit, veçanërisht kur fituesi është në fshehtësi për shkak të kërcënimeve serioze ndaj jetës së tij,” tha ai, duke shtuar se komiteti beson se çmimi do të forcojë kauzën e saj.

Frydnes shprehu shpresën që ajo të mund të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit në dhjetor, por theksoi se kjo do të varet nga situata e sigurisë.

Komiteti i Nobelit, duke i dhënë çmimin znj. Machado, paralajmëron për presionin në rritje ndaj demokracisë në mbarë botën.

“Demokracia është në tkurrje në nivel ndërkombëtar,” thuhej në deklaratë. “Demokracia, e kuptuar si e drejta për të shprehur lirshëm mendimin, për të votuar dhe për t’u përfaqësuar në qeveri të zgjedhura, është themeli i paqes si brenda vendeve, ashtu edhe midis tyre.”

Çfarë mendon ajo për veprimet e z. Trump ndaj Venezuelës?

Znj. Machado është shfaqur si mbështetëse e fortë e forcimit ushtarak të presidentit Trump në Karaibe, duke argumentuar, ashtu si ai, se Maduro përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të rajonit.

Pas fillimit të bombardimeve të Shteteve të Bashkuara kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe muajin e kaluar, ajo deklaroi për Fox News:

“Kjo ka të bëjë me shpëtimin e jetëve- jo vetëm të venezuelasve, por edhe të qytetarëve amerikanë, sepse, siç keni thënë dhe siç e dimë, Maduro është kreu i një strukture narkoterroriste bashkëpunuese.”

Në deklaratat e fundit për shtyp, znj. Machado ka thënë se, nëse regjimi i Maduros bie, lëvizja e saj është e përgatitur të marrë kontrollin territorial dhe administrativ të Venezuelës.

Ajo gjithashtu ka promovuar një plan ekonomik për investitorët amerikanë dhe të huaj, duke thënë se një Venezuelë demokratike nën drejtimin e saj mund të gjenerojë 1.7 trilionë dollarë pasuri brenda 15 vjetësh, pjesërisht përmes privatizimit të industrisë së naftës.

Që nga shtatori, administrata Trump ka nisur goditjen e asaj që e quan “anije të drogës” në Karaibe. Por, përmasat e përqendrimit ushtarak në rajon dhe tonet gjithnjë e më të ashpra të Trump ndaj Maduros, kanë bërë që shumë njerëz në të dy vendet të besojnë se qëllimi i vërtetë i SHBA-ve është rrëzimi i Maduros.

Jonathan Wolfe, gazetar i The New York Times me bazë në Londër

Julie Turkewitz, shefe e Byrosë së Andeve për The Times, me bazë në Bogota, Kolumbi, që mbulon Kolumbinë, Venezuelën, Bolivinë, Ekuadorin dhe Perunë.

NYTIMES

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top